Gjyqtarja amerikane Ruth Bader Ginsburg vdiq këtë javë nga kanceri, duke lënë pas një trashëgimi të rrallë të përpjekjeve për të drejtat e njeriut dhe për barazi gjinore. Në moshën 87-vjeçare, ajo ishte anëtarja ma e moshuar e Gjykatës Supreme të ShBA-së.
Këtë foto e shkrepi një reporter më 2011, ndërsa gjyqtarja Ginsburg po i mbante ligjëratë klasës sime, në universitetin Southern Methodist në Dallas. Ajo theksonte sa me fat ishin amerikanët për gjyqësorin e pavarur e të vyeshëm që kishin. Por shqetësohej për përçarje politike në vend. Senatorët e sotëm, thoshte ajo, nuk do ta pranonin emërimin e saj në gjykatën e lartë — shkaku i punës që kishte bërë për të drejtat e grave.
Znj. Ginsburg u përkiste brezave të parë të grave që arritën të studiojnë drejtësinë në Shtetet e Bashkuara. Pas studimeve themelore në qeverisje (administratë publike), ajo nisi juridikun në Harvard, dhe diplomoi në universitetin Columbia, më 1959, me notën ma të lartë të gjeneratës. Në të dy universitetet qe redaktore e revistave akademike.
Këtë kërcim universitetesh e bëri për hir të të shoqit, që kish gjetë punë të mirë në Niujork. Por znj. Ginsburg s’pati të njëjtin fat në punësim. Gjykata Supreme nuk e pranoi si bashkëpunëtore vetëm pse ishte grua. Kurse gjykata e shkallës së parë ia hapi dyert për stazh dyvjeçar, vetëm pasi një profesor kërcënoi gjyqtarin se nuk do t’i çonin bashkëpunëtor tjetër.
Pas praktikës në gjykatë, në fillimvitet 60, znj. Ginsburg u angazhu në akademi. Përkushtimi i saj ishte i pashoq, por trajtimi i pabarabartë e përcolli për kohë të gjatë. Kur u angazhu si profesore e së drejtës në Niuxhersi, i dhanë rrogë ma të vogël, sepse ishte e martuar dhe burri kishte punë të mirë. Por gjatë punës hulumtuese në Suedi — ku shkroi një libër të procedurës civile, suedisht — ajo u bind se pozita e gruas mund të përmirësohej. Suedia kishte ma shumë gra në profesionin juridik, dhe Amerika mund ta ndiqte këtë shembull të mirë.
Më të marrë titullin profesore e rregullt, njëherë në universitetin Rutgers të Niuxhersit e pastaj në Columbia të Niujorkut, Ginsburg intensifikoi punën akademike për çështjet gjinore. Gjatë viteve 70, ajo themeloi një revistë akademike për të drejtat e grave, botoi një libër për diskriminimin gjinor, ndihmoi gjykatat në zgjidhjen e rasteve, dhe zhvilloi projektin për barazi gjinore në organizatën e mirënjohur American Civil Liberties Union. Projekti përfaqësoi qindra palë në konteste gjyqësore, ndërsa prof. Ginsburg fitoi një varg rastesh madhore para Gjykatës Supreme, duke zënë namin e avokates ikonë për të drejtat e grave.
Arritjet e saj i çelën udhën karrierës në gjyqësorin federal, që në ShBA bën bashkë juristët ma të dalluar të vendit. Më 1980, kryetari Jimmy Carter e nominoi prof. Ginsburgun gjyqtare të apelit. Më 1993, presidenti Bill Clinton e propozoi për Gjykatën Supreme, dhe Senati i atëhershëm dha pëlqimin pa ngurrim.
Gjyqtarja Ginsburg u bë gruaja e dytë që do të shërbente në gjykatën ma të lartë të Juesejit. Për një kohë, pas pensionimit të gjyqtares Sandra Day O’Connor, Ginsburgu qe gruaja e vetme, kurse më 2010 u bë vetë e treta. Por në asnjë rast ajo s’hoqi dorë prej idealit të barazisë gjinore.
Gjatë mandatit, Ginsburgu hartoi mendimet e gjykatës në shumë çështje kundër diskriminimit. Kur kolegët vendosnin ndryshe, gjyqtarja e palëkundur qëndiste mendimin mospajtues. Ajo besonte fuqishëm në një shoqëri të hapur, në hap me botën, dhe sfidonte qasjen e ngujuar të juristëve amerikanë, duke citu lirshëm literaturë ndërkombëtare.
Nacionalistët madje ia zunë për të madhe kur njëherë ajo sugjeroi që kushtetuta jugafrikane, e hartuar pas apartheidit, ishte shembull ma i përshtatshëm për kushtetutëbërësit e sotëm se kryeligji amerikan, i thurur mbi dy shekuj ma parë.
Por kolegët e çmonin profesoren dhe gjyqtaren Ruth Bader Ginsburg, edhe kur ndodheshin në antipode të mendimeve — ndër ta ishte miku i saj i ngushtë, gjyqtari Antonin Scalia, që vdiq më 2016. Kurse të rinjtë dhe aktivistët kudo e adhuronin zonjën RBG, që s’e braktisi gjykatën deri në frymën e saj të fundit.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/3iP4BSO