«“Mimoza, kandidat për kryetar” apo “Mimoza, kandidate për kryetare”? Si është mënyra e duhur me u shkru shqip?» më pyetën.
Por ç’domethanë shqip ma së pari? Ka dy kuptime: (1) në gjuhën e shqiptarëve; (2) kuptueshëm, troç. Tash, si kandidat edhe kandidate janë në gjuhën e shqiptarëve. Veç cila asht ma e kuptueshme?
Ma e kuptueshme, dihet, asht gjuha e thjeshtë e popullit — ate që angloamerikanët e qujnë plain language. Me shkru në gjuhë të thjeshtë duhet me u shprehë sa ma shkurt, me i përdorë fjalët ma të përhapuna, dhe mos me shkru ashtu qysh s’kishe me thanë me gojë. Me fjalë tjera, duhet me komuniku shkurt e shqip!
Simbas kësaj i bjen me thanë kështu: secili kandidat, kandidati Filani, kandidatja Filanka, kandidatët për kryetarë të komunave. Se qështu thomë kur flasim. Pra, gjinia gramatikore mashkullore asht edhe gjinia e përgjithshme; kur përdoret në përgjithsi e përfshin femnoren. Kurse trajta femnore përdoret vetëm kur subjekti asht femën, në rastin tonë për gra.
Qashtu flitet sod gjuha shqipe. Por mendoj se në t’ardhmen ka me qenë veç nji gjini gramatikore, dhe s’kish qenë keq me i pri këtij zhvillimi, përderisa nuk bijmë në sy si tekanjozë. Populli asht i primë me i kursy fjalët dhe tingujt. Gjithashtu, nuk jepet me i dallu gjanat që nuk i vyn. Kur nesër gjinia e kandidatit të bahet krejt e parandësishme, e-ja në fund t’emnit kandidat do jetë tepricë. (Madje veç ka nisë me u ba e tepërt. Sod shpesh po e ndijmë frazën «presidentja e parë grue». Kjo tregon se me thanë «presidentja e parë» sikur s’po mjafton për me e tregu gjininë e personit; mundet me qenë e para kryetare e nji shteti a organizate, jo veç e para grue n’at pozitë.)
Unë kisha me i shkuraju trajtat gjoja gjithpërfshimëse si «kandidati ose kandidatja» dhe «kandidatët ose kandidatet». Janë të tepërta, të panatyrshme, dhe shpërqendruese. Qashtu edhe konstruktet me vizëthyese si kandidat/e, që jo veç ta vrajnë synin, por s’din as qysh me i lexu. Kandidatët përfshijnë burrat dhe gratë njilloj. Këte e thotë madje Akademia Mbretnore e Spanjës në nji koment rreth seksizmit në gjuhën spanjolle, që si shqipja ka gjinitë mashkullore dhe femnore.
Qe, sod në ndërtesë të gjykatës, nji plakë m’u drejtu për ndihmë. E pyeta, «a ki avokat?» Nuk i thashë, «a ki avokat ose avokate?» Jo pse mendova me i përjashtu gratë, por thjesht i rashë trup. E këtu e zgjata tash, mirëpo me shkas!
Nji shoqni e hapun e demokratike e lufton seksizmin, dhe u jep mundësi grave shum ma shum se sa po u japim na sod. Por ajo shoqni kumton në gjuhë të thjeshtë të popullit. Kjo i bjen, me folë shkurt e shqip — ose edhe ma shkurt: shqip.
Foto: Një mural feminist në Amerikën Latine (Robin Javier, 2012)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4771