“Pse ‘sod’ e jo ‘sot’? Pse ‘asht’ dhe nuk ‘është’?” Nëse ndonjëherë të ka shku mendja me më pyetë, nuk je vetëm. Më kanë pyetë shum vetë para teje. Dhe meqë përgjigjet e shkurta që i kam përsëritë sipas nevojës nuk kanë vyejtë njëlloj për secilin, mendova t’jua laj borxhit të gjithëve përnjëherë. Andaj, qe shqip një mbrojtje e hollësishme për mënyrën si i shkruaj unë dy fjalët e rëndomta të gjuhës sonë.
Që të ma kesh hatrin, në këtë shkrim do i shkruaj ato fjalë si “sot” dhe “është.” Por një arsye me i shkru “sod” dhe “asht” është sepse ashtu i shqiptoj në të folmen e përditshme. Për më tepër, kujtoj se ato trajta janë me vend edhe për arsye shkencore. Variantet “sod” dhe “asht” janë më afër rrënjëve të shqipes, më të përshtatshme për shqiptim ose na kursejnë nga rregullat dhe germat e tepërta.
sod a sot
Fjala “sod” është shkrirje e dy fjalëve: tingujt /so/ vijnë nga fjala e parashqipes për “këtë” dhe /d/ nga tingulli i parë i fjalës “ditë.” Njëlloj është formu edhe fjala “sonte” (nga “këtë” + “natë”). Kështu, historia e “sod”-it na tregon se dikur kjo fjalë mbaronte me një bashkëtingëllore të zëshme – /d/. Por më vonë, disa të folme të shqipes e shurduan /d/-në, duke e kthy në /t/.
Tingujt /d/ dhe /t/ janë të njejtë përveçse /d/-ja është e zëshme, kurse /t/-ja e shurdhët ose e pazëshme. Dhe në mënyrë të ngjashme me /d/-në në fjalën “sod” janë shurdhu edhe bashkëtingëlloret në fjalë të tjera të shqipes. Këto ndodhen zakonisht në fund të fjalëve dhe në të folmet toske: p.sh., zog > zok (por zogu), vënd > vënt (por vëndi). Por ka shembujt edhe të shurdhimit në mes të fjalës dhe në dialektin gegë (p.sh., lugth > lukth).
Përveç kësaj, vazhdoj me shkru “sod” edhe pse e përdor shpeshherë mbiemrin “i/e sodit” (që dmth. i/e sotme ose sotshme). Në gjuhën e folur, unë nuk e kam hasë trajtën “sotit”; kam dëgju vetëm “sodit.” Kështu pra, me “sod” arrij t’i përfshij të gjitha rrjedhojzat e mundshme të asaj fjale pa pasë nevojë me mësu rregulla e përjashtime rregullash se ku duhet me shkru ‘d’ e ku ‘t’.
asht a është
Dikur trajta “asht” shkruhej me një theks kulmor mbi germën ‘a’ – pra, “âsht.” Shkencërisht, përdorimi i â-së paraqet më saktë shqiptimin në të folmet e veriut. Por për arsye kursimi e thjeshtimi, tradita letrare gege prej kohësh nuk përdor më shenjat e theksit, pos në raste të rralla.
Ndonëse jam peng i kuvendesës ose konventës që ka largu nga përdorimi thekset, unë më parë do shkruaja “âsht.” Sepse /a/, /â/ dhe /ë/ janë tre tinguj të ndryshëm, ashtu siç janë të ndryshme /ç/ dhe /q/, të cilat i dëgjojmë të ngatërruara ndër shqiptarë. Njëherit, grafema ‘â’ përkon me /ë/-në e theksuar të toskërishtes. Dhe kështu, mund t’ia lëmë lexuesit të zgjedhë në do ta shqiptojë atë germë si /â/ gege ose si /ë/ toske dhe i përfshijmë njëkohësisht të dy dialektet.
Trajtat që i përdorim tash – “është” në dialektin standard dhe “asht” për gegnisht – sikur i përjashtojnë zgjedhjet e mundshme në shqiptim. Për shqiptarët që nuk i kanë zanoret hundore ose /ë/-në e theksuar në të folmet e tyre amtare është shum vështirë edhe sot t’i shqiptojnë lehtë dhe natyrshëm ato. Prandaj, nuk pajtohem që shkrimi ta përcaktojë një shqiptim të vetëm.
Unë do zgjedhja një shkrim më pak fonetik. Pse të mos lexohet ‘a’-ja në “asht” edhe si /ë/, siç ndodh, për shembull, me ‘a’-në e anglishtes në fjalën “America”? Kjo mund të mos jetësohet në shqip. Megjithate, shum prej atyre që i lexojnë postimet e mia në Facebook e kanë më lehtë me shqiptu trajtën “asht” sesa “është” (qoftë dhe atëherë kur variantin /asht/ e shqiptojnë jonatyrshëm dhe e bëjnë të tingëllojë si àsht apo kockë).
Veç asaj, me “asht” e kam më të lehtë luftën me teknologjinë. Ndonëse unë përdor ‘ë’-në saherë shkruaj me komputor, tastiera e smartofonit dhe pajisjeve tjera elektronike nuk më lejon me shtypë ‘ë’-në as me dyfishin e mundit që ma kërkon për germën ‘a’. Ka gjasë të mos ma lejojë ‘ë’-në fare.
Por ka dhe arsye tjera më pak të koklavitura që mbështesin trajtën “asht.” Së pari, është më afër shqipes së vjetër, dhe së dyti, i përmbush më lehtë nevojat për kursim, tu mos i shkru germat e tepërta që nuk shqiptohen.
Kështu, trajta “asht” bëhet edhe më e vjetër se “është,” por edhe më e re. Është më e vjetër, sepse shqipja e vjetër kishte një /â/ në fillim të fjalës. Fillimisht thuhej /âshtë/; toskërisht u bë /ësht(ë)/ dhe gegnisht /âsht/. Mirëpo trajta që kam përdorë është njëkohësisht e re, meqë e lë anash ë-në fundore, germën e patheksuar dhe pa kurrfarë funksioni në gjuhën moderne. Ky kursim është i pëlqyeshëm, kam bindjen.
nesër
Në fund, duhet ta pranoj: gjasat që trajtat “asht” dhe “sod” të gjejnë përdorim të gjërë ndër shqiptarë janë shum të vogla. Por disa prej pikpamjeve që i shtjellova këtu do të ndikojnë pashmangshëm në gjuhën shqipe. Ky s’është vetëm mendimi im. Gjuha shqipe e shkruar do të jetë më gjithpërfshirëse, do të thithë më shum nga dialekti gegë dhe do t’i nënshtrohet zhvillimeve në të gjitha të folmet pa dallim.
Sepse, tek e mbramja, kjo është çështje që i prek të gjithë shqiptarët. Folësit e shqipes janë të prirë drejt një gjuhe të shkruar kursimtare që përkon sa më shum me gjuhën e folur dhe me sa më pak rregulla që duhet me i mësu. Kështu, populli ka pak gjasë të pranojë rregulla të reja që i zëvendësojnë ato tashmë të vendosura mirë; është mësu me “sot” dhe s’ia mbush syrin “sodi.”
Mirëpo, populli e mirëpret ndryshimin që thjeshton ose i pakson rregullat. Ashtu na mbeten më pak rregulla që duhet me i mësu. Me “sod” dhe “asht” mund të mos ndihmojmë gjë. Por shqipfolësit do i gëzoheshin shkrimit ndryshe të ndonjë fjale, kur është më lehtë me e shkru ashtu. Pse, pyesin studiuesit, duhet shqiptarët të mendojnë përherë se “lojë” dhe “gjuhë” shkruhen me ‘ë’ në fund, por “gjuhëtari” ruan ‘ë’-në, ndërsa “lojtari” jo? Pse duhet me shkru “gjerë,” ndërsa shqiptarët gjithandej thonë /gjërë/ (ose /gjânë/)?
Gjuha e folur shkon gjithmonë nga kursimi. Ashtu siç duan të mbajnë mend më pak rregulla, folësit mundohen gjithashtu të thonë atë që kanë ndërmend tu përdorë sa më pak fjalë dhe sa më pak tinguj. Qe pse gegët e toskët – madje edhe ndër të folmet më konservatore, në Dibër a Kolonjë – çdoherë e më pak e shqiptojnë ë-në në fund të një fjale. Qe pse dhe një vlonjat e përvetëson sot trajtën e paskajores “me punu,” që është më e shkurtë se “për të punuar.”
Disa nga këto thjeshtime, unë kam pasë guximin t’i përbrendësoj në shkrimin tim qysh moti. Qoftë dhe atëherë kur nuk ndjek domosdo traditën letrare gege, unë do të krasit aty-këtu ndonjë ‘ë’ të tepërt që është fosilizu në dialektin standard. Shkurtoj po ashtu edhe pjesoren, nga “punuar” në veç “punu,” dhe përdor këmbyeshëm pjesëzat “duke” dhe “tu.” Pastaj, mosozo të ma ndalojë kush paskajoren (“me punu”), që mund të jetë mënyra e vetme me thënë saktë ndonjë gjë.
Në mënyrën si shkrova këtu sot ka gjasë të shkruajnë të gjithë shqiptarët nesër.
Krejt në fund, folësit vrapojnë edhe pas prestigjit. Për ndonjë arsye a tjetër, shumçka nga dialekti standard gëzon namin e së bukurës e së dëshiruarës ndër ne. Gjasshëm do të vazhdojmë me shkru për vendin “e zhvilluar,” ani pse me i thënë “i zhvillum” është pak më shkurt e ndoshta pak më lehtë. Por prestigji vetëm s’do vyejë me rujtë krejt normën e vjetruar, ndërsa shqipja e popullit bëhet më praktike dhe folësit e saj më të pasur e më të ngritur në shoqëri. Shumçka në gjuhën e shkruar do të ndryshojë, duke e bë atë më të thjeshtë e më praktike.
Shqipen para njëqind vjetësh shpresonin ta zhduknin. Sot është gjallë. Dhe nesër mund ta bëjmë vërtet gjuhë për lakmi.
Ky shkrim u botua fillimisht në Gazetën Tribuna më 26 korrik 2014.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=410