Sami Frashëri vendin tonë e ka quejtë toskërisht Shqipërija. Gjergj Fishta e ka quejtë gegnisht Shqypnija. Pullat e para postare kan shkrue Shqipënija. Në gjuhën e njisueme zyrtare u ba pastaj Shqipnija.
Shqip ka shum emna si Shqipní e bukurí, Koré e rrufé, gjâ e sevdá, Pírro e Marigó. Këta mbarojnë me zanore në trajtën e pashqueme. Kur shquhen, rregulla e moçme thotë se duhet me ua shtue mbaresën -ja.
Shkruhej pra: Shqipnija e bukurija, Koreja e rrufeja, gjaja e sevdaja, Pirroja e Marigoja. Ngjashëm përdorej j-ja edhe në rasat tjera të trajtës së shqueme: prej Shqipnije e bukurije!
Traditën e kishin nisë qysh moti, siç e ceka, penat e mëdha të shqipes. Kurse rregullën e vuni në letër Komisija Letrare Shqipe më 1917.
Për kët punë ka gjasë të kenë mendue edhe më 1908 në Kongresin e Manastirit, i cili e vendoi dygermëshin nj.
Për mos me ngatrrue nj-në me n-j, Kongresi lejoi që i-ja me shërbye për tingullin j në fjalë si gjermane–gjermania. Ky përjashtim nuk shkaktonte telashe, ndërkohë toggermëshi -ij dallonte qart kur përmendej gjermania e kur Gjermanija.
Tek vonë, mbas Luftës së Dytë Botnore, regjimi komunist vendosi me e heqë j-në prej fjalëve si Shqipëria. Por mbetën Koreja, rrufeja, dhe Marigoja.
Shtrohet pyetja: Pse kjo çoroditje?
Ndërsa komunistat shqiptarë i kishin punët mirë me Beogradin, të shkruemit Shqipërija ua bante emnin e vendit ma të përafërt me Jugoslavija. Mbaresa -ija e shqipes s’kish rrjedhë prej sllavishtes, por qe nji ngjashmëni i afronte dy gjuhët.
Enver Hoxha me shokë veç kishin zgjedhë me folë për “socializëm” — o në daç ma sërbo-kroatisht: socijallizam — ani pse shqip ma natyrshëm i bjen shoqnorizëm. (Nga latinishtja socius, shqip ka dalë shok e shoq, ndërsa social asht kthye në shoqnor e shoqëror.)
Por miqsija Tiranë–Beograd nuk zgjati shum. Shqipnija u lidh me Stalinin. Dhe gjuhët neolatine duket të kenë gëzue ma fort prestigj ndër “internacionalistat” shqiptarë e sovjetikë.
Shqipnija edhe emnin e kojshiut e thoshte simbas modelit moskovit. S’e shkruente dot Sërbija, që kish me qenë shqiptimi i saktë sërbisht dhe i natyrshëm për shqiptarët fqij, por Serbija e pastaj Serbia, si në Moskë a në Vostoçnij-Berlin.
Frangjishtja, që falë mendjemadhsisë së mafistokracisë ruse e kish frangjeshë rusishten për shekuj, po e shminkonte tash edhe shqipen.
Vetë diktaktori shqiptar ish sorrollatë nëpër Francë e Belgjikë për disa vjet. Siç kujtonte Xhafer Deva, ministër i mbrendshëm gjatë Luftës Botnore, “Na bërtitëm shqip, ‘o Balli Kombëtar, o Balli Kombëtar’; kurrkush s’na ndigjoi. Erdh Enver Hoxha prej France, foli frangisht ‘Fronti Nacional’; të gjithë i shkuen mbas.”
Por as italishtja s’ish heqë prej skene. Shum prej komunistave shqiptarë ishin arsimue në nji kohë kur ndikimi e ma vonë pushtimi italjan diktonte gati krejt zhvillimin shoqnor në Shqipni.
Madje Kongresi i Drejtshkrimit më 1972 u tregue fort zemërgjanë ndaj italishtes. Ndërsa anglishtesat si Virxhinia Biç u “shqipëruan,” mbetën të shkrueme gati si në zanafillë petullat neolatine si Virxhinia, Italia, italian, mobilie, revolucion, etj. Për vendasit, megjithate, u shkrue matjan, hasjan, ose hajvan.
Kjo mendësi mbërrijti qebesa ma larg se rregullat e italishtes: nga Italia morëm italianen, kurse Evropa na pruni çoroditshëm evropianen. Stërkorrigjim e gjysë! Veç dorën në zemër, ka mujtë me qenë edhe ma keq. Ta zamë, europeo!
Tirana vuni rregullat tirane të drejtshkrimit pa mendue se do gjejshin zbatim ndonjiherë jashtë kufijve të Shqipnisë Londinare. Veçse n’at mot të mbrapshtë, megjithate, shqiptarët nën Jugosllavi venduen me e ndjekë regjimin enverist n’emën të bashkimit kombtar.
Rregulla që ij-në e bante i do të ketë gëzue jo pak ithtarë në Dardani e vise tjera jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë. Për këta, e randësishme ish që shqipja të dallonte sa ma shum prej sërbo-kroatishtes.
Me gjasë, kjo përpjekje e shpëtoi edhe shqipen pa u shkrue me germa qirilike. Pipzat ma të fuqishme të standardit 72 u banë politifozat e Enverit, që s’kishin lidhje me gjuhsi. Sikur Titoja ta ndalonte qirillicën, stalinistat tanë do e kishin kërkue mu at alfabet që shoku Stalin ua mpononte popujve të Bashkimit Sovjetik.
Mbas kaq shum dekadash, asht vështirë me iu thanë shqiptarëve me ndryshue diçka. Jo pak njerëz jan mësue me iu folë Shqipëria pa j. Por këtu s’po bahet fjalë veç për nji shkronjë; jan në pyetje gjuha e mendësija jonë si komb.
Shqipëria pa j asht nji nga rregullat e standardit flakënxitës të gjuhës shqipe. Hartuesit i quejtën norma shkencore. Shkencëtarët e paanshëm i nxjerrin si arsyetime të tekave të pushtetit komunist.
Sipërmarrësi Steve Jobs e kish pasë nji zakon të çuditshëm. Miqtë e tij kujtojnë se kish hangër thuejse të njejtin ushqim për kah nji javë rresht. Kur e kishin pyetë pse, iu kish thanë: Trupi po më merr erë të keqe me ba me i përzi ushqimet.
Megjithë të metat që i ka pasë, Jobsi ka qenë ma i meçëm sesa me dhanë nji arsyetim të tillë qesharak. Por ai vetëm po arsyetonte nji tekë të tij, që ndoshta e dinte se ishte gabim.
Ma shum se themeluesin e Appleit, megjithate, kjo mesele ma kujton mendësinë zgjidhemerr të shoqnisë sonë. Kështu bajmë jo veç me drejtshkrim. Patjetër do e arsyetojmë nji tekë, edhe kur s’e kemi mirë — edhe kur shkon kundër rregullave që vejmë vetë. Me fjalë helene, kësaj i thonë hipokrizi. Shqip kish me i ra dyfëtyrësi.
E sa flasim për fëtyrën (latinisht: factura), dostat e Jobsit kujtojnë se ai kish hangër qaq shum karrota njiherë saqë edhe surrati ia kish nisë me i marrë ngjyrë. Të shangarreptë. Portokallí.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1MlQcVF