«Ibrahim Rugova e ka vënë në binarë popullin e Kosovës»



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

[21 janar 2006] Houston, Texas — Humbja e simbolit të shtetformimit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ka prekur thellë edhe sedrat e mërgimtarëve shqiptarë në botë, të cilët kanë zemrën dhe mendjen në atdheun e tyre. Ata kanë bindjen se sakrifica shumëvjeçare e Dr. Rugovës për shtet të pavarur e sovran ka çuar shumë pranë realizimit të këtij qëllimi të shenjtë. Shuarja e këtij personaliteti të madh të historisë së kombit shqiptar nuk është e lehtë për asnjërin nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar në shtetin e Texasit, SHBA, por kjo nuk e lëkund qëndrimin e tyre për pavarësi dhe përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar vendlindjen në çdo çast.

Në mesin e burrave shqiptarë të Houstonit, që janë mbledhur ta ngushëllojnë njëri-tjetrin për humbjen e prijësit të tyre, në krye të vendit qëndron plaku i urtë me plis të bardhë, 75-vjeçari Esat Baca. “Ndiejmë dhembje pa masë për humbjen e presidentit. Rruga e tij e ka vënë në binarë popullin e Kosovës dhe e ka ndërtuar diplomacinë tonë. Pasardhësit e tij tani nuk do të devijojnë dhe nuk do të bëjnë lëshime në përmbushjen e aspiratave tona. Kosova ka njerëz që e njohin botën dhe që i njeh bota. Kosova e pati dhe e ka atomin–luftën me laps e me diplomaci”, thotë baca Esat.

Komuniteti shqiptar i Teksasit i është drejtuar menjëherë familjes së Dr. Rugovës dhe institucioneve qeverisëse me telegrame ngushëllimi. Ndërkaq, është hapur edhe libri i kujtimeve, ku qytetarë të shumtë kujtojnë lavdinë e udhëheqësit Rugova. Në ndërkohë, është nisur edhe delegacioni për pjesëmarrje në varrim, i përbërë nga Ramiz Tafilaj, Esat Baca, Ismet Krasniqi, Xhemajl dhe Isuf Sadiku.

Sadri Zymberi, kryetar i komunitetit në Houston e cilëson Rugovën si udhërrëfyes drejt pavarësisë. Ai thotë se me politikën e Ibrahim Rugovës si model, askush nuk mund ta ndalë popullin e Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. “Shqiptarët e këtushëm janë të gatshëm t’i ndihmojnë moralisht, fizikisht e materialisht vendlindjes së tyre”, shton Zymberi.

“Përpjekja jonë për liri e pavarësi e lindi Ibrahim Rugovën, liderin më të madh tonin në historinë e re. Në situata të vështira ne dimë të gjendemi dhe do të nxjerrim edhe personalitete tjera në rrugën drejt pavarësisë. Pavarësia do të vijë shpejt, dhe ne do të investojmë në Kosovë”, thotë Muharrem Neziri, ekonomist i diplomuar nga Doganaj e Ferizajt, që tash e sa vjet punon në Houston. Në këtë qytet 5 milionësh jetojnë edhe 5 mijë shqiptarë të tjerë, të cilët e ruajnë me fanatizëm gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre.

Ibrahim Rugova për kombin shqiptar do të mbetet një ikonë e përpjekjeve për liri e pavarësi të trojeve tona. Kujtimi i veprave të tij qoftë në politikë, qoftë në kulturë, do të jenë gjithmonë nxitje për përparimin tonë në të ardhmen.

Botu në gazetën Lajm, më 23 janar 2006