Një prej gabimeve më ngjethëse (dhe më të pafalshme) është presja që gazetarët harrojnë me e qitë pas emrit të kryetares. Një lajm i rëndomtë në një portal shkruan “Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar ambasadorin . . . .”
Qe pse? Presja tregon ku duhet me bë një pushimth gjatë leximit. Provo lexo: Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar ambasadorin . . . .” A nuk të jepet me u ndalë si para emrit Atifete, ashtu edhe pas mbiemrit Jahjaga?
Presja në këtë rast shërben si një lloj kllape. Është gati si me thënë: “Presidentja e Kosovës (Atifete Jahjaga) ka takuar ambasadorin . . . .” Dallimi i vetëm është se tekstin mes kllapave e marrim për më pak të rëndësishëm. Dhe zakonisht, emrin e kryetares nuk jemi mësu ta shohim të shkrum ashtu.
Por krahasimi qëndron. Presja, sikur kllapat, paralajmërojnë një ndërmjetëz (parantezë). Prandaj duhet me vu presje aty ku vejmë edhe kllapën mbyllëse.
Shkruaje: Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar . . . .
Gramatikisht, emri “Atifete Jahjaga” nuk është i domosdoshëm. Kur bëjmë llaf me shoqëri, me shum gjasë themi: Fëtigna për ministren e brendshme të Maqedonisë. Pikë. Nuk ia përmendim fare emrin Jankulla Gordanovska. Sepse shokët e tu janë sikur ti. Edhe ata ndodh që mbajnë një poster të ministres në dhomë të gjumit.
Por gazetarët nuk shkruajnë vetëm për dosta. Ata patjetër se duhet t’ia përmendin emrin si prijatares si ministreshës.
(Dardania njëherë pat pasë edhe dy kryeministra në të njëjtën kohë. Paramendo sikur t’i hulumtoje sot gazetat e vitit 1999, dhe të gjitha të shkruanin: Kryeministri ka takuar… Kryeministri ka vallëzuar… Kryeminstri kështu, kryeministri ashtu! Por të mos e dallonin Hashim Thaçin nga Bujar Bukoshi. Dikur këta kanë qenë rivalë, jo anëtarë të një kabineti!)
Me fjalë tjera, nëse përmend një emër ose fut një ndërmjetëz vetëm sa për të mos i ngatërru të panjoftuarit, shtoje qat presje. Mos të dhemb dora.
Ose hiqe presjen fare. Anglishtja shpeshherë nuk e përdor presjen nëse nuk e lehtëson kushedi sa leximin. Për shembull, do dukej më bukur me shkru pa presje një frazë si “Presidentja kosovare Atifete Jahjaga.” Mirëpo, nëse vendos me përdorë një “virgyl,” duhet ta shtosh dhe tjetrin.
Tash, jo gjithmonë duhen dy presje. Shenja e pikësimit nuk përdoret në këtë rast: “Presidente e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar . . . .”
Këtu emri i kryetares nuk është më ndërmjetëz. Për dallim nga fjalia e mëparshme, tani kryefjala nuk është “Presidentja e Kosovës,” por “Atifete Jahjaga.” Nëse e heqim, fjalia mund ta humbë kuptimin. Prandaj nuk e pasojmë me presje. Do të ishte njësoj sikur me thënë “Hasani, është djalë i mirë.” (A s’po duket si me veshë gujë në pikë të verës?)
Por ne mund ta heqim pjesën hyrëse “Presidente e Kosovës.” Sepse kjo tash është pak a shum si ndërmjetëza. Ka për qëllim vetëm me dhënë një shpjegim ndihmës a anësor për udhëheqësen dardane.
Për fund vetëm kujtoje ndonjë përrallë. Thuaj: Ajkuna, e motra, i rrinte Omerit te kryet. Bën edhe: Atifetja i rrinte Omerit te kryet. (Gojëdhëna është pak më ndryshe, e di, por s’po gërzhitem.) Kurse: Me lot në sy, Ajkuna qante Omerin.
Tash mendo se me ç’shenjë pikësimi ke me iu turrë bajlozit?
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1kXKofm