Festa e Zvicrës

Dita e Zvicrës
Dita e Zvicrës

Sot është Dita Kombëtare e Besëlidhjes Zvicerane.

Aq i vjetër është ky shtet sa nuk i dihet datëlindja e saktë. Ditëlindjen ia kremtojnë më 1 gusht, duke kujtu gushtin e largët të 1291-tës, kur përfaqësuesit e tri krahinave alpine hynë në marrëveshje me i dalë krah njëra-tjetrës për me rujtë vetëqeverisjen dhe me i bë ballë perandorit. Lidhën besë, diçka si malësitë tona dikur!

Aleancën e qujtën gjermanisht Eidgenossenschaft, për ta shenju besën e pathyeshme. Frëngjisht e italisht i thonë konfederatë. Por në gjuhën tonë, Eidgenossenschaft është Besëlidhja, që na kujton mirëfilli historinë arbërore.

Zvicra mori emrin nga Shvici (Schwyz), një nga tri kantonet fillestare të Besëlidhjes. Latinisht e pagëzunë Helvetia, sipas fisit kelt që rronte në luginat alpine në lashtësi. Me këta dy emra, vendi i njohur evropian i ngjason Kosovës apo Dardanisë sonë.

Ndër shekuj, besëlidhjes së moçme iu bashkëngjitën shumë qytete e vise të tjera anembanë Alpeve. Kështu lindi Confederatio Helvetica, sot shtet federal i përbërë prej 26 kantonesh sovrane, katër gjuhësh zyrtare, kombësive të ndryshme, paqes së përhershme dhe pasurive të pafundme.

Luftën e mbramë, zviceranët e patën më 1815, kur u mund Napoleoni. Në kushtetutën e rishkruar më 1999, ata shpallën «se të lirë mbeten vetëm ata që lirinë e përdorin [për të mirë], dhe se fuqia e një kombi matet me mirëqenien e pjesëtarëve të tij ma të dobët».

Mbi 200 mijë shqiptarë jetojnë në Zvicër. Ata po lënë vragë në vendin e ri, duke kontribu në çdo fushë të jetës, nga biznesi në sport e nga shkenca në politikë, por pa harru kurrnjëherë farën e fisin në dheun stërgjyshor.

Gëzuar! 🇨🇭🇦🇱🇽🇰

(Foto: Annca 2016)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.