G dhe L, dy rrymat


Avatar photo

Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.

Përpara sesa ta fillojmë shqyrtimin e standardit, na duhet nji arsye e qëndrueshme. Pra, nji politikë gjuhësore. E politika gjuhësore e don nji vektor orientimi, pra përgjegjen për pyetjen “pse po çohemi me e shqyrtu standardin”.

Përfaqësuesit e nji rryme tashmë t’etabluar, pavarësisht se si, kur, prej kujt e tek do pyesin kështu. Për këtë rrymë interesi, gjithçka po funksionon si duhet. Kjo rrymë interesi e sheh realitetin gjuhësor me frikën se rryma tjetër (që emërtohet shpeshherë “gegnisht”) po mundohet me tërheqë, në thelb, më shum pushtet vendimmarrës për veten. Sapo të shkruajmë diçka që ndez alarmin “gegnisht” te rryma tjetër e interesit, ajo aktivizohet dhe interpreton: “A-a! Duan të më marrin gjuhën”!

Janë pra thjesht dy rryma politike, sociale, krahinore, interesi, cilido përcaktori i tyre, sepse të gjithë të saktë njiherësh. Tekefundit, i quajtëm “gegnisht” a “toskërisht”, “standard” a “dialekt”, “krahinore” e “mbikrahinore”, thjesht kemi vu përballë dy rryma të ndryshme gjuhësore e jashtëgjuhësore, pra edhe sociale e politike, për nji krahasmatje potencash. Jo vetëm gjuhësore pra, po edhe shoqnogjuhësore detyrimisht. Shoqëria është gjuhë e gjuha shoqëri.

Prandaj, kur kemi këso trumhasjesh si kjo me 20 nënshkrimet, mund të bëjmë më shum lloj matjesh. Kjo sepse rrymat, ndonëse japin përplasje, nxjerrin me to plot shkëndija, material për matje, mbasi në përplasje artikulohen qëndrime. E në artikulimin e qëndrimeve, vërehen interesa. Interesat, sado që duken të kundërt, kanë pikëtakimet. E shi njikëtu, te pikëtakimet, duhet me punu për t’i afru dhe mbajtë rrymat bashkë.

Interesi themelor është ai i nji shqipeje të përbashkët për krejt botën shqiptare, sepse kur e përbashkët, ajo e rrezaton këtë jo veç në rajonin ballkanik, po më gjërë, me fjalë të tjera: është ende gjuhë faktor. Prandaj politika e përbashkët duhet me u caktu nga shtetet ku shqipja përdoret si zyrtare. E udhëhequr prej organizmash si Këshilli Ndërakademik, kjo siguron interesin mbarëkombtar për me e mbajtë nji shqipe standarde, me e përditësu prej nevojave të vetë shqipfolësve, pra me e aftësu që me u mbijetu kohëve. Kohë të vështira janë tu ardhë për gjuhët e vogla. Lexojmë tashmë nëpër internet edhe studime në fushën që njihet si “vdekja e gjuhëve”.

Por, kuptohet, këtë interes për shqipen mundemi me e synu edhe jashtë institucioneve. Por edhe këtu, në përplasjen e qëndrimeve, shprehen interesat. E prandaj këtu mundemi me punu. Me matje. P.sh. unë, ti e L mundemi me e nisë nji diskutim lidhur me përafrimet e mundshme. L, që vetë përdori “do justifikonin”, “do e ktheja”, tregon se ky ekonomizim i është ngjitë. Na e jep nji matje. Në Facebook.

P.sh. me kriju nji faqe të tipit “A mund të bëhemi X milion shqiptarë që kërkojmë të shkruajmë ‘do vij’ në vend të ‘do të vij’ në standard”, a thu sa mund ta arrijë vlerën X? Këtë gjetje të rezultatit, me shqiptarët prej kahmos, e hetojmë nëpër facebookun e përmasave epidemike te brezat aktivë. Brezat aktivë në kiberhapësirë janë të gjithë përveç fëmijëve ende shum të vegjël për të qenë pjesëmarrës me inputet vetjake dhe brezit që tashmë plak vitet e mbrama të kësaj jete e nuk ka as email. Nëse ajo që kemi matë kështu del përmasash për t’u dukë të konsiderueshme për nji shqyrtim institucional, mund t’ia vëmë në dijeni Këshillit Ndërakademik, tu e përballë me realitetin, cilido që rezulton ai.  Nëse refuzon me i shqyrtu Këshilli Ndërakademik, mundësia e përdoruesve, pra e anës tjetër të binomit, është me evazhdu përpjekjen. D.m.th. “gara në gjuhë” nuk është fare e ndryshme nga gara jashtë saj. Ndonjiherë në shoqëri ndodh të shohim përplasje interesash që tërheqin vëmendjen publike më shum. Studentët që rrëzuan rektorin në Prishtinë. Letra drejtu Kryeministrit me 20 nënshkrues: gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë.

Duhet nji përpjekje për ta heqë nji trajtë të ekonominuzar dhe zëvendësu atë me nji më të gjatë sikurse janë “do të justifikonin” e “do ta ktheja”, në atë kërcimin që secili prej nesh e bën kur nis me folë e shkrujtë publikisht (kërcimi diglosik).  Çdo kërcim prej informal në formal, pra rasteve kur nji komunikues flet me tjetrin me “po të njoh” ose “nuk po ju njoh”, është kërcim diglosik (që e quajmë kështu sa me ia vu nji emër). E nëse njisia gjuhësore, edhe kur jo “e standardit” kjo, nuk përbuzet si “diqysh e mangët” për nivelin formal të komunikimit, përdoruesi i gjuhës do të ndihet i lirë me e përdorë edhe në “regjistrin formal”, po edhe këtë me e quajtë kështu në thojza, sepse po jetojmë në kohën kur politikanët postojnë në rrjete sociale, portale, blogje, e komentojmë direkt edhe vetë në postimet e tyre, debatet nxehen mes politikanësh në emisionin televiziv dhe gramatikat e secilit rrëshqasin drejt asaj që vjen më pak formale. Pra, vjen e hollohet cipa ndarëse ndërmjet domenit formal dhe atij informal, cipë që dikur ishte nji mur i trashë ndarës.

Prandaj, me u kthy te politika, ajo vendimmarrësja. Ajo këtë synim mundet me e çu përpara nëse ndjek rrugën e përbashkimit, të bashkëpjesëmarrjes në vendime. Është e mundshme me sugjeru, siç pashë te shkrimi i Mero Bazes, se kosovarët e brezit të ri vuajnë nga mangësi gjuhësore sepse janë shkollu ashtu si mundën në kohën e Milosevic-it. Është edhe më e udhës me pa se si mundemi me gjetë mënyra përafrimi mes përdoruesve me shqipen e sotme, andej e këndej, që përdoruesin e sotëm të shqipes, të tillë çfarë e kemi dhe kudo që e kemi, e afrojnë me standardin, ndërkohë që edhe standardin e afrojnë me ta. Kjo në dukje të parë duket e çuditshme, por nuk është. Duket sikur përdoruesi, tu qenë nji shumës i thjeshtuar në njejës, mbasi përdoruesit janë të shumtë e jo nji i vetëm, mundet me synu drejt njishit, standardit të vetëm ashtu e të tillë siç është, të paktën po deshi me pasë të drejtë me komuniku formalisht me të tjerë. Por, ndërkohë duket e pangjashme që njishi, pra standardi nji i vetëm, mbikrahinor, a.k.a “gjuha e njësuar”, të mundet me u afru disi te përdoruesit, që duke qenë të shumtë, do kërkojnë secili diçka ndryshe e krye më vete. “Gjuha e njësuar” do të duhej të nënkuptonte “standardi i përdoruesve dhe përdoruesit të standardit”. Nji binom ky me “përdoruesit” në nji skaj dhe “standardin” në tjetrin, e mes dy nocioneve i gjithë rrjeti i ndërkomunikimit që mund ta imagjinojmë ndër përdoruesit nëpërmjet standardit.

Prandaj përdoruesit munden me kuvendë sot, në kohën e e-kuvendimit, me Këshillin Ndërakademik. Ta zëmë, mund të bëjmë do matje për me e pa ç’po na thotë kiberhapësira gjerësisht e disponueshme sot, se si qëndron ndryshorja ekonomike “do vij” kundrejt alternativës standarde “do të vij”. Sa me i vu në sprovë vendimmarrësit ndërakademikë, me pa vërtet nëse po e mbrojnë interesin mbarëkombëtar, apo po na e shtyjnë edhe ata njilloj njifarë pjate parapëlqimesh krejt vetjake me ua përtypë.

Cilat janë prirjet më të shpeshta në cilat domene, për ndryshoren “do+lidhore me/pa pjesëz'”, fjala vjen. P.sh. mundemi me pa nëse në shkrimet e gazetave në Tiranë, Prishtinë e Shkup, dominon njëra ose tjetra. Me i marrë disa, me i lexu, me i nënvizu e shënu të dyja trajtat. Thjesht, me u informu për zhvillimet e sotme gjuhësore. Mundemi, po mbasi mund t’i masim me Google, i bëjmë prej laptopit tonë. Matje tjera marrim nga reality show si “Big Brother”, bash edhe me dashtë. Me pa këtij djalit nga Prishtina – që nuk po thotë më “prej Prishtine”, kur të tjerët po e pyesin “Po ti, nga je?”, – sa herë po i ngjitet “do vij” në vend të “do të vij” në bashkëbisedim me të ngujuarit e tjerë në show, këta nga vise të Shqipërisë. Tu e njohë më afër domenin social të djalit, me e kuptu se si mund të ndikohet në ndërkomunikim edhe nji pjesëtar tjetër i të njejtit domen social e nga i njejti areal që s’para përdor të ardhmen me ‘do’+lidhore, (“do të vij” a “do vij” qoftë ajo),mbasi pëlqen atë me ‘kam/ke/ka’+paskajore. Me nji fjalë, e kemi matë edhe këtë grup social. E mund të kërkojmë, si taksapagues të të dyja qeverive, me investu në sofistikimin e matjeve, sepse politika gjuhësore të mirinformuara e të vendosura kundrejt prirjeve mbarëkombëtare, mbasi mundemi me i imagjinu, mundemi edhe me i jetësu.

Kështu vijmë te të dy rrymat, G dhe L. Ndërsa “rryma G” interesohet me u faktorizu në vendimmarrjen rreth shqipes, e me pru në shqipen e përbashkët elemente të veta,”rryma L” interesohet mos me u rreziku nga “rryma G” sa me u detyru me zbritë prej pushtetit gjusësor që njeh dhe zbaton, ose të paktën, mëton me e zbatu. Ndërkohë, na intereson që rrymat të vazhdojnë me komuniku, pra të mos hapim rrezikun me e ndjekë secila fatin vetjak në gjuhë. Kjo kish me nënkuptu, në rastin e shteteve të ndara, edhe identitete e fate të ndara, e për nji gjuhë të vogël si shqipja, zhdukje më të shpejtë nga faqja e dheut, bash prej vetë përçarjes.

Po “rryma L” (queje ‘standard’ a ‘tosknisht’ ba me dashtë, – le t’i themi “rrymës G”) nuk do me ia ditë për vështirësitë e tua në artikulim nëpërmjet standardit, as për mënitë e tua me caktimet e periudhës socialiste, edhe në pastë qenë totalitare ajo, e as për mundësitë e pabarabarta mes teje dhe saj që standardi i kësisojtë si është, vetiu i paracakton. Ajo do me ditë pse i duhet me shkrujtë fjala vjen ‘nji’ në vend të ‘një’, dhe cili do ish përfitimi mbarësocial prej nji ndërmarrjeje korrigjimi si kjo. (Mbasi ‘nji’ e ‘një’ janë e njejta gjë, pse të gdhijmë ‘nji’ ditë të bukur e të gjithë të mbajmë mend se u dashka shkrojtur ‘nji’ e jo ‘një’ tash e tutje? Kjo është pyetje që lind dhe komente të këtij tipi janë për t’u pritë).

Pra kah po e çojmë shqipen standarde, a do të vazhdojë me i pri krejt kombit, por dhe sa denjësisht kështu? Sepse nëse shfaqen plasa të binomit nga ana e përdoruesve, të qëllimta krejt a të paqëllimta fare, (kryesorja, të dëshmueshme e të matshme), e këto plasa vazhdojnë e shqyhen tutje, rrezikohet po aq standardi sa edhe përdoruesit. Marrëdhënia është e dyfishtë.

Fërkimet mes grupeve të interesave për punë gjuhe janë probleme të zgjidhshme, por zgjidhjet mund të fillojnë vetëm andej kah pajtueshmëria, sa më e gjithanshme, fitohet sa më kollaj. Qoftë edhe për çështje periferike fillimisht. P.sh. Këshilli Ndërakademik propozon me shkrujtë ‘mjeksor’ në vend të ‘mjekësor’,’vazhdimsi’ e jo ‘vazhdimësi’. Por, mund të shohim edhe si qëndron puna. Google thotë: ‘vazhdimësi’ 755’000 kurse ‘vazhdimsi’ 17’400.

Pra, edhe pse Këshilli Ndërakademik po e vesh me prestigjin e vet trajtën pa ‘ë’, përdorimi ende po jep ndryshe. Mbasi fjalën e ka pjesë të gjuhës formale, e mbasi gjuhën formale e korrigjon më shum me drejtshkrimorin elektronik, nji mënyrë se si ‘vazhdimsi’ mund të përhapet është nëse futet në ndonji version të ardhshëm të drejtshkrimorit. Rezultatet varen po ashtu edhe nga mundësia e përhapjes së vetë trajtës ‘vazhdimsi’, si shprehi gjuhësore, në ligjërime jo-fort-formale. Mund të dalim me vërejtjen se na interesojnë për matje veç domenet që redaktohen gjuhësisht, mbasi këto janë formale, e jo ato që nuk redaktohen.

Por nëse trajta ‘vazhdimsi’ del në të ardhmen (hipotetikisht) me raport të përmbysur me trajtën ‘vazhdimësi’, e ndërkohë kjo e dyta ka mbetë standarde “me letra”, kjo njikohësisht do të na tregonte se sa pak shkrime që publikohen janë njikohësisht edhe të redaktuara, të paktën për nji krehje ortografike si kontrolli me drejtshkrimorin elektronik. E kjo mandej, vendimmarrësit për punë gjuhe i vë para detyrës me e sanksionu realitetin mbizotërues.

Pra, shqipja si gjuhë, po nuk u hyri punëve të mirëmbajtjes së digjitalizuar, të fjalorit, të drejtshkrimorit, gramatikës, e po nuk i bëri këto duke i ndjekë edhe zhvillimet sociale e në bashkëpunim me grupet e interesit, pritet me e rrudhë pushtetin e vet. Në kohë interneti e komunikimi gjithnji e më fort nëpërmjet tij, madje me sosë në kaos. Pra, raporti nuk është i njianshëm: “standard” nalt e “përdorues” poshtë, zbatoje! Sepse, nuk ka përdorues që nji standard mund ta zbatojë me saktësinë 100% nga nji anë, po nuk ka as standard, nga ana tjetër, që mund të zhvillohet e të jetojë jetë të pavarur prej përdoruesve. Përdoruesi, që deri këtu e quajta kështu – e që jeni edhe ti e ti, G e L – është në të njëjtën kohë edhe formësues i gjuhës. Nuk ka si me qenë, veç kështu.

Nuk është studiuesi ‘autoriteti’ që e quan tjetrin ‘përdorues’ e veten e mban për ‘vendimmarrës’.  E para, sepse edhe secili nga të autoritetshmit është përdorues edhe vetë. E dyta, formësues d.m.th.’vendimmarrës’, sepse me vendosë autoritativisht ç’me i krasitë pemës së gjuhës e ç’me i lënë, pra si me e formësu atë, janë e njëjta gjë. E meqë secili përdorues në kohën e përdorimit të gjuhës është formësues i saj edhe vetë, vendimmarrja, sa me gjerësisht i shqyrton, mat, analizon përdorim-formësimet dhe sa më shum që punon për përafrimet me perdorues-formësuesit po edhe mes përdorues-formësuesve me njëri-tjetrin, aq më autoritative, sepse aq më përfaqësuese është. Pra, politika gjuhësore që orientohet nga parimi “1. standardi për përdoruesit, 2. për përafrimin e përdoruesve me të dhe 3. me njëri-tjetrin përmes tij”. Nëse në binomin përdorues-standard e humbim baraspeshën, pra vendosim se njëri është më i rëndësishëm se tjetri (1. standardi, pëdoruesit le ta ndjekin! ose 2. përdoruesit, standardi le t’u përshtatet!) e kemi humbë vështrimin shkencor. Nëse e humbim baraspeshën mes përdorues-fomësuesve, në kuptimin që pala A e përdorues-formësuesve merr me i përbuzë palët e tjera në emër të mbrojtjes së standardit, kami humbë baraspeshën mes përdorues-formësuesve.