Emrat e huaj (parte secunda)

Washington, D.C. — Një dashamir më bëri vërejtje se në diskutimin tim të fundit rreth shkrimit të emrave të huaj në gjuhën shqipe nuk kisha arritur në ndonjë përfundim të qartë. Ka të drejtë, por përgjigja rreth kësaj pune nuk është e thjeshtë. Kjo ndodh ngase edhe po t’i shqipërojmë ose edhe t’i lëmë në origjinal emrat e huaj, na mungojnë rregulla të përcaktuara rreth ndërveprimit të tyre me gjuhën shqipe në tërësi.

Drejtshkrimi i gjuhës standarde thotë se emrat e huaj duhet të shkruhen sipas modelit fonetik të shqipes. Por përveç faktit se këtë rrallëkush e bën sot, rishkrimi i emrave të huaj paraqet edhe disa probleme më themelore:

1) Shqipërimi: Nëse duam ta shqipërojmë me të vërtetë një emër, atëherë domethënë se atë ia përshtatim jo vetëm rregullave gramatikore të shqipes–si puna e lakimit të emrave që duhet të jenë të domosdoshme për çdo rast–por edhe traditës sonë. Këtu mund edhe të nisë sherri për një popull me trashëgimi aq të gjithëllojshme, por edhe me zakonin tone për mosrespektim të traditës. P.sh. emri George nga anglishtja do të duhej shqipëruar si Gjergj, por ec se thuaj tash “Gjergj Bushi” e mos prit që dikujt të mos i plasë gazi histerikisht–ose që mos me thanë dikush se është dashur të përdoret Jorgos.

2) Tejshkrimi: Shkrimi i emrave të huaj sipas parimit fonetik apo transkribimi paraqet një tjetër vështirësi. Detyra bëhet edhe më e zorshme kur kihen parasysh dallimet fonetike në mes të vetë shqipfolësve dhe preferencat dhe veçantitë personale. Edhe njëherë, si duhet të tejshkruhet emri George? Xhorxh apo Xhorxhë? Po Clinton, Klinton apo Kllintën? E Palm Beach, Palm Biç apo Pallmë Biçë? Unë nuk di nëse ka ndonjë udhëzues që sugjeron se ç’shkronjë duhet përdorur për tingujt e gjuhëve të huaja.

3) Transliterimi: Nëse emrat e huaj rishkruhen me germat e shqipes, por duke u bazuar në formën origjinale të shkruar me alfabet të huaj (qoftë edhe latin) e jo në shqiptim, atëherë kemi të bëjmë me transliterim. Në këtë rast, Klinton është transliterim i emrit Clinton; Klintën është tejshkrim. Unë nuk di nëse është botuar ndonjëherë një doracak që sugjeron mënyrat e tejshkrimit të fjalëve të huaja në shqip.

Asnjërën nga këto nuk e dimë se si duhet përdorur drejt, për të mos thënë se cilën duhet zbatuar, meqë në të shumtën e rasteve shqipërimi, tejshkrimi dhe transliterimi janë tri ecuri që përjashtojnë njëra-tjetrën.

Por kur dështon gjuhësia, atëherë përzihet politika. Në një demokraci liberale, njeriu duhet të zgjedhë vetë se si shkruan emrin e vet. Siç kam thënë më parë, “[m]eqë alfabetin e përvetësuam nga perëndimi, po t’ua shqipërojmë emrat na duket sikur po u themi: Vetëm ne dimë si t’ua shkruajmë emrat me germat që i mësuam nga ju”. E veç kësaj, shumë prej të rinjve tanë sot e njohin mirë anglishten sa u duket ugly dhe old-fashioned ideja e shqipërimit të emrave.

Prandaj, nuk është punë e madhe po të mos i shqipërojmë ose tejshkruajmë emrat e huaj në shqip. Sepse thjesht është edhe më e lehtë t’i lëmë në origjinal. Por prapëseprapë ne duhet të dimë si t’i shqiptojmë këta emra dhe t’i përshtatim sipas rregullave të gjuhës. Në të shquarën, emri francez Jacques duhet patjetër të bëhet Zhaku; por si ta shkruajmë këtë pa e prishur formën zanafillore–Jacu, Jacqu, Jacq-u, Jacques’u, Jacquesu apo tjetërqysh–mbetet çështje për t’u diskutuar më tej.

Botu fillimisht në bllog vetjak, më 16 prill 2011

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.