Me negociatorë të këqij, ma keq se në RSFJ

Negociatorët e ngathët e kanë qitë Kosovën në pozitë të keqe, e për shumçka ma të keqe se ç’e kishte atëherë kur s’ishte as krejt e lirë as e barabartë, në Jugosllavinë socialiste pas Rankoviqit.

Kosova dikur kishte 22 komuna, të gjitha me kompetenca simetrike, të gjitha me kufij të natyrshëm, dhe vetëm njëra me shumicë serbe. Falë negociatorëve tanë, Republika e Kosovës ka 38 komuna, prej të cilave komunat me shumicë serbe kanë kompetenca shtesë. Shumë komuna kanë kufij të panatyrshëm, territore të copëzuara e të shkapërderdhura dhe demografi e ekonomi që s’arsyeton të qenët komunë. Gati 30 për qind e komunave kanë shumicë serbe, ani pse serbët s’përbëjnë as 5 për qind të gjithë popullsisë kosovare.

Kosova dikur kishte kushtetutë që njihte (të paktën nominalisht) barazinë e komuniteteve kombëtare. Falë negociatorëve tanë, kushtetuta e sotme i jep ish-pakicës sunduese serbe tagrin me pengu miratimin e ligjeve jetike dhe vendimmarrjen në çështje të rëndësishme shtetërore. Këtë tagër, deputetët e Listës Srpska e ushtrojnë sipas urdhrave të Beogradit.

Kosova dikur kishte kushtetutë që mbronte lirinë e besimit dhe u njihte komuniteteve fetare të drejtën e pronës së paluajtshme, por ndalonte keqpërdorimin e fesë për qëllime politike. Falë negociatorëve tanë, sot kemi një kushtetutë që i njeh Kishës Ortodokse Serbe privilegje të pamerituara, të cilat pastaj kjo kishë e politizuar i shfrytëzon për të pengu zhvillimin e vendit tonë.

Kosova dikur kishte gjyqësor të njësuar, ani pse nuk ishte shtet i pavarur. Falë negociatorëve tanë, Kosova sot ka gjyqësor të ndarë në vija etnike: shqiptarët e të tjerët kanë gjykatën e apelit në Prishtinë, kurse serbët në Mitrovicë.

Kosova dikur pati ndërtu liqenin e Ujmanit me pare të veta dhe me nevoja të veta. Falë negociatorëve tanë, Republika e Kosovës sot mund të detyrohet që Ujmanin ta ndajë me Serbinë.

Kosova dikur ushtronte autoritetin në mbarë territorin e vet. Falë negociatorëve tanë, sot varemi nga vullneti i Beogradit.

Këto vetëm sa me i njehë disa çështje, pa prekë fare ndërmarrjet, arsimin, shëndetësinë e mirëqenien.

Por mos u ngatërroni! Kosova dikur ishte Krahina Socialiste Autonome e Kosovës — nuk ishte Dardania e lirë, Republika e Kosovës, për të cilën falën jetën dhe vujtën shekuj burg bashkëkombësit tanë. KSAK gëzoi një gjysmëliri nga 1968 mje 1981 dhe u shu me pushtimin serb më 1990. Ish-Jugosllavia nuk meriton dhembshurinë e shqiptarëve, të cilët ajo i shtypi pa dhembje. Por ne shqiptarët duhet ta kujtojmë të kaluarën për hir të së ardhmes. Se as republika e sotme nuk është ajo që ka mëtu populli ynë.

Juristi amerikan Henry Perritt, autor i dy librave për Kosovën, kujton se si kosovarët befasonin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe shpurën e Serbisë me lëshimet e bëra gjatë negociatave në Vjenë. Kur ekipi i Ahtisaarit e kish lexu shkresën 70-faqëshe që paraqiste qëndrimin kosovar mbi të drejtat e komuniteteve, shkrun Perritt, «ata s’mund të besonin se sa shumë ishin në gjendje të lëshonin pe shqiptarët». Madje i kishin pyetë nëse shkresa ishte e tyrja! Natyrisht, kosovarët rëndom shkonin në negociata me letra të hartuara nga konsulentët e huaj.

Kjo histori e filluar në prag të pavarësisë, në mos ma herët, na ka ndjekë gjatë gjithë bisedimeve me Serbinë, që nisën sërish më 2011. Kur u negociu një nga 33 marrëveshjet e pabarabarta të Brukselit, i dërguari serb ishte dëgju në telefon tek u thoshte të vetëve se «po tallte k**** me shqiptarët», pasi kishte vërejtë padijen e moskokëçarjen e tyre ngjethëse.

Nëse atdhetarët e dijetarët tanë na e bënë shtetin, të padijshmit dhe të pandërgjegjshmit po e shkatërrojnë atë. Prandaj, nuk është vonë — nuk është vonë me e ndalë të keqen, duke pru në qeverisje njerëzit që kanë përkushtimin dhe besimin e qytetarëve me mbrojtë dhe me ndërtu republikën tonë. Pushtetarët e pazgjedhur t’ia lëshojnë udhën popullit, sa ia lëshojnë Serbisë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.