Sot mbushen 71 vjet nga epopeja e malit Gramoz, kur 36 kufitarë shqiptarë të izoluar mbrojtën gjithë ditën heroikisht kuotën 1309 nga më se 1100 ushtarë të rregullt të armatës greke.
Mësymja u ndihmua nga artileria greke dhe nga avionë britanikë në Greqi. Kuota 1309 ndërroi duar dy herë atë ditë. Ajo u pushtua nga ushtria greke, pas goditjesh të përsëritura artilerike dhe mitralimit ajror nga Spitfire britanike. Por nata e zuri prapë në duar shqiptare, mbas një kundërsulmi vetëmohues të kufitarëve shqiptarë, e mbas luftimesh të përgjakshme trup më trup. Forcat greke, që duhej të lëvizin në terren të hapur, patën dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Nga pala shqiptare u plagosën pothuaj të gjithë kufitarët, ndërsa 6 syresh ranë dëshmorë në detyrë: Memo Nexhipi, Ferit Bregasi, Tafil Ferhati, Shyqyri Avdiu, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani.
Diktatori Enver Hoxha kish ndjellë mësymjen greke, duke përdorur portin e Durrësit për transfer të fshehtë të armëve sovjetike drejt partizanëve grekë. Para prishjes me Stalinin më 1948 edhe Tito kish marrë pjesë në këtë trafik përmes Maqedonisë. Kur Tito ndërpreu trafikun, fati i partizanëve grekë u vulos. Mësymja greke bindi edhe diktatorin shqiptar që të ndalë ndihmat për komunistët grekë, e lufta civile greke mori fund.
Për më se 40 vjet rresht diktatura shqiptare u kujdes që të heshtë sakrificën e 36 kufitarëve shqiptarë, për të ruajtur paqen me kufirin jugor. Historia e tyre u përmend rrallë e për mall, pse diktatura kish frikë të shtjellojë përgjegjësinë e vet. Por heroizmi i 36 kufitarëve shqiptarë fatkeqësisht s’përmendet as sot në demokraci, pse Tirana nuk do «të provokojë» Greqinë. Asnjë politikan a zyrtar shqiptar nuk ka pranuar kurrë të shkojë në përkujtimet e përvitshme që u bëjnë shokëve të rënë veteranët e atyre ditëve.
Grekët, ndërkaq, janë të hapur për këtë episod. Në burime publike greke kjo mësymje quhet «Operacioni Zjarri», një aksion me qëllim të deklaruar me zhdukë mbetjet e partizanëve komunistë grekë në anën greke të malit Gramoz. Natyrisht, grekët nuk do të ishin ata që janë pa provuar fatin, me shpresë të shkëputin një copë të territorit shqiptar.
Operacioni ish përgatitur për 6 muaj. Greqia kish kërkuar që në fund të vitit 1948 një rezolutë në Këshill të Sigurisë për përzierje te Enver Hoxhës në luftë civile. Rezoluta u bllokua me veto sovjetike, por qëllimi ishte që të përgatitet opinioni. Po ashtu, me ndihmë amerikane, në prapavijën shqiptare ishin gjuajtur paraprakisht një numër azilantësh shqiptarë nga Italia. Sigurimi shqiptar, i informuar për këtë skemë nga zbulimi sovjetik, kish arritur t’i kapë diversantët me kohë.
Dështimi i papritur përballë 36 kufitarëve shqiptarë te kuota 1309 shtyu oficerët grekë të ndërrojnë kahjen e mësymjes, por atëhere kishin mbërritur përforcime edhe nga ushtria shqiptare. Më 3 gusht jashtë fshatit Menkulas u kapën në pusi dy kompani greke, ushtarët u vranë ose u dorëzuan; midis tyre edhe oficerët Manolos Trilunos nga Athina, e Panajotis Belafis nga Korinti. Luftimet në kufi nuk morën fund aty, por vazhduan për dy javë tjera, gjithsejt 15 ditë luftimesh të ashpra ku dy palët përdorën artileri, e ushtria greke ndihmohej edhe nga aviacioni britanik. Mësymjet më masive u kryen më 12, 13 gusht e 14 gusht në sektorin e Vidohovës dhe Blinishtit, por mbarimi i luftimeve i gjeti ato në duar te shqiptarëve.
Humbjet e plota shqiptare nga këto luftime nuk u morën vesh kurrë. Pala greke ka konfirmuar rreth 300 të vrarë, e 271 të kapur rob. Diktatori shqiptar i mbajti shumë prej këtyre robërve me dekada, duke i liruar në grupe të vogla karshi koncesionesh të vogla nga pala greke.
Shqipëria dhe kombi shqiptar u ngelin borxh 36 kufitarëve që mbrojtën heroikisht kuotën 1309 e malit Gramoz. Sakrifica e tyre mishëron gjithë tragjikën postume të atyre që dhanë jetën për këtë vend. 36 kufitarët e kuotës 1309 nuk luftuan për diktaturën. Ata nuk luftuan për kampet e për tallonat, se ato nuk ishin vendime të tyre. Ishin djem të thjeshtë të këtij vendi që luftuan trimërisht kur ngelën të izoluar, për t’i ruajtur krahët njëri-tjetrit. Dhe në mbrëmjen e 1 gushtit, kur bënë kundërsulmin heroik dhe rimorën kuotën 1309, ata djem luftuan për Shqipërinë.
Ata kishin me vete shokë të vrarë, pothuaj të gjithë kishin plagë në shtat: ata të gjithë mund të tërhiqeshin faqebardhë e me nder në prapavijë. Fakti se ata, të vetmuar në mal të Gramozit, vendosën të sulmojnë, ndërsa ne as sot nuk i përmendim. Ky fakt duhet të na djeg të gjithëve si plagë turpi.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/33fFnIl