1943: Konferenca e Mukjes

Prof. dr. Isuf Luzaj (1913–2000), intelektuali shqiptar që mori pjesë në konferencë, kujtonte përpjekjet e atdhetarëve për të bashkuar forcat kundër fashizmit dhe për bashkimin kombëtar. Aktivisti Redon Veliu ka postuar këtë tekst të prof. Luzajt:

Konferenca e Mukjes, më 1943, është ngjarja pa të cilën vështirë se mund të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtetë ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët e çamët dhe komandantët e Forcave të Armatosura.

12 përfaqësues kishte Balli e po aq kishte edhe PK-ja. Idenë për mbajtjen e Konferencës e dha Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën. Mit’hati më pat thënë se idenë e kishte diskutuar edhe me Lef Nosin e Fuat Bej Dibrën. Ky i dyti dikur kishte 5 restorante në Paris. I kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napolona florinj që të shëtiste botën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri, nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër. Në Konferencën e Mukjes, përveç këtyre të dyve, mbaj mend këta persona nga ana e Ballit: Mit’hat Frashërin, kryetar, Ali Këlcyrën, nënkryetar, Hasan Dostin, sekretar, Hysni Lepenicën dhe Hysni Muçën. Nga ana e PK-së ishin: dr. Ymer Dishnica, Abas Kupi, i cili më vonë braktisi PK-në për shkak të çështjes së Kosovës, Mustafa Gjinishi dhe Mustafa Kaçaçi. Të tjerët nuk i njihja se cilët ishin.

Merrnin pjesë mijëra veta që rrinin nën ullinj, se aty nuk kishte shtëpi. Kishte vetëm një mulli atje afër ku flinte Mit’hat Beu i sëmurë nga kolla. Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët, nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK-së, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, së cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën.

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.