Seguin, Texas — Kur Shqipëria nisi rrugën e saj si shtet i pavarur më 1912, “Rreth flamurit të përbashkuar” qe kënga atdhetare, që gdhendur fort mbi ndjenjat e popullit u imponua edhe në përzgjedhje zyrtare të himnit kombëtar. Ndonëse u dyshua në origjinalitetit e tekstit të Asdrenit—i cili fundja edhe i ngjason shumë atij rumun—si dhe u përçmua ideja e adoptimit të një marshi të huaj për himn kombëtar, përpjekje për të zgjedhur një himn të ri të pranueshëm kishin dështuar gjatë ekzistencën së shtetit shqiptar. Më 1998, me kushtetutën e re demokratike të Shqipërisë, Himni ynë i Flamurit u sanksionua përjetësisht.
Kësi sanksionimi mbase ishte kryer në një frymë tjetër në Kosovë, ku gjatë pushtimit serb, vargjet dhe melodia e Himnit të Flamurit ishin simbol i rezistencës paqësore e ushtarake të popullit të shtypur shqiptar. Sot, meqë Kosova u bë e pavarur mbi themelet e një plani gjithëpërfshirës për etnitë dhe kulturat e vendit, një himn i ri kërkon baraspeshë mes vlerës së rëndë të po kësaj rezistence dhe të koncesioneve për hir të aspiratave të larta kombëtare. Himni i ri i porositur me konkurs do të duhet patjetër ta përfaqësojë Kosovën, por kur është e vështirë të vihen përbri këto dy dukuri të sipërcekura, kërkohet rrugë e tretë. Për më tepër, për të mos futur ferrë në këmbë të shëndoshë, himni sugjerohet të mbetet pa tekst, vetëm vijë muzikore; pak a shumë një sigël i një serie televizive që mëton, por nuk ia del fare ta imitojë Star Wars-in. Nuk kam as edhe më të voglin shllim se si mund t’u ngjallë e përçojë ndenja atdhedashurie qytetarëve një këngë pa fjalë. Ndofta për ne ka folur mjaft e kaluara.
Duke i hedhur një sy himneve të mëdha të botës, që janë, pavarësisht nga gjykimet tona, kryevepra muzikore e letrare, druaj se zgjedhja që do të bëjë qeveria e Kosovës do të jetë më e qëlluara. Në SHBA, “Flamur xhinglosur yjesh” (Star Spangled Banner) i kujton amerikanëve luftërat e fillim-shekullit XIX për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare; në Francë, “Marsejeza” është nderim i themeleve të Republikës Franceze; në Rusi u rikthye himni sovjetik për hir të kërkesës publike, ndërkaq në Kosovë rrimë e presim çfarë do të zgjidhet prej së epërmi.
Na mbetet neve, qytetarëve të Kosovës, të bëjmë zgjidhje të duhur, megjithë ngulfatjet në një numër të vogël alternativash. Një himn me tekst, një tekst me kuptim, një kuptim patriotik, të përcjellë nga një kompozim i vërtetë artistik. E kënduar nga Mentor Xhemali, më pas edhe nga Vaçe Zela e Sidrit Bejleri, kënga “Për ty Atdhe”, me tekst e muzikë të Pjetër Gacit, ndonëse e pëlqyer nga diktatori komunist Enver Hoxha, përmban ato tipare sa për t’i ujdisur telat e planit të Ahtisaarit dhe për t’i shërbyer Kosovës për identitetin e saj shtetëror. Teksti i shkurtër e paqedashës, një panegjirik i denjë për Atdheun, nuk mban gishtin tregues mbi luftërat e ngjarjet e caktuara historike, të cilat edhe janë të shumta të përfshihen në pak vargje, por i kujton ndërgjegjes së dëgjuesit për të kaluarën e hidhur dhe i çmiston entuziazmin për sukseset e reja e reja në liri. Ky himn fjalëpakë është aq i përthyeshëm dhe lehtë do të përshtatej në çdo gjuhë që mund të kërkojë nevoja shtetërore; ka tekst që i flet secilit qytetar që e do Kosovën, pa marrë parasysh përkatësinë e tij. Duke mos dashur këtu të zhytem në një koment politik apo të marr anë në diskutimin rreth gjuhës shqipe dhe dialekteve, vetëm do të rikujtoj tekstin gegë të këngës, si shprehje e mundshme e veçantisë së shtetit të Kosovës, Atdheut!
Për ty Atdhe
ma të bukurën kangë
me fuqinë e kësaj zemre do të këndojPër këto male
për këto fusha të gjana
për këtë vend, ku sot i lumtun jetojI bukur je
ngrihesh madhështor
si nji kështjellë e pamposhtun ti qëndroNë mes dallgësh
shkamb graniti vigan
s’u përkule nga çdo stuhi e tufan
(P. Gaci)
Botu në Telegrafi.com, më 7 janar 2008
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1OcqauK