Washington, D.C. — Se emri i despotit libian Muamer Gadafi është shkruar në plot mënyra të ndryshme, sipas lloj-lloj kuvendesash për transliterimin e arabishtes në alfabetin latin e skripte të tjera, e mësuam gati të gjithë.
Përgjigjen më të mirë për rastin e Gadafin mbase na e kanë dhënë përdoruesit e platformës Yahoo! Answers: http://answers.yahoo.com/question/index?qid=20110320074557AAeQtgr.
Mirëpo thelbi i problemit të rishkrimit të emrave të huaj ka të bëjë në radhë të parë me mospërputhjet mes alfabeteve dhe ndryshimet brendapërbrenda dialekteve të gjuhës zanafillore sa i përket shqiptimit të emrave.
Sa i përket arabishtes, dihet mirëfilli se alfabeti latin nuk është plotësisht i përshtatshëm për transliterimin e abxhadit arabik, sidomos pa përdorimin e diakritikëve. Veç kësaj, arabishtja është gjuhë e pasur dhe me të folme të ndryshme, çfarë rezulton se një tingull shqiptohet ndryshe në standard dhe ndryshe në dialekt.
Prandaj, emri i Gadafit është transliteruar në 112 mënyra të ndryshme nga mjetet e informimit në gjuhën angleze (http://newsfeed.time.com/2011/02/23/how-do-you-spell-gaddafi-the-linguistics-behind-libyas-leader/). Ndër këto forma, dallohen Gaddafi, Gadhafi, Qadhafi, Kaddafi, Kadhafi, al-Qathafi etj.
Mirëpo a ka mundësi që në shqip të përdoret një trajtë e vetme? Ka. Shqipja si rregull drejtshkrimi ka që t’i shqipërojë emrat e huaj, edhe të përveçmit.
E vërtetë, se këtë normë nuk po e zbatojmë tash kur shkruajmë emrat që kanë një formë të caktuar në alfabetin latin, si p.sh. emrat e burrështetasve amerikanë e evropianë, Barack Obama e Nicolas Sarkozy. Meqë alfabetin e përvetësuam nga perëndimi, po t’ua shqipërojmë emrat na duket sikur po u themi: Vetëm ne dimë si t’ua shkruajmë emrat me germat që i mësuam nga ju.
Emrat perëndimore përcjellin një traditë dhe norma të caktuara për paraqitjen e tyre me shkronjat latine. Por e njëjta gjë s’mund të thuhet edhe për ata emra arabë e të tjerë, t’i quajmë joperëndimorë, që në origjinal shkruhen me një skript jolatin, pa marrë parasysh sistemet e transliterimit.
Në këto kushte, shqipërimi i emrave joperëndimorë mund t’i ndihmojë drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit të gjuhës sonë, sidomos rreth njerëzve të pavendosur si Gadafi. Por s’i të veprojmë, bie fjala, për ata emra arabë që janë mishëruar në medie sipas modelit francez: të shkruajmë Zine El Abidine Ben Ali apo Zejnel Abidin Ben Ali?
Debati vazhdon…
Botu fillimisht në bllog vetjak, më 15 prill 2011
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/20jcKkr