Feja e inxhinierit

Kur një inxhinier ndërtimtarie i dhënë pas xhepit të vet mbaron një urë duke e ditë mirëfilli se asaj s’do i shkojë muaji pa u rrëzuar, shoqëria gjasshëm do e ndëshkojë të pafytyrin. Keqbërësi s’mund e bindë asnjë mendje të shëndoshë se po e përndjekin për shkak se punon sipas mësimeve biblike. Por kur një inxhinier politik përpiqet ta ndërtojë një regjim skllavërues, qytetarët reagojnë me huti. Çuditërisht, edhe më të ndriturit nganjëherë besojnë se filani po i ndjek mësimet e fesë.

Fajtori është shkenca! Po, po… Ajo nuk ka ecë me të njëjtin hap në secilën fushë. Përderisa njerëzia e ka përsosë mjeshtërinë e urave, zanati i shtetbërjes ka ngecë gati pa lëvizë me mija vjet.

Sado të mbajnë smirë ndaj njëri-tjetrit për cikërrima, punë shijesh a hesape të moçme vetjake, ndërtimtarët e urave janë në gjendje të flasin njëzëri herët a vonë. Pajtohen: Duhen të paktën kaq fije armaturë për këtë shtyllë dhe këtë shart s’e luajmë dot. Madje lypin t’ua kontrollojë dikush punën. Inxhinieria civile është disiplinë e saktë dhe përgjegjësia për inxhinierin është e pashmangshme. Kur shembet ura, gishti i fajësuesit i drejtohet atij që njëmend ka bë faj.

Por shtetarët shpëtojnë pa u lagë. Politika është e luhatshme. Shtyllat e padukshme të shtetit lëvizin e madje shpesh mungojnë fare. Filozofë a mafiozë, ata që e ndërtojnë regjimin e mbajnë atë në duart e veta, ndërsa barrën e njëmendtë ia peshojnë popullit që e shtypin ndërfundi. Dhe kështu, sa herë e sido që t’u teket, pushtetarët e rrotullojnë dhe regjimin. Po shpurdhën nënshtetasit, sundimtarët livritin gjithashtu, duke e shkelë popullin për aq sa kanë takat dhe duke iu përshtatë rrethanave të reja kur s’u qëllon tjetër mundësi.

Të rrallë janë ata despotë që nuk i hetojnë paralajmërimet aq sa rrezikojnë me e përmbysë sistemin. Por edhe kur ndodh kjohja, diktatorët tërhiqen mënjanë dhe e gjuajnë me forcë regjimin që të përplaset si shkëmb gjigand mbi popull. Shtypësit dalin në të terur, kurse ata që i mbijetojnë shtypjes janë aq të shtangur saqë u duhen dekada në mos shekuj për ta kuptuar se ç’u ka ndodhë. Kurse tiranët që bien therorë për pushtet janë cok anomali. Ata thjesht zgjedhin me e therë veten me shpatën e xhelatit që kanë në dorë.

Madje dhe atëherë kur fitimtarët bëjnë gati gijotinën për ta shkokëzuar mbretin e padashur, vrasjes së ligjshme s’do i gëzohet gjithsecili. Diku, ndër ish-vartësit e monarkut të shfronësuar o ndër kushërinjtë e tij jashtë vendit, dikush do të lutet për shpirtin e të ngratit. Sepse sundimtari nuk bën një punë; ai bekon punët që të tjerët bëjnë në emër të tij. Dhe kur atë e gjykon historia, nuk e gjykon për një vepër a shkelje, por ia vë në kandar të mirat e të këqijat e regjimit. Veçse të mirës ia vejnë dhe bërrylat sipër ata që e kanë shijuar.

Inxhinierët politikë kanë leverdi mos me ra në ujdi mes vete. Ata gjithmonë do t’i kujtojë dikush për të mirë. Por për aq kohë sa nuk merren vesh as për çështjet më thelbësore, shpresat e njerëzimit për drejtësi shoqërore s’do kenë ku me u mbështetë. Prandaj, kur një inxhinier politik përpiqet ta ndërtojë një regjim skllavërues, qytetarët reagojnë me huti. Çuditërisht, edhe më të ndriturit nganjëherë besojnë se filani po i ndjek mësimet e fesë.

Arsyeja është e thjeshtë. Gjithmonë gjendet dikush që do të thotë: Filani është burrë i mirë! Ai e do popullin. E si mos t’i besojë populli fjalëve të tij? Ose dhe më keq: S’ka faj filani, ka faj pushteti që e ka sjellë popullin në këtë gjendje.

Myhendisët politikë kanë leverdi mos me ra në ujdi mes vete. Por s’domethënë se nuk pajtohen kurrë. Sikur ndërtuesit tek druajnë se ura që nuk e kanë në duar mund të shembet po s’u ngrit mbarë, ashtu dhe ligjdhënësit i tuten mizorisë së regjimit që s’do e drejtojnë vetë. Njëmend, ka shumë më pak formula të sakta që vyejnë për ta ngritë e përsosë një shtet të lirë, por demokracia është themeli i padyshimtë. Dhe demokraci nuk mund të ketë përderisa qeveria nuk varet nga vullneti i popullit dhe teksa i njëjti njeri e bën ligjin, e zbaton atë dhe e ndërpreton e gjykon sipas tij.

E tillë është një qeveri që vullnetin e popullit e zëvendëson me mendimin e një të gjithëdijshmi që na i jep të gatshme ligjet dhe dirigjon se si duhet t’i vëmë në jetë ato ligje. Një qeveri me rrënjë fetare varet nga mendimi i një dijetari që e ndërpreton fenë – burimin e ligjeve. Andaj, pa shtet shekullar s’mund të ketë demokraci.

Një hoxhë a prift që bën thirrje për dovlet teokratik mund ta njohin për njeri të ndershëm dhe zemërmirë. Por ato tipare nuk do ta ruajnë nga kufizimet e natyrës njerëzore që të mos e shkelë popullin katërçipërisht. Sepse në thelb, përkrahësi i regjimit fetar thotë: Meqë qeveria duhet të veprojë sipas fesë, qeverinë duhet ta udhëheqë ai që e njeh fenë. Andaj, meqë unë e njoh fenë, unë duhet ta udhëheq qeverinë dhe ata që s’e njohin fenë nuk kanë të drejtë të më përzihen në punën time.

Natyrisht, argumentet janë më të përsosura. Por thelbi i tyre është po ai. Për ta ndërtuar një shtet të lirë e demokratik duhet patjetër mendja e atij që nuk do ta ketë pushtetin në duart e veta e ta shfrytëzojë sido t’i kuvendojë. Duhet dikush si çifti i inxhinierit që e di se s’mund ta mbajë urën pa u rrëzuar. Dhe qe pra pse nuk është zor me ditë se filan hoxhe a prifti që kërkon teokraci e ka gabim dhe se është turp për një mendje të shëndoshë e shpirt të pastër me thënë se filani është burrë i mirë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.