Zgjodha kët fjalë si shembull për nji çashtje shum ma të gjanë në drejtshkrimin e shqipes. «Dua» përban togzanorëshin -ue/-ua (dikur: -uo), që e hasim në shum fjalës të gjuhës sonë – mes tjerash, n’emna si «ftue/ftua», mbiemna si «i/e huej/huaj» e folje si «shkruej/shkruaj».
Nga dy trajtat dialektore, «dua» asht ma e përshtatshme për nji varg arsyesh historike e praktike:
(1) «Dua» asht afër trajtës së përbashkët historike «duo». Tingujt /a/ dhe /o/ shpesh i kanë zanë vendin njani-tjetrit në gjuhën shqipe. (Megjithate, i njejti argument qëndron edhe për trajtën gege, «due».)
(2) «Dua» ndigjohet edhe në të folme gege, veçanërisht në Malsinë e Madhe.
(3) «Dua» asht trajtë e gjallë. «Due» ndigjohet shum rrallë ose fare sod. Në të folmet gege, «due» asht kthye në /du:/ – me U të gjatë. (Gjuha parapëlqen trajtat ma të shkurta, por me shkrue «du» në vend të «dua» ose «due», paraqiten disa probleme tjera. Këto do t’i trajtoj në postime t’ardhshme.)
(4) «Dua» mund të shqiptohet në disa mënyra. Lexuesi mund ta shqiptojë kët fjalë fonetikisht, /dua/. Por mund të zgjedhë të thotë edhe /due/ ose /du:/.
(5) «Dua» gëzon prestigj. Shumica e shqipfolësve do të thoshin se «të dua» duket dhe tingëllon (përsa shqiptohet fonetikisht) ma bukur se trajtat tjera.
(6) Për shkak të ndikimit të drejtshkrimit standard të vitit 1972, shqiptarët prej kohësh shkruajnë «dua».
Në parim, trajta toske e togzanorëshit -ua asht ma e vyeshme se simotra gege -ue. Mirëpo trajta gege -ue mbetet e pashmangshme në shum raste. Për këto shpresoj të flas radhëve tjera.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1NfcxcB