I zgjedhuri kryetar

Joe Biden (Gage Skidmore, 2019, me licencë CC BY-SA 3.0)

Titulli «president-elect» përkthehet shqip «i zgjedhuri kryetar» ose «i zgjedhuri president». Thelbi është me tregu njeriun që është zgjedhë kryetar, por nuk ka marrë ende detyrën. Dhe përkthimet e tjera nuk përçojnë këtë kuptim.

Këtë e kam thënë qysh kur Barack Obama pati fitu zgjedhjet më 2008. Andaj gëzohem kur shoh autorët tanë, si bashkatdhetari Drilon S. Gashi nga Uashingtoni, tek përdorin skajëzën e saktë për fituesin e zgjedhjeve të sivjetme. Sepse po flasim për të zgjedhurin kryetar të Amerikës, ish-nënkryetarin Joe Biden, që nis mandatin tek në janar 2021.

Disa ankohen se «i zgjedhuri kryetar» tingëlloka poetike, meqë shqipja rëndom qet mbiemrin pas emrit, dhe parapëlqejnë renditjen «president i zgjedhur». Por këtu qebesa kemi të bëjmë me një mbiemër të emërzuar, jo fort ndryshe prej titullit «i dërguari amerikan», që s’bëhet dot «amerikani i dërguar».

Shprehja «presidenti i zgjedhur», që e hasim në mediat tona, ka tjetër domethënie: tregon se udhëheqësi është i zgjedhur, për dallim prej një sundimtari të emëruar ose të pazgjedhur. Anglisht thonë «elected president», që dallon nga «president-elect».

Shqipja vërtet s’mund t’i bëhet pasqyrë e plotë anglishtes, ashtu që çdo fjalë amerikane ta ketë shoqen shqiptare. Por ne duhet të kumtojmë qartë, duke shfrytëzu mundësitë që na jep gjuha jonë dhe duke i përshtatë shprehjet e huaja po qe nevoja. Andaj ia vlen të dallojmë termat «i zgjedhur kryetar» dhe «kryetar i zgjedhur».

Bidenin e kemi qujtë gjithashtu president i ardhshëm, kryetar në ardhje e madje president në pritje. Këto sinonime krijojnë laramani të hijshme në biseda e shkrime ku s’lypset gjuhë formale. Por formalisht nuk zëvendësojnë «të zgjedhurin kryetar». Anglisht thuhet: future president, incoming president, president-in-waiting. Dhe secila nga këto ka ngjyrimin e vet. Udhëheqës i ardhshëm mund të jetë ai që nuk është zgjedhë akoma dhe që do të shërbejë në një kohë të largët, të përcaktuar. Kryetar në ardhje është rëndom ai që vihet përballë prijatarit në largim (outgoing president), fjala bie, gjatë pranim-dorëzimit të detyrës. Kurse president në pritje mund të jetë zëvendëskryetari ose cilido zyrtar që pret të marrë kryesinë në rrethanë të caktuar, por që s’e ka të garantuar.

Shprehjet e kështuzme janë të vagullta, të paqarta. Ato kryejnë punë vetëm kur konteksti ua ndriçon kuptimin.

Mënyra ma e saktë me përshkru mikun tonë Joe Biden është me e qujtë «i zgjedhuri kryetar». Vetëm ai që zgjedhet mund t’i prijë Amerikës, në mënyrën dhe për afatin që populli ia ka caktu me kushtetutë. I priftë e mbara!

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.