po du me t’thanë

Plator Gashi (foto: Qendra Multimedia, 2019)
Plator Gashi (foto: Qendra Multimedia, 2019)

po du me t’thanë
qi m’ke idhnu,
edhe në faqet e mbrendshme të kapakëve të syve
po m’diftohesh me shkumë rreth goje
tu e tajit vnerin e pathanë, po dyfish të randë.

dil ec pak, nëpër tragat e shputave tona
ua shleftë ngjyrën ylli jonë i përvuejtun
me rrezet e njajta që na i kanë zdritë buzëkeshjet
dikur, s’di kur.

po, s’po qet ma bojë kalemi për ty,
veç mbresa të dobëta pa grat
qi po e mbledhin zbokthin tem teksá krehna
me gishta të dorës, të ndotun prej kurmit tand.

në andrra fluturoj ndër krahë pëllumbash
nëpër shirok e shkupë
pa ndoni ide se ku, me ymyt, ndalna.

nashta osht naj kunorë e zbortë,
ose naj fushë e blerme, plot mjedra e kulumria
nashta në fund të dyjêsë e harroj ankthin shpues
qi hala na nxen i njajti diell.

Foto: Plator Gashi (Qendra Multimedia, 2019)

Nga Plator Gashi

Gazetar, gjuhëtar, shkrimtar, dhe muzikan i ri prej Prishtinës. Shkrun letërsi, këndon shqip, dhe i intereson mënyra qysh njerëzit e përdorin gjuhën, e veçmas gjuhësia krahasimtare.