Grënlanda, ShBA-ja dhe blerja e territorit

Donald Trump nënshkrun buxhetin e mbrojtjes (dhjetor 2017)
Donald Trump nënshkrun buxhetin e mbrojtjes (dhjetor 2017)

Kryetari amerikan Do­nald Trump paska pyetë këshilltarët nëse Shte­tet e Bash­ku­ara mund ta blejnë Grën­lan­dën apo Grin­lan­dën, ujdhesën ma të madhe të rru­zu­llit. Ndo­nëse pjesë e Ame­rikës Veriore, ishulli gjigant është truall vetë­qeverisës i Mbre­­të­risë së Danimarkës.

Përmes Grënlandës, ShBA-ja do të sigu­ron­te burime vajguri dhe do mbi­zo­të­ronte viset po­lare të Arktikut, ku Ru­sia e Kanadaja gjith­ashtu kanë inte­resat e veta.

Natyrisht, Trumpi ka marrë përgjigje ne­ga­tive. Por blerjet e to­ka­ve nuk janë gjë e pa­njo­hur në historinë e Ju­esejit, që nga fillet anti­kolonialiste deri në epokën e sipër­fu­qisë botërore. Me pare e diplomaci, ShBA-ja ka zgjidhë telashe të brend­shme, ka shmangë lufta të jasht­me, dhe ka mposhtë peran­doritë koloniale të kohës.

Në dekadat pas pava­rë­simit më 1776, 13 shtetet e reja zgjodhën mos­marrëveshjet te­rri­toriale duke shitë e ble troje mes vete dhe me qeverinë kom­bë­ta­re. Ndërkaq, re­vo­lu­ci­o­na­rët ngadh­njimtarë, duke pa ShBA-në si pish­tar të lirisë në hemi­sferën perën­di­mo­re, hodhën vësh­tri­min përtej kufijve të vendit: me i përzënë sundimet koloniale dhe me përhapë sun­di­min e popullit në mbarë kontinentin.

Kështu lindi ideja që ma vonë u pagëzu ma­nifest destiny apo «fati i qartë». Ameri­kanët be­sonin fuqi­shëm në qeve­risjen e tyre. Jo të gjithë pranonin anek­si­min e to­kave të reja, ndër­kohë që pëlqenin shem­bullin e paqes e demo­kracisë. Historia u dha hapësirë të dy taboreve.

Më 1803, kryetari Tho­mas Jefferson — ai që kishte hartu Dek­la­ra­tën e Pavarësisë — e dyfishoi sipër­faqen e vendit, duke ia marrë Fran­cës trevën e Lui­zi­anës. Filli­misht, Jeffer­soni qe interesu për qy­te­tin port të Niu­orlin­sit, në Gjirin e Mek­sikës, dhe kish auto­rizu përfaqësuesit e vet me iu dhënë fran­cezëve 10 milionë do­llarë të kohës. Por kur Napo­le­oni ofroi me shitë krejt terri­torin prej mbi 2 mi­li­onë kilo­metrash kat­rorë, duke lypë 15 mi­li­onë dollarë, të dër­gu­arit amerikanë e bënë pa­za­rin pa pyetë fare në shtëpi.

Zgjerimi territorial i ShBA-së: bronztë — kufijtë fillestarë, lëshu nga Britania (1783); bardhë — territori i Luizianës nga Franca (1803); bruztë, kafe — lëshimi i Floridës nga Spanja (1819); vjollcë — lëshimi i zotërimeve përgjatë Misisipit, nga Spanja (1819); kaltër — aneksimi i Teksasit (1845); verdhë — territori i Oregonit (bashkë me Britaninë më 1818, vetëm nga 1846); pembe — lëshimi i territoreve nga Meksika (1848); portokalltë — blerja nga Meksika (1853); vjollcë e çelët — blerja e Alaskës nga Rusia (1867); verdhë — aneksimi i Havait (1898). Burimi: National Atlas of the United States (1970), ripunu në Wikimedia.
Zgjerimi territorial i ShBA-së: bronztë — kufijtë fillestarë, lëshu nga Britania (1783); bardhë — territori i Luizianës nga Franca (1803); bruztë, kafe — lëshimi i Floridës nga Spanja (1819); vjollcë — lëshimi i zotërimeve përgjatë Misisipit, nga Spanja (1819); kaltër — aneksimi i Teksasit (1845); verdhë — territori i Oregonit (bashkë me Britaninë më 1818, vetëm nga 1846); pembe — lëshimi i territoreve nga Meksika (1848); portokalltë — blerja nga Meksika (1853); vjollcë e çelët — blerja e Alaskës nga Rusia (1867); verdhë — aneksimi i Havait (1898). Burimi: National Atlas of the United States (1970), ripunu në Wikimedia.

Jeffersoni i përkrahu, Senati e ratifikoi marrë­­veshjen, dhe Dhoma e Për­fa­që­sues­ve i miratoi shpen­zi­met e nevojshme, me gjithë kun­dër­shtimet që erdhën nga brenda e ja­shtë vendit. Thu­het se peran­dori francez i dru­­hej luf­tës me Bri­ta­ninë, andaj i hyri pa­zarit. Re­pub­lika e re ame­ri­kane pagoi rreth 7 centë për hek­tar, që në vle­rën e sotme bëjnë 1,5 do­llarë. Në ndër­kohë, territori i blerë u nda në 14 shtete, për­fshi shtetin e Lui­zi­a­nës, dhe një pjesë e vogël u këmby me Britaninë.

Në luftën e 1812-s, kundër Britanisë, ShBA-ja dështoi disa herë me shti në dorë zo­të­rimet në veri, që sot përbëjnë Kanadanë.

Por zgjerimi territorial vazhdoi pas luftës. Më 1818, ShBA-ja mësyu rajonet veri­perën­di­mo­re të Oregonit e Ko­lum­bisë, duke mbërri kështu në Paqësor. (Ma vonë, rajonet i ndau me Britaninë.) Dhe më 1819, bleu Flo­ridën dhe do treva të tjera nga Spanja, e cila ashtu-kështu kish rënë në krizë e s’mund t’i mbante.

Dekadat në vijim prunë gjithashtu ndry­shime. Por këto ndo­dhën me luftë. Më 1836, kolonët ame­ri­kanë ngritën krye kundër qe­ve­risë mek­si­kane dhe shpallën Tek­sasin re­pub­likë të pa­varur. Kur Teksasi iu bashku Jue­sejit më 1846, kufiri jugor i kon­testuar çoi ven­din në luftë të re me Meksikën.

Fundi i luftës më 1848 ktheu paqen dhe shit­blerjen e terri­toreve. Ndonëse Mek­sika hum­bi, ShBA-ja pranoi me i pagu 15 milionë do­llarë për toka dhe me ia shly 5 milionë dëme të luftës — shumë ma pak se ofer­tat që Mek­sika kish re­fuzu para konfliktit. Shte­ti latino­amerikan tani hoqi dorë prej gati 1,5 milionë kilo­met­rash katrorë, nga Tek­sasi në Kaliforni.

Por kur ShBA-ja nisi me ndërtu hekur­udhën tej­kon­ti­nentale, ku­firi meksikan u bë sërish pengesë. Shtegu ma i mirë kalonte në­për Meksikë. Kështu, më 1853, fqinji jugor, i zënë ngushtë me pare, ia shiti ShBA-së edhe 76 mijë kilometra kat­rorë për 10 milionë do­llarë. Me këtë ujdi u zgjidh edhe kontesti rreth një rripi toke, që s’dihej se kujt i për­kis­te pas luftës së 1848-s.

Dhe për t’ia vu pikën bler­jeve të mëdha, më 1867, Uashingtoni ia njehu carit rus plot 7,2 milionë dollarë — sot rreth 130 milionë — për zotërimet e tij në kon­tinen­tin amerikan. Këto troje Rusia i kish qujtë Alaska, sipas po­pullit vendas aleut. Sot Alaska është shteti ma i madh i Juesejit për­kah territori.

Shtetet e Bashkuara kanë aneksu edhe te­rri­tore të tjera, për të cilat shpesh kanë pagu kom­pensim. Në fund­she­kullin XIX, Uashin­g­toni çliroi një varg uj­dhe­sash karaibe nga pu­shtimi spanjoll. E më 1917 madje, bleu Ishujt Virgjinë mu prej Da­nimarkës, që sot gë­zon sovranitet mbi Grën­landën. Kopen­ha­ga mori 25 milionë dollarë.

Me llogaritë in­fla­ci­o­nin, ato sot vlejnë rreth gjysmë miliardi. Por nuk mjaftojnë për të nisë kurrfarë pazari për toka sovrane.

Shitblerja e terri­to­re­ve, qoftë dhe në shër­bim të paqes, i përket kohës së perën­duar të kolonializmit.

Thuhet se ShBA-ja pro­voi me ble Grën­landën më 1946, kur sapo nisi Lufta e Ftohtë, por u refuzu. Tri vjet ma vonë, Shtetet e Bash­ku­ara e Danimarka, mes aleatësh të tjerë, the­melunë Naton.

Përkundër territorit, Grënlanda mezi njéh 60 mijë banorë, shu­mica inuitë etnikë. Nor­sët — të parët e nor­ve­gjezëve e da­ne­zëve — e kanë ko­lo­ni­zu ishullin qysh në shekullin X, kurse inu­itët kanë mërgu ma vonë prej rajoneve të tjera të Amerikës.

Komu­ni­te­tet e her­shme norse men­do­het se janë zhdukë kah fund­she­kulli XIV, kur dhe kanë shkë­putë kontaktet me Evropën. Një mi­sion skan­di­nav vajti në Grën­lan­dë më 1721, tue shpresu me i ri­ven­dosë li­dhjet me vë­lle­zërit norsë, por nuk i gjeti. Misioni ri­ven­dosi so­vra­nitetin dano-norvegjez.

Grënlanda ka qenë një kohë pjesë e Nor­ve­gjisë, që asokohe ishte e lidhur me Da­ni­markën. Kur dy shtetet u ndanë më 1815, Grënlanda kaloi nën sov­­ra­­ni­­te­tin da­nez. Dani­mar­ka ua njohu vendasve të drejtën e shte­tësisë më 1953, por edhe u për­­poq t’i asimilonte. Me t’u anëtarësu në Ko­mu­ni­tetin Eko­no­mik Ev­ro­pian, me­gjith­atë, Ko­penhaga e kup­toi reali­tetin që e ndan­te ishullin veri­ame­rikan nga Evropa. Shka­ku i rre­thanave eko­no­mike, lypsej që Grën­landa me u qe­ve­risë veçmas.

Kështu më 1979, uj­dhe­sa fitoi të drejtën e vetë­qe­ve­risjes. Kurse një ligj i 2009-s i dha auto­nomi në të gjitha sferat, pos politikës së jashtme dhe mbrojtjes. Po­pullit vendas iu njoh e drejta e vetë­ven­dos­jes, ndërsa grën­­lan­dishtja, dikur e nda­luar, u bë gjuha e vet­me zyrtare.

Larg nga të shiturit, Grën­landa një ditë mund të bëhet e mosvarme.


Foto në krye: Kryetari Trump nënshkrun bu­xhe­tin e mbrojtes në prani të nën­kryetarit Mike Pence dhe ush­ta­ra­këve të lartë ame­ri­kanë (Shtëpia e Bardhë, dhjetor 2017)

Lejohet me kopju dhe ribotu sipas licencës CC BY-ND 4.0, duke cekë autorin dhe burimin.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.