Djathtas është flamuri i Juesejit me 51 yje, majtas flamuri i kryeqytetit Washington DC.
Distrikti ku ndodhet selia e qeverisë amerikane po kërkon me u bë shteti i 51-të. I zgjedhuri kryetar Joe Biden mbështet këtë nismë. Dhe këto ditë, pasi përkrahësit e Trumpit dyndën Kapitolin, thirrjet për shtetësinë e DC-së po jehojnë ma fuqishëm. Kryebashkiakja Muriel Bowser ka caktu si afat 100 ditët e para të presidencës së re.
Banorët e kryeqytetit amerikan do të gëzojnë kështu të drejtat politike që u kanë mungu për dy shekuj: kanë me pasë përfaqësuesit e tyre me të drejtë vote në Kongres dhe kompetencat sovrane që i përkasin secilit shtet të federatës. Kurse Shtetet e Bashkuara do të përmbushin një detyrim ndërkombëtar: vendi ka ratifiku kaherë një traktat që u garanton qytetarëve të drejtën e përfaqësimit.
Fillet e DC-së lidhen ngushtë me lindjen e ShBA-së. Kur më 1787 u mblodhën me hartu një kushtetutë të re të vendit, udhëheqësit amerikanë u morën vesh të ndërtojnë dhe kryeqytet të ri — në një trevë nën autoritetin e qeverisë federale e që s’i përkiste asnjë shteti të veçantë. Shtetet Merilend e Virgjini dhurunë një copë toke 10×10 milje përgjatë lumit Potomak. Amerikanët qujtën qytetin e ri Washington a Uashington, për nder të kryetarit të parë, kurse rrethin District of Columbia (DC) apo Distrikti i Kolumbisë, për hir të Kristofor Kolombit.
Kongresi u mblodh për herë të parë në DC më 1800. Rilindasi Naim Frashëri është mbase i pari që shkroi shqip për Amerikën: «k. q. i gjithëve është Vashinktoni. Ky vënt [ShBA] është më mbroth në dituri e në dritë dhe së gjithash nga gjithë bota».
Virgjinia ma vonë ktheu tokën që kishte falë, kurse pjesa e mbetur e distriktit u shkri në një metropol mahnitës që sot njihet ndërkëmbyeshëm si Washington dhe DC. Mirëpo distrikti vuri në hall amerikanët që iu bënë banorë të përhershëm. Ata bartnin detyrimet por pa të drejtat e bashkëkombasve të tyre në shtetet e veçanta.
Kryeqytetasit morën pjesë në zgjedhje presidenciale tek më 1964, pasi amendamenti XXIII i kushtetutës amerikane ua njohu këtë të drejtë. Kurse më 1973 zgjodhën për herë të parë kryebashkiakun e distriktit, një stërnip i skllevërve zezakë me emrin Walter Washington.
Por të lënë pa hise në Kongresin amerikan, banorët e DC-së nisën lëvizjen për shtetësi të plotë. Bashkia vuri në targat e kerreve parullën historike TAXATION WITHOUT REPRESENTATION — tatim pa përfaqësim — duke kujtu se përjashtimi që u kishte ndodhë dikur kolonive amerikane po i ngjante sot kryeqytetit.
Me Joe Bidenin në krye të vendit, Washington DC është ma afër se kurrë me u bë shtet. I pranuar në Union më 2021, ka me qenë i 51-ti nga mosha. Me 177 kilometra katrorë, i mbrami përkah territori. Me mbi 700 mijë banorë, i 49-i me popullsi. Me 145 miliardë dollarë prodhim bruto, i 34-ti me GDP. Me gati 90 mijë për krye banori, i pari për të ardhura personale në ShBA.
Washington DC mund të pranohet si shteti Washington, Douglass Commonwealth — duke rujtë nistoret e tashme dhe duke nderu shkrimtarin e burrështetasin Frederick Douglass që pasi iku nga skllavëria u bë ikonë e luftës për liri e barazi. Kryebashkiakja afroamerikane Bowser pritet të jetë guvernatori i parë i shtetit të ri.
Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, ndërtesat, monumentet dhe sheshet federale, ndërkaq, mund të mbesin nën tagrin e një distrikti të ri federal të njohur thjesht si Kryeqyteti (The Capital).
Në DC kam banu dy herë: për një semestër studimesh në American University më 2008 dhe gjatë punës si gazetar te Zëri i Amerikës më 2010–2011. Që atëherë jam fans i klubit të futbollit DC United dhe përkrahës i lëvizjes për shtetësi. #DCStatehood
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2K64WEM