Emṇi SHQIPËṆI

Më 21 kallnor 1925, Asambleja Kushtetuese e Shqipnisë shpalli Republikën Shqiptare. Nuk mund të thom saktë se ç’e frymzoi kët emërtim zyrtar të shtetit. Por nji gja asht e dukshme: nuk asht as gegnisht, as toskërisht! Trajta «X Shqiptare» vazhdoi edhe mbasi vendi kaloi ma vonë në monarki (ndonse përcaktimi «Mbretnija» u shkrue gegnisht). Zogu I u shpall Mbret i Shqiptarëve.

Qenë fashistët italianë ata të cilët zyrtarizuen nji emën krejtësisht në të folmen veriore mbasi e pushtuen Arbënin më 1939. Meqë Viktor Emanueli III pandehu titullin «Re d’Albania», vendi u quejt Mbretnija e Shqipnisë. Më 1944, komunistët – thuejse tue njajtësue gegnishten me gjuhën e anmikut – krijuen Qeverinë Demokratike të Shqipërisë.

Mbasi morën pushtetin, udhëheqësit e rij venduen rendin sovjetik të qeverisjes, tue shpallë Republikën Popullore të Shqipërisë. Më 1976, Kuvendi Popullor nxori nji kushtetutë të re që përpallte fitoren e shoqalizmit. Emni i vendit u trash edhe ma me nji fjalë të huej, tue u quejtë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Me të mbaruem të diktaturës më 1991, shteti flaku tej honorifiqet e turpshme, por ruejti trajtën dialektore t’emnit, ashtu sikur që trashigoi edhe drejtshkrimin diskriminues, të cilin e kish vendue regjimi totalitar. Sod, më 2014, shteti quhet ende Republika e Shqipërisë.

Në fund, asnjana nga trajtat – gegë apo toskë – nuk asht siprore ndaj tjetrës për nga vlera kombtare. Cilëndo që ta pasqyronte drejtshkrimi zyrtar, për shqiptarët do të mbetej e njejtë. Sepse vendi dhe emni i tij u përket të gjithëve njilloj. Por se shqiptarët mund ta shkruenin emnin e vendit në të dy dialektet, ia vlen mos me e shpërfillë.

Në kët figurë kam shpjegue si mund të shkruhej e shqiptohej emni SHQIPËṆI simbas nji drejtshkrimi të përbashkët. Shkrimi asht asnjanës, kurse shqiptimi mbetet patjetër gegë ose toskë.

Germa N me pikë poshtë < Ṇ > ka vlerën e R-së në shqiptimin toskë, ndërsa paraqet nji N në shqiptimin gegë. Lexuesi vetë zgjedh nëse don me e shqiptue Ë-në ose jo. (Meqë shumica e folësve nuk e shqiptojnë, Ë-ja kishte mujtë me u mënjanue krejt. Por kjo figurë paraqet zgjedhjet ma konservatore.)

Qëllimi im nuk asht me kërkue ndryshimin e emnit zyrtar të vendit. As nuk pres që shqiptarët ta përvetsojnë parahedhjen time për drejtshkrimin e përbashkët. Ky sistem asht i koklavitun dhe vështirë i pëlqyeshëm. Por na ndihmon të mendojmë për gjuhën shqipe dhe t’ardhmen e saj.

Gjuha shqipe asht e pandashme. Ligjeronjat gegë e toskë janë degë të pashkëputuna të nji trungu. Nuk ishte e thanun që gjuha standarde të mbështetej kryekëput në nji të folme, tue shpërfillë tjetrën. As nuk asht e thanun që të mbetet ashtu. Gjuha standarde mundet dhe duhet të jetë gjithpërfshimëse. Asht koha të mendojmë si ta arrijmë këte…

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.