Mbi matjet e korpusit të shqipes


Avatar photo

Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.

Domeni publik i gjuhës dikur kishte raviza më të prera e të dallueshme. Sot këto dalin të vagullta, meqë shumë veprimtari, dikur gjysmëpublike, jopublike, private e intime madje, tashmë depërtojnë e nguliten madje fare në domenin publik. Me përhapjen virale të komunikimit virtual, dëshmojmë tek diktohet përherë më fort edhe gjuha prej kodeve të tij. Tek shkrihen njëra me tjetrën virtualja dhe realja, nis e tret kufiri edhe mes gjuhës së shkruar dhe të folurës. Vetë hapësira shqipfolëse vjen më e vetëdijesuar për përmasat e veta duke e shtri rrjedhimisht ndërkomunikimin mes pjesëve. Duke qenë domeni publik larg më ndërveprues e i larmishëm, vërejmë në këtë epokë prirje më të shumta drejt divergjencave në shqipen e përdorur publikisht se ç’njihnim në periudhën socialiste. Ligjësitë e komunikimit janë njëherësh ligjësi të gjuhës, ndaj modat e sotme të komunikimit bëhen moda të gjuhës. A po dëshmojmë, prandaj, shpërbërje të normave që njiheshin e zbatoheshin dikur, apo po i farkojmë edhe vetë rirregullimet në gjuhën shqipe?

Të mendojmë si planifikues të gjuhës

Një standard sa më i kapshëm për përdoruesin e sa më i përhapur në përdorim nëpër jetën publike mbetet në interesin e planifikimit gjuhësor. Prandaj modifikimet eventuale në varietetin standard kanë sukses kur bëhen jo veç ex cathedra (prej të diturish për punë gjuhe që vendosin për trajtat korrekte), por kur kjo dijeni ushqehet me informacion që marrim drejtpërdrejt nga matjet e përdorimit. Një kujdes të veçantë në matje i duhet kushtu faktit se secila njësi gjuhësore që vendosim ta masim ka tiparet e veta, shtrirje krejt idiosinkratike në sistemin e gjuhës, e prandaj duhet trajtu si e tillë.

Me e lehtësu argumentimin, ta konkretizojmë me një shembull të thjeshtë krejt. Qe p.sh., prirje e hetueshme sot në shqipen që dëgjomë edhe publikisht e jo veç në mjedise miqësore e familjare, është me e pasu foljen e ngurtësuar do nga lidhore që e bjerrin pjesëzën (do [të] vij). Kjo ndodh qoftë lidhorja e tashme, e pakryer, e kryer a më se e kryer (shembuj: do [të] vij, do [të] vija; do [të] kem ardhë, do [të] kisha ardhë). Këtë lloj risie mund ta hetojmë si njësi gjuhësore më vete. Meqë njësia shfaq tipare me e mbajtë ose bjerrë pjesëzën, ta shënojmë atë si një ndryshore me dy variante: [do+lidhore me pjesëz dhe do+lidhore pa pjesëz]: Moda për bjerrje të pjesëzës po e prek njësinë në gjithë strukturën e mësipërme gramatikore. Kjo nënkupton se nëse dikur në planifikimin gjuhësor synojmë ta paraqesim variantin pa pjesëz si risi normative, do ta bënim këtë në krejt strukturën e prekur.

Kur kemi të drejtë me ia sugjeru risinë normës standarde? A janë vendimet vërtet shkencore realisht të mundshme? Përgjigjet varen fillimisht nga hetimi i përhapjes së risisë. Pra nga matjet. Çka masim? Nëse masim ç’raport përhapjeje ka varianti [do+lidhore pa pjesëz] në raport me [do+pjesore me pjesëz], a masim vetëm përdorime të caktuara? Fjala vjen, veç përdorime që dalin nëpër botime e publikime institucionale, zyrtare, në gjuhë standarde? Apo masim madje edhe përdorime nëpër komente portalesh e rrjetesh sociale? Varet se sa demokratik e duam standardin, në kuptimin e gjithëpërfshirjes nëpër gjeografinë dhe hierarkinë e kulturës që me standardin e shqipes shërbehen. Do pasë parasysh edhe fakti se, nëse vartësve standardin ua ngarkojmë dhe kërkojmë nëpër shkolla dhe institucione zyrtare e publike, atëherë niveli i përdorimit të standardit prej tyre na intereson. Na interesojnë shpërputhjet që shfaqen mes përdorimit të gjuhës së shkruar prej tyre dhe standardit vetë. Në rastin e konkretizimit të këtushëm, na intereson që ndryshorja në fjalë [do+lidhore me/pa pjesëz] të jetë e përfaqësuar edhe në gjuhën standarde me variantin mbizotërues në përdorim përbrenda gjithë kësaj kulture. Kështu sigurohemi që të mos imponojmë variant të ndryshores që shkon ndesh me prirjet mbizotëruese të vetë përdorimit.

Raporti mes planifikuesit e përdoruesit nuk mund të jetë ai i njëanshmi i imponimit të vullnetit të njërit mbi tjetrin. Një standard që synon ta shtojë shkallën e përdorimit dhe numrin e përdoruesve, do t’i marrë parasysh prandaj veç përdorimet, cilatdo qofshin e nga kushdo qoftë, e jo përdoruesit vetë. Kështu sigurohemi që me matje të mos i paragjykojmë përdoruesit për trajtat që gjenerojnë.

Në shembullin konkret, nëse masim përpjesën e shfaqjes në përdorim ndërmjet:

[do+lidhore me pjesëz] dhe [do+lidhore pa pjesëz]

regjistrojmë çdo paraqitje të pjesëzës brenda kësaj sintakse në krahun e majtë dhe çdo mungesë të saj në të djathtë. Madje kështu pavarësisht prej “higjienës drejtshkrimore” të vetë mostrave që i hetojmë. Prandaj, “do të bëjm”, “do të bojm” “do bejm” “do bajmë” janë të gjitha mostra të vlefshme, sepse secila na e jep krejt qartë informatën që po ia hetojmë përdorimit: prirjen e ndryshores me e bjerrë ose jo pjesëzën .

Ta zëmë se mblodhëm disa miliona mostra nga ligje, gazeta, romane, botime, portale, shkresa zyrtare, tekste këngësh, e çfarëdo lloj botimesh e publikimesh që mund t’i mendojmë e masim, në një kërkim shterues që e kap mirë botën shqipfolëse në koordinatat horizontale e vertikale, pra në gjeografi shtrirjeje dhe hierarki përhapjeje. Kjo detyrimisht se na e ndriçon dhe informon pastaj vendimin. Nuk është asnjëherë e mundshme të kufizohemi vetëm në mostra që mbledhim nga tekste në shqipen standarde. Kjo sepse ndonjëherë nuk është e lehtë të përcaktohet mirëfilli sa standarde është shqipja nëpër ato tekste. Sa me e pru ndonjë ilustrim, romanet e Ben Blushit a të Rudina Xhungës e japin herë njërin e herë tjetrin variant të ndryshores në fjalë. Kuptohet, këta kurrsesi nuk janë të vetmit. Kuptohet po ashtu se nuk krijojmë kurrfarë gjykimi për Blushin a Xhungën, e madje as për secilin përdorim jostandard të ndryshores në fjalë në tekstet e tyre (do vij). Ajo që po bëjmë është se po e masim përpjesën mes dy varianteve të ndryshores dhe asgjë tjetër; paragjykime të çfarëdo natyre nuk na duhen. Sepse, rikujtojmë, me këtë matje synojmë të kuptojmë nëse përdorimi më gjithëpërfshirës dhe standardi aktual në këtë pikë konkrete (pra tek kjo ndryshore gjuhësore) janë në sinkron ose jo. Me fjalë të tjera, më fort priret me u bjerrë apo me u mbajtë pjesëza në përdorim?

Ç’dëftojnë matjet?

Le të supozojmë se përpjesa mes dy varianteve të ndryshores që po hetojmë është 70% variante me pjesëz dhe 30 % pa. Ç’na thotë kjo përpjesë? Së pari, na njofton se tri nga dhjetë takimet që syri ynë lexues kolektiv ka me këtë njësi janë variante të ekonomizuara (do vij). Është nga njëra anë e hershme që risimin e shkurtuar (ndryshoren pa pjesëz) t’ia sugjerojmë shqipes standarde, sepse edhe përdorimi, i matur krejt krudo, përligj variantin standard (do të vij).

Çka nëse gjetjet e matjeve japin përpjesë 70% : 30% në të mirë të variantit të shkurtë (do vij)? Kjo d.m.th. se prirja ekonomizuese e ka pushtu përdorimin. Madje edhe në mos qoftë i pranuar zyrtarisht si variant standard, varianti i shkurtë ka ça tutje në përdorim, dhe kjo përqindje e lartë evidentimi të tij dëfton se ai depërtu ndjeshëm në gjuhën e shkruar, e madje pandehet për variant standard nga një numër i madh përdoruesish. Ndryshe, varianti nuk do ta dëshmonte një përqindje kaq të naltë në matje. Pra nëse nga çdo dhjetë matje të ndryshores, shtatë dalin me variante të shkurta (do vij), pasi kemi hetu në gjithë atë mori tekstesh, kjo është pikërisht sepse këto tekste janë të ngopura me të tilla variante të shkurta; ligjet, botimet, tekstet shkollore, shkresat zyrtare, portalet e çkado tjetër që masim.

Nëse zyrtarisht ende nuk kemi shpallë variantin e shkurtë si normativ, kjo për përdorimin vetë as nuk ka rëndësi fare. Përqindja kaq e lartë e shfaqjes së variantit të shkurtë dëfton se pakkush heton diçka jonormative tek ky variant. E në gjuhë, si në jetë, “gabimi” i bërë prej shumicës shndërrohet në rregull. Kjo sepse njësia gjuhësore, kësisoj e ndryshuar, kryen për bukuri brenda bashkësisë folëse detyrën që i ngarkohet: komunikon si shenjues. Me thënë a shkrujtë “do vij nesër”, informatat morfologjike, sintaksore e kuptimore që fraza ngërthen, përçohen të plota nga dhënësi te marrësi, pa ia pasë hiç nevojën pjesëzës .

Kur përligjemi shkencërisht që variantin e shkurtuar (do vij) t’ia paraqesim standardit? Atëherë kur përpjesa nga matjet na del 50% me 50%. Dhe qe pse: këtu argumentet për njërin ose tjetrin variant të ndryshores janë krejt të barasvlefshme. Kjo përpjesë dëfton se as përpjekja e gjuhësisë normative për ta shkuraju variantin e shkurtë jostandard të ndryshores (do vij) nuk ka dhënë rezultat e pritura që ta mbajë këtë të nënrenditur në përdorim. As përqindja që mbush korpusin me “do të vij” e as ajo që e mbush me “do vij” nuk kanë ndonjë epërsi mbi tjetrën. Prandaj argumenti për ta mbajtë variantin e gjatë është po aq i vlefshëm sa ai për ta pranu të shkurtin. Kësisoj, në rast të kësaj përpjese kështu të baraspeshuar, s’mbetet tjetër veçse me i përligjë të dyja variantet në standard. Fundja, kemi tashmë informacionin se përdorimi është siguruar që syri ynë kolektiv në çdo dhjetë paraqitje të ndryshores, t’i lexojë nga pesë të gjata e pesë të shkurta. Po ashtu, vendimin e mbështetur mbi rezultate do mund t’ia paraqisnim çdo lloj kritike.

Që nga përpjesa 51% e tutje në të mirë të variantit të shkurtë, përligjet normimi vetëm i tij. Kjo për disa arsye:

    1. Varianti i shkurtë është më ekonomik;
    2. Në raport me të gjatin kundrohet si më i kohës (e reja kundrejt të vjetrës);
    3. Më kosto-efektive për paren publike është
      me e mbajtë si variant normativ sesa me e luftu si jonormativ.

Zgjedhja e dytë kish me shpenzu mund, kohë dhe mjete (publike detyrimisht) për ta ngjitë variantin më pak ekonomik dhe me prani 49% në përdorim përmbi variantin më ekonomik me 51% prani.

Si të masim?

Matjet, sa më të sofistikuara, aq më të sakta. Sot për sot matje të mirëfillta në shqip nuk kemi. Na ofrohen, asgjëmangut, disa mënyra matjeje që deri diku na e informojnë vetëdijesimin për prirjet. Një gjenerim matjesh bën web-corpora.net. Mundësitë për matje këtu janë vërtet më të mirat që aktualisht ka interneti, porse vetë korpusi hë për hë mbetet fort i vobektë.

Të marrim një ndryshore sa për matjet. Hetojmë sot edhe rrugëve të Prishtinës afishe pronash që pronarët i japin me qera. Huazimi turk qira del i shkruar me e gjithnjë e më shpesh. Realiteti shoqnogjuhësor i Kosovës nuk e njihte këtë shkrojtësi të fjalës veç para disa vjetësh. Dimë se prirja ka nisë në Shqipëri dhe shohim se po përhapet edhe në Kosovë. Meqë në webfaqen “Korpusi i gjuhës shqipe” gjetjet për “qera” na japin edhe raste varianti shkrimor të fjalës “tjera”, matjet mund t’i saktësojmë e t’i ngushtojmë vetëm për frazën “me qera”. Kjo sepse kërkimi nëpër korpus mundësohet edhe me dy fjalë njëkohësisht (madje të njëpasnjëshme ose jo). Mund të saktësojmë edhe nëse fjalët që po i kërkojmë, të parën e/o të dytën, duam ta gjejmë nëpër korpus si fjalëformë ose si lemë. Gjetjet mbasandaj i kontrastojmë me ato të frazës “me qira”.

Matje kreative llojesh të ndryshme nga web-corpora.net janë vërtet të mundshme. Megjithatë, nga datat që shfaqen përposh çdo gjetjeje, bie në sy se korpusi do të jetë mbushë deri në vitin 2013, mbasi asnjë gjetje nuk del nga ndonjë e dhënë më e freskët se kaq. Kjo dikton edhe varfërinë e korpusit dhe pamundësinë e hetimit të prirjeve më të freskëta. Megjithatë, me aq sa mat, korpusi i këtushëm na jep 231 gjetje nga 160 dokumente të variantit “me qira” dhe 27 gjetje nga 19 dokumente të “me qera” (matjet më 26 gusht 2015).

Një tjetër mundësi matjesh, më rudimentare dhe larg më të përgjithësuar, na jep Google.com. Google nuk është motor kërkimi për matjet e korpusit të shqipes dhe prandaj një kërkim për një vargim germash si “qira” ose “qera” s’do mend se do të vjelë shum gjetje që nuk janë të shqipes fare. Google-in mund ta “nënshtrojmë” herë-herë që të kërkojë dhe të gjejë vetëm në shqip. Në ndryshoren që po hetojmë na intereson realisht vetëm zanorja e theksuar, priret më fort drejt e apo i?

Fjala qira nuk prek shum në strukturën e mëtejshme gjuhësore, duke mos qenë më shum sesa një njësi leksikore. Por edhe si e tillë, formon fjalë më të përbëra. Fjalori i fundit (2006) i shqipes na jep këtë pasqyrë: qira, qiraxhi-e, qiraxheshë, qiradhënie, qiradhënës-e, qiramarrje, qiramarrës-e. Një kërkim në Google mund ta bëjmë pikërisht me këto fjalë të përbëra që do të na garantojnë vetëm gjetje prej shqipes (si qiradhënës p.sh.), bile pa u kufizuar veç në fjalëformën e vetë lemës. Qe një tabelë me disa matje të tilla nga Google. Ndryshojmë vetëm zanoren që hetojmë, gjithçka tjetër mbetet e njejtë:

gazi-matjet-qira-qera

Matjet me Google konfirmojnë të dhënat nga web-corpora.net e që na informojnë se ndonëse prirja me e po përhapet, duket ende e nënrenditur në përdorim. Të paktën aq sa është për t’u besu korpuseve dhe dy llojeve të matjes që bëmë këtu.

Gjuha – përherë në ndryshim

U përpoqëm me e ndriçu shkurtimisht mënyrën se si mund të përditësohet standardi në rastet e kur varianti i ri sfidon variantin tashmë standard të një ndryshoreje gjuhësore. Kuptohet, nuk është se risimet futen vetëm në trajtë variantesh të ndryshoreve, por është e qartë se sistemi gjuhësor, e madje edhe ai standard, ndryshojnë vazhdimisht. Shkaqet e ndryshimit gjuhësor nuk është se njihen krejt e mirëfilli. E dëshmojmë megjithatë prirjen për ekonomizim nëpër gjuhë e periudha të ndryshme si prirje universale. Kërkohet, nga ana tjetër, duke qenë gjuha një organizëm përherë në ndryshim, mirëmbajtja e vazhdueshme e saj. Me sofistikimin e mjeteve të matjes së gjuhës sofistikohet edhe vetë mirëmbajtja.

Mbetet prandaj në interesin e drejtpërdrejtë të botës shqiptare dhe detyrë e ngutshme në planifikimin e mëtejmë gjuhësor me i sofistiku mjetet e metodat e matjeve. Kuptohet, mekanizmat matës nuk mund të jenë të ndryrë brenda institucioneve shtetërore, por duhet të jenë të disponueshëm online dhe prandaj të qasshëm e të përdorshëm prej gjithkujt që ka interes me u marrë me matjet. Veç kështu sigurojmë transparencë, besueshmëri dhe gjithëpërfshirje. Sigurohemi kështu që prirjet më të përgjithshme t’i sistemojmë në gjuhën standarde dhe zvogëlojmë hendekun mes përdorimit dhe standardit.