Zëvendëse apo zëdhënëse?



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Aq e zonja është motra e Kim Xhongunit, e zëvendëson gjasshëm krejt partinë. Qe shqip çka po thonë portalet për diktatoreshën:

Kim Jong Yo deri më tani është paraqitur në mediat shtetërore si zëvendëse e Partisë së Punës, e cila është një pozitë jashtëzakonisht e fuqishme në Korenë e Veriut.

Lajmi po thotë: “zëvendëse e Partisë.” Ndoshta është fjala për zëdhënëse? Apo zëvendësen e “udhëheqësit të ndritur” të Koresë?

Kjo nuk është hera e parë që mediat tona nxjerrin lajme fundekrye të paredaktuara. Dhe qesin madje lajme me më shum se vetëm një gabim.

Njoftimi për Korenë e Veriut shkruan në vazhdim:

Kim Jong Yo ka lindur në vitin 1987 ose 1988, ku u shkollua një shkollë private në Zvicër së bashku me Kim Jong-un.

Tash, ec e bjeri në fije se çka s’është në rregull me këtë fjali. Mund ta kuptosh vetëm tu e ditë pak a shum të kaluarën e dinastisë verikoreane.

Fjala “ku” i referohet vendit. Ku “ka lindur” Kim Xhong-Joja? Por fjalia përmend vetëm “vitin 1987 ose 1988.” Pra, na tregon kur u le e bija e ish-despotit Kim Xhong-Il. Ta zëvendësojmë atëherë “ku”-në me “kur.” Si thua?

Mirëpo fjalinë s’e ndreqim dot. S’mund të themi se ajo “ka lindur në vitin 1987 ose 1988, kur u shkollua . . . .” Sipas jetëshkrimit zyrtar, Xhon-Joja mund ta ketë nisë shkollën ende pa dalë prej barkut të nënës, por këtë kopallë nuk e ha bota e qytetëruar.

Bindemi kështu se nuk është puna e një germe që pahiri e ka harru gazetari (përkthyesi apo redaktori) që ka përgatitë lajmin. Motra e udhëheqësit mund të ketë lindë dhe në Zvicër, ose edhe në objektet e një shkolle private. (Qebesa dhe “së bashku me Kim Jong-un[in].” Lajmi thotë se janë të një nëne. Mund të jenë binjakë.)

Lexuesi që s’e njeh Korenë e Veriut s’e ka idenë se për çka po bëhet fjalë. Mirozo që kemi dëgju më parë se Kim Xhong-Uni është shkollu në shtetin helvetik, dhe kështu arrijmë me i ra në fije edhe lajmit të pasaktë. Njëherësh, dimë edhe si ta ndreqim fjalinë: zëvendësojmë “ku”-në me “dhe” – jo dhé, por dhe (lidhëz). Shtojmë edhe një “në” përpara “shkollë[s] private.” Po ashtu, e lakojmë emrin e diktatorit.

Provo lexoje tash: Kim Jong Yo ka lindur në vitin 1987 ose 1988, dhe u shkollua në një shkollë private në Zvicër së bashku me Kim Jong-un-in.

Të mos harrojmë, në fjalinë e mbrame diku mungon një shenjë pikësimi. (“Mos e harro qat presje” mund të na ndihmojë.)

Në fund, s’mund të themi se autori i shkrimit është shkrues i keq. Përkundrazi! Ka shumçka për lëvdatë në tekstin e shkurtë. Por arti i të shkruarit e ka këtë behane: Askush nuk t’i rrah supet kur shkruan pa gabime. Vetëm të qortojnë kur lajthit.

Prandaj, kujdes! Kujdes! Dhe kujdesë! (Kështu e shkruanin dikur gegnisht këtë fjalë.) Gazeta e madhe New York Times angazhon pesë redaktorë për çdo shkrim që boton.