Po gdhin epoka e qytetarëve

Unë u përtoj fjalëve të mëdha. Por mendja po më thotë, kur gjykoj gjakftohtësisht, se kjo fitore e qytetarëve të lirë shqiptarë është epokale.

Them epokale, meqë këtu s’u ndalua sall një aventurë e radhës, nga ato që bota është mësuar t’i shikojë si kuriozitete të shtetit shqiptar. Këta qytetarë të lirë na dhanë më shumë se aq: për herë të parë në historinë tonë moderne, edhe ne shqiptarët e kemi më në fund një shembull evropian se si mund ta gjunjëzon shtetin e pushtetin kur e teprojnë zullumin. Se si mund ta disiplinojmë atë. Janë njerëzit e thjeshtë, djem e vajza, artistë, studentë, qytetarë të kulturuar, që na e treguan forcën tonë të vërtetë, duke e rrëzuar bajraktarin nga kali.

Ky revolt nuk më duket i kthyer kundër aleatëve tanë, më së paku kundër SHBA-ve. Ky është revolt kundër shpërfilljes së demokracisë. Duke e ndërtuar një demokraci stabile, ku shteti s’e shpërfill qytetarin e thjeshtë, ne në fakt bëhemi aleatë më të sigurte e më të fortë.

Për ta kuptuar madhështinë e kësaj që ka ndodhur, do njohur veten mirë, pa perde syve. Ne tërë narracionin tonë për veten si komb e kemi sajuar si rrëfim fisnor për burra të fortë. Trininë e pashenjtë të forcës, pushtetit, e dhunës, ne e kemi vënë me shekuj mbi piedestale, si çdo fis i shtypur që s’e ka patur kurrë asnjërën. Kjo që ka ndodhur sot është çarja e parë në këto piedestale të lashta. Ky është fillimi i fundit të barbarisë.

Kjo do të ndryshojë gjithçka. Historiografinë. Patriotizmin. Muzikën. Letërsinë. Poezinë. Gjithçka. Gradualisht, por pashmangshëm, te ne po gdhin epoka e qytetarit, e njeriut të thjeshtë. Ky është ajo shenja e mëngjesit që e kemi pritur të gjithë.

Tash e tutje, do të flej shumë më i qetë. Se tash e di, që ia vlen të shpresosh!

Nga Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.