ShBA: 99 vjet të votës së grave



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ndërsa Kosova nuk po i bjen në fije kushtetutës së vet dhe nuk p’e din kur ka me i mbajtë zgje­dh­jet, Amerika po e shënon 99-vjetorin e nji ngjar­jeje të madhe për demo­kra­cinë: ame­n­da­mentin ku­shtetues që ua njohu grave të drej­tën e votës.

Revolucioni industrial i shekujve XVIII e XIX pruni ndryshime të mëdha në Pe­rën­­dim. Vajzat e gratë nisën me punu jashtë shtëpisë. Ato i ndih­munë jashtë­zako­nisht zhvi­llimit të hov­shëm t’eko­nomisë. Por u orga­ni­zunë nji­herësh me i ndih­mu vetes për­ballë pa­drej­tësisë e pa­bara­zisë, që pjesërisht s’janë shu as sot.

Tue kuptu ran­dësinë e politikës, shoqa­tat e her­shme të grave kër­kunë barazi në të drej­tën e votës.

Përpjekjet e hershme dhanë pak fryt, por shë­nunë filli­min e nji lëviz­jeje gati­she­ku­llore. Vep­rim­taret u banë të njoftuna si sufra­zhiste ose suf­raxhete — anglisht suffragette — prej fjalës neo­la­tine për votën, për ta zanë vendin e tyne në histori.

Kur qe miratu më 1787, kushtetuta e ShBA-së ua kish lanë shte­teve veç e veç me i për­caktu kush­tet për të drejtën e votës.

Votueset asokohe ishin të rralla. Kryesisht ndodh­te me bëza ndonji grue e vejë e me ndikim, që ush­tronte të drejtën në vend të burrit të ndjemë. Por shteteve nuk u pëlqente as kjo, kur zunë me mi­ratu ligje që shpre­hi­misht i për­jash­toj­shin gratë nga zgjedhjet.

Vota mbetej privi­legj i burrave të bardhë e të ka­mun. Nji prej etënve theme­lues t’Amerikës, Ben­ja­min Franklini, e tallte me vend kushtin që vo­tue­si me pasë pronë: A po voton gomari apo pronari?

Mbas Luftës Qytetare, ShBA-ja miratoi dy ndry­shi­me kyçe të ku­sh­te­tutës federa­tive. Më 1868, ame­n­da­menti XIV ua njohu ish-sklle­vën­ve ze­zakë «privile­gjet ose imuni­tetet e qyte­ta­rëve të Shte­teve të Bash­kueme». Dy vjet ma vonë, ame­n­da­menti XV ua garan­toi të drej­tën me zgjedhë të gjithë shte­tasve, pa da­llim «race, ngjyre ose gjend­jeje të ma­par­shme robnie».

Por shtetet vijojshin me i dis­kriminu zezakët, tue u vu taksë ose tue u lypë me dijtë shkrim-këndim. As gratë nuk për­fitunë prej këtyne ndry­shi­meve të kushtetutës.

Susan B. Anthony i shkrun Kongresit më 1871 në për­krahje të drejtës së grave me votu
Veprimtarja Susan B. Anthony i lutet Kongresit më 1871 me i leju gratë me votu në zgjedhje. Letra e cilëson të drejtën e votës si të drejtë të çdo qytetari amerikan.

Virginia Manor, nji sufrazhiste nga Mizuri, provoi me u regjistru si votuese më 1872. Mbasi ofiqari Reese Happersett e refuzoi pse ish grue, i shoqi avokat i ndih­moi me e paditë ofiqarin. Landa u ba njof­tun si Manori kundër Ha­pper­settit (Manor v. Happer­sett), dhe mbas nji rrugë­timi nëpër tri­bu­na­let shtet­nore të Mi­zurit mbë­rrini në Gjy­katën Sup­reme të Shteteve të Bash­kueme më 1875.

Sufrazhistja Manor e qujti për­jash­timin e saj shkelje të të drejtave të saj si qyte­tare. Amen­da­men­ti XIV tashma ua nda­lon­te shte­teve me i mohu «pri­vi­le­gjet ose imu­nitetet e qyte­tarëve të Shte­teve të Bash­kueme». Shteti i Mizurit dërgoi kun­­dër­­shtim me shkrim, me tri fjali.

Gjyqtarët e Supremes e pranunë njizani se zonja Manor ishte qytetare të Shte­teve të Bashkueme, ashtu siç ishin edhe fëmijët e prindëve ameri­kanë. Por ven­dosi se e drejta me votu nuk hyn ndër të drejtat kushtetuese të mbrojtuna me ame­n­da­mentin XIV. Gjykata nuk u mor fare me ame­n­da­mentin XV, që flet për të drejtën e votës.

Ndonëse i dhimb­shëm, mendimi nandë gjyq­ta­rëve — të nandët burra — nuk qe i pazakontë. Sup­remja e inter­pretoi ku­sh­te­tu­tën ame­rikane tue qëmtu syni­min e hartue­sve të saj. Dhe simbas shë­nimeve his­to­rike, hartue­sit nuk kishin synu që vota me qenë ndër «privi­legjet ose imu­nitetet e qy­teta­rëve». U mbetej shteteve veç e veç me cak­tu se kush do hedhte kokrrën në zgjedhje.

Por qeveritë shtetnore ngurrojshin me i për­krahë sufra­zhis­tet. Tani duhej ndry­shu kush­te­tutën e fe­de­ratës. Me gjithë ato shtete, me gjithë ata burra, por edhe gra kundër ndry­shi­mit, kjo s’do ishte punë e lehtë.

Senatori Aaron A. Sargent qe ndër burrat e rrallë që men­don­te mbarë. Më 1878, ai i para­shtroi Kon­gresit projektin për ame­n­da­mentit që do t’u jepte grave të drej­tën e votës. Pro­jekti mori ndër­kohë emnin «ame­n­da­menti Anthony», sim­bas vep­­rim­tares së shqueme Susan B. Anthony. Por shu­mica e ven­dim­marrës­ve vazh­dunë me kun­dër­shtu për deka­da me radhë.

Sufrazhistja Susan B. Anthony (1820–1906), emni i së cilës u për­dor si sino­nim për ame­n­da­mentin kushtetues që u dha grave të drejtën e votës (litograf nga J.E. Baker)
Senatori Aaron Sargent nga Kalifornia pro­pozoi më 1878 ame­n­da­mentin XIX, që u ratifiku tek mbas 42 vjetëve (foto: Brady Handy)

Tek më 1896, Ajda­hoja u ba shteti i parë që ua dha grave të drej­tën e votës. Dhe deri më 1910, asnji shtet tjetër nuk e ndoqi shem­bullin e Ajda­hosë. Kur plasi Lufta e Parë Bot­nore, vetëm 10 shtete e territore ameri­kane i kishin dhanë fund dis­kri­mi­ni­mit gjinor në votime.

Me luftën, erdhi edhe kthesa e madhe. ShBA-ja qëndroi as­nja­nëse në vitet e para të kon­flik­tit të madh që po rraf­shonte Ev­ropën. Publiku ishte kun­dër luftës. Më 1917, gjer­manët fun­do­sën ani­jet amerikane n’Atlan­tik, ndër­sa kod­thyesit e ush­trisë kapën nji mesazh që Ber­lini i kish dërgu Mek­sikës: thirrje për aleancë kun­dër Shte­teve të Ba­shkueme.

Kongresi u shpalli luftë Fuqive Qendrore, Gjer­manisë e Austro-Hungarisë, pran­verën e 1917-s. Qinda-mija ushtarë u mbar­kunë në va­pore drejt Ev­ropës, tue lanë si zot shtë­pie gratë punë­tore amerikane.

Djemtë e burrat e fitunë luf­tën në front, ndërsa vajzat e gratë mbajtën gjallë indus­tritë e randa që u shër­benin for­cave amerikane.

Sufrazhistet për­krahën luftën, por vijunë nji­he­rësh pro­testat për të drej­tën e tyne, për­kundër dhunës dhe arres­ti­meve të pa­ligj­shme në duert e qeve­rive shtetnore.

Vitin që Amerika hyni në luftë, 5 shtete rend ua njohën grave të drej­tën e votës. Gjithsej u banë 15 shtete të bara­zisë. (Do shtete tjera lejoj­shin gratë me votu vetëm në zgje­dhje të cak­tueme, si zgje­dh­jet ko­mu­nale ose garat për zyr­tarë t’arsimit.)

Vitin e dytë, më 1918, Kongresi e shqyrtoi disa herë ame­n­da­mentin An­thony: Dhoma e Për­fa­që­suesve votoi pro; Se­na­ti refu­zon­te. Kryetari Woo­d­row Wilson fitoi at vit man­da­tin e dytë tue mbë­shtetë haptaz sufra­zhis­tet, por beteja e tyne për barazi nuk pushoi deri në muejt e mbramë të Luftës së Madhe.

Në pranverë 1919, Wilsoni thirri nji mble­dhje të jashtë­zakon­shme të Kon­gresit për t’iu për­gjigjë kër­ke­save të suf­ra­zhis­teve. Dhoma në maj dhe Se­nati në qer­shor, secila me mbi dy të tretat e kër­kue­me, e mira­tunë ame­n­da­mentin për gratë votuese.

Tani lypsej ratifi­kimi prej shte­teve. Tri të katër­tat, ose 36 nga 48 sa ishin atë­herë, duhej me votu pro.

Kish dy rrugë: votimi në legjislaturat shtetnore ose votimi në kon­venta të posaç­me për ndry­shi­min e ku­sh­te­tu­tës. Kundër­shtarët e ame­n­da­men­tit Anthony kër­kojshin me ngulm op­sio­nin e mbramë, tue shpresu në vru­llin popu­llor. Disa madje ia mësynë edhe gjy­katës, me shpresë se do ta nxirr­shin nji re­fe­ren­dum për çashtjen.

Opozita ishte e fuqishme veçmas në shtetet ju­go­re të Jue­sejit, të njohuna edhe sot për poli­tikën kon­ser­vatore. Por ligj­vënësit shtet­norë zunë me ua marrë anën. Mbrenda mue­jit, ame­n­da­men­tin e rati­fi­kunë 10 shtetet e para; mbrenda nandë muejsh, u banë 35 shtete.

Ndërsa dy taboret ashpër­sunë fusha­tën gjatë pran­verës e verës së 1920, vulën për­fun­dim­tare e qiti nji prej shte­teve jugore. Tene­sia e dha pël­qi­min e vet më 18 gusht, mbas deba­tesh të ndeme, që mba­runë me votime të ngushta: 50 prej 99 de­le­­ga­tëve në dho­mën e ulët votunë pro, dhe ame­n­da­men­ti Anthony u ba ame­n­da­menti XIX i ku­sh­te­tu­tës ame­rikane në prag të zgjedh­jeve të mes­man­datit t’atij viti.

Thotë:

[1] E drejta e qytetarëve të Shte­teve të Bash­kueme me votu nuk do të mohohet ose kufizohet nga Shtetet e Bash­kueme ose ndonji Shtet në bazë të seksit.
[2] Kongresi do ta ketë tagrin me zbatu kët nen me legjislacion të duhun.

Rezoluta e Kongresit për miratimin e ame­n­da­mentit XIX
Rezoluta e Kongresit për miratimin e ame­n­da­mentit XIX

Pak vende të botës ua ka njoftë grave të drejtën e votës para ShBA-së. (Më 1920, u mbajtën zgjedh­jet e para në Shqip­ni. Të drejtë vote for­malisht patën edhe gratë.) Ame­n­da­men­ti XIX qe fitore e madhe për demokracinë e veçmas për gratë, të cilat ende përballen me dhunë dhe diskriminim në mbarë rruzullin.

Më 1964, ShBA-ja miratoi ame­n­da­mentin XXIV, që i dha fund taksave dhe kush­teve formale për­mes të cilave shtetet e veçanta kishin për­ja­shtu zezakët — veçmas gratë — nga votimet.

Më 2016, Hillary Clinton fitoi votën popullore në zgjedhjet presi­den­ciale (por jo votën e shteteve), tue mbërri ma s’afër­ti shtëpisë së bardhë nga të gjitha kan­di­da­tet që kanë garu për kët zyrë. Gratë në po­li­tikën ame­ri­kane po e shtojnë pra­ninë e tyne, tue ngre zanin kundër keq­traj­timit dhe tue kër­ku barazi në pagë e mun­dësi të barabarta në pozita udhë­heqëse.

Fotoja në krye: Sufrazhistet protestojnë para Shtëpisë së Bardhë, më 1917

Ky material botohet me licencën CC BY-ND 4.0. Le­johet me e kopju dhe ribotu. Por duhet me cekë autorin dhe burimin dhe me e përfshi këtë njoftim. Ndalohet me e ndryshu për­mbajtjen.