Huqe në të shprehur



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ata që thanë se nuk ka jashtëtokësorë, e thefshin qafën! RTK-ja na i shfaqi «xhirimet e objekteve jashtëtokësore». — Filan Fisteku

Washington, D.C. — Fjalët e emrat e shkruar e shqiptuar gabimisht janë bërë tashmë markë fabrike për të shprehurit shqip në Kosovë e më gjerë. Po flas këtu vetëm për rrethanat ku pretendohet të përdoret gjuha pa gabime. Ja dhjetë shembuj tronditës për të ilustruar gjendjen:

(1-3) Po të flasim drejt për veprimet e përfaqësuesve të popullit, druaj nëse janë njëmend duke promovuar PAQEN e lirinë. Ky koncept është ngatërruar me nocionin e ri «paqë», ndërsa disa të tjerë promovojnë paçen, sikur të kishin marrë ryshfet nga pronarët e restoranteve. Veç paçes është edhe rasoji, ai tipar i kuzhinës së Kosovës, së cilës shumë të huaj i janë ADAPTUAR, përshtatur mirë. Në këtë rast ata kanë ADOPTUAR, përvetësuar ushqimet tradicionale të vendit tonë, megjithëse dallimi ndërmjet bukës në Kosovë dhe në vendlindjet e tyre është më i madh se dallimi mes a-së dhe o-së. Unë i përgëzoj të gjithë ata që ia kanë dalë mbanë dhe kanë pranuar të adoptohen, birësohen nga Kosova.

(4) Të qenit pjesë e përditshmërisë së Kosovës kërkon edhe qërimin e informacionit, që njerëz të painformuar mëtojnë ta përcjellin. Jose Socrates (ZHOZÈ Sòkratish), si kryeministër i Portugalisë, udhëhoqi Bashkimin Evropian për gjashtë muaj, gjatë së cilëve në Kosovë u fol për «Hozé Sokratesin» dhe për «Hozé Morinjon» (José Mourinho, Zhozè Morinju), sikur të kishim një obligim për t’i kthyer emrat e tyre në spanjisht. Më mbarë do të ishte po t’ua shqipëronim emrat e t’i quanim Jozef që të dy. Që të mos i mbetet kujt hatri, të ofrojmë edhe versionin mysliman: Jusuf Sokrati dhe Jusuf Morina.

(5) Mbase, këto praktika nuk janë pa PRECEDENT. Edhe në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës u përdorën forma të shtrembërua të fjalëve me prejardhje latine: u shkrua e u lexua «presedan» në vend të precedent. Kjo do të ishte në rregull po ta kishim adoptuar theksimin francez të këtyre fjalëve—sikurse ndërmjetësja jonë serbishtja në këtë rast—por praktika në shqip flet ndryshe. Kur nuk themi kryetar, themi president e jo «prezidan»; themi parlament e jo «parlaman».

(6) Ndonëse shqiptarët e Kosovës shpesh e mohojnë këtë fakt dhe e quajnë fyerje, prania e relikteve të panevojshme të serbishtes është evidente, sidomos në radhët e autorëve mendo-serbisht-shkruaj-shqip. Është fjala për një dukuri negative MASIVE e jo «masovike», se kjo fjalë nuk e ka zanafillën në sllavisht për të pranuar si pjesë përbërëse mbaresën -ov.

(7-9) Teksa t’i përfundoj këta rreshta, do të ngarend të pi edhe një gotë rasoj për t’u mbrojtur nga viruset e gabimeve drejtshkrimore. E folmja vendëse në Kosovë përdor gati pa përjashtim K dhe G në vend të qiellzoreve Q e GJ, respektivisht. Dy germat e fundit theksohen si Ç, përkatësisht XH, në përdorim të gjuhës standarde. Megjithatë, kjo nuk është arsye për të shkruar «qikë» në vend të ÇIKËS. Këtë gabim mbase do ta bënte edhe administratori kundërthënës i Mitrovicës GALLUCCI, emri i të cilit gabimisht transilterohet në shqip si «Galluqi» e jo Galluçi. Ta mbyllim me vërejtjen e moçme të gjuhëtarëve: «ZOTËRIA» mjekërndyrë e resëtar, jo «zotëriu», e pati me marifetet e tij e më s’lodhet kush «me ia shkrue» emrin.

(10) E huqin e dhjetë, shtojeni vetë. Ecni drejt dhe bëni punë të drejtë!

Autori është student në Washington, D.C.

Botu në Koha Ditore, më 24 tetor 2008