Dita e Kushtetutës në ShBA



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Më 17 shtator 1787, delegatët e 13 shteteve nënshkrunë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo hyri në fuqi rreth dy vjet ma vonë, duke zëvendësu kushtetutën e parë, Artikujt e Konfederatës.

Deri atëherë, 13 shtetet e porsapavarësuara ishin thujse tërësisht sovrane. Ato lidheshin mes vete përmes një kongresi që përfaqësonte vendin ndërkombëtarisht dhe trajtonte çështje të interesit të përbashkët, por nuk kishte krah ekzekutiv për t’i zbatu vendimet e veta.

Kushtetuta e re krijoi një shtet federativ të njëmendtë. Ajo caktoi ndarjen e pushteteve horizontalisht, mes degëve ligjvënëse, përmbaruese dhe gjyqësore të qeverisë. Por mundësoi dhe ndarjen pingule të sovranitetit mes qeverisë federative dhe qeverive shtetërore. Qebesa, kushtetuta e re krijoi një qeveri federative me pushtete të numëruara, duke u lënë çdo tagër tjetër shteteve të veçanta dhe popullit.

10 amendamentet e para, që mbrojnë një varg të drejtash themelore, u miratunë në vitet e para pas nënshkrimit të kushtetutës. 17 amendmentet e tjera — që përfshijnë ndalimin e skllavërisë dhe dispozita të ndryshme për të drejtën e votës — u miratunë përgjatë dy shekujve vijues.

Me 7 nene të gjata (si lloj kapitujsh) dhe 27 amendamente, kushtetuta amerikane është ndër ma të shkurtat në botë. Është kushtetutë e ngurtë, që përbën ligj mbi ligjet e tjera dhe që nuk ndryshohet lehtë.

Ndër juristët amerikanë, ka dy rryma të interpretimit të kushtetutës: rryma që kushtetutën e qun «dokument të gjallë» dhe rryma që e qun «dokument të qëndrueshëm». E para mendon se interpretimi duhet t’u përshtatet rrethanave të sotme, kurse e dyta thekson rëndësinë e qëllimit të hartuesve.

Qasja e duhur është temë debati, veçanërisht në Gjykatën Supreme të ShBA-së, e cila vlerëson ligjet dhe aktet e qeverisë për përputhshmëri me kushtetutën. Por nuk diskutohet se kushtetuta e 1787-s i ka ba ballë kohës, është përsosë me amendamente dhe interpretime gjyqësore, dhe u ka shërby brezave për 233 vjet. Si ma e vjetra në fuqi, kushtetuta amerikane ka frymëzu kombet në mbarë botën për qeverisjen demokatike, sipas një ligji ma të lartë.

Sot, më 17 shtator, amerikanët shënojnë Ditën e Kushtetutës.

Qe përkthimi shqip i kushtetutës së ShBA-së: http://plisi.org/ru/ligj/kushtetuta/shba-sq.pdf

GM