Kanuni, arritja ma e naltë qytetnuese


Avatar photo

Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.

Kanuni shqiptar paraqet arritjen ma të naltë qytetnuese të shqiptarëve si popull. Një Kanun të këtillë kanë hebrejtë, Mishnan, prej së cilës e kanë zhvillu gjithë kulturën e tyne që e kanë edhe sot. Derisa Mishna çmohet si arritje e jashtëzakonshme qytetnuese të hebrejtë, shqiptarët – me budallakinë e tyne shembullore – e kanë luftu sa kanë mujtë Kanunin e vet. Mishna asht studiu dhe studiohet edhe sot në nivele ma të nalta akademike si një trashëgimi e mrekullueshme e një populli.

Kanunin Shqiptar, shumë shqiptarë mendjezaifë e identifikojnë me Kanunin e Lekë Dukagjinit, ashtu qysh e ka shkru një prift, Shtjefën Gjeçovi. Por, problemi asht që kapitulli i parë i Gjeçovit na del ‘Kisha’! Ky asht një manipulim i kulluet sepse Kanuni Shqiptar nuk e ka pasë as nuk e ka, as s’ka me pasë ndonjëherë fenë si pjesë të randësishme shqyrtimi. (Për me e pa qartë se çfarë asht trajtimi i fesë nga Kanuni Shqiptar duhet me lexu romanin e Anton Harapit Andrra e Pretashit.) Pra, ajo që paraqet Gjeçovi asht vetëm një këndvështrim prej prifti i Kanunit të Lekë Dukagjinit; asht vetëm një fotografim i një gjendjeje të një pjese të vogël Kanunit Shqiptar në një kohë dhe hapësinë të caktueme. Pra, një Kanun jo vetëm fragmentar e i ngrimë në kohë e hapësinë por edhe i shtjelluem prej një prifti.

Kanuni Shqiptar asht shumë i gjanë, dinamik dhe shumë i larmishëm. Kurrë nuk asht ndalë së ndryshuemi dhe ndryshon edhe sot derisa po i shkrujmë e po i lexojmë këta rreshta. Shpesh Kanuni Shqiptar identifikohet me librat e shejtë fetarë që janë statikë e dogmatikë, të ngrimë në kohë. Kanuni nuk asht dogmatik, nuk i referohet hyjnive, nuk quhet ‘i shejtë’, s’ka as engjuj, as mrekulli babadimnash. Quhet vendim kuvendi pleqsh të urtë e me përvojë, pra quhet akt njerëzor dhe ka vepru si rregullator i shoqnisë shqiptare. Kanuni Shqiptar asht i çiltër, i drejtpërdrejtë dhe njerëzor.

Me Kanunin Shqiptar nuk asht djegë asnjë plakë, as bukuroshe, qysh janë djegë nëpër gjithë Europën, as nuk gurëzohet asnjë grue, qysh asht gurëzue e gurëzohet edhe sot në Lindjen e Afërt e të Mesme. Për një burrë shqiptar me djegë një plakë e me mbytë një grue asht akti ma poshtnues që mun me e gjetë. S’ka kush që një burri të maleve ia mbush mendjen se një plakë mun me i ba dam!

Kanuni Shqiptar asht rregullator i jetës në kushte të jashtëzakonshme të luftës së përhershme kundër pushtuesve të ndryshëm. Edhe shtet ma ‘demokratike’ në gjendje lufte kufizojnë domosdo të drejtat e qytetarëve të vet.

Trajtimi i grues shpesh asht marrë si shembullm por harrohet një fakt: dënimin ma të randë – dënimin me vdekje – burrat shqiptarë ia kanë caktu vetes. Grueja jo që s’mun të vritet, por as nuk mun me vra gjakësin ma të urrejtun në prani të saj. Cili libër i shejtë apo doke zakonore ia ka ofru grues një siguri të këtillë? Cili ligj modern e mbron gruen? Në Britani të Madhe çdo minutë – pra çdo minutë – gratë keqtrajtohen dhe vriten nga dy gra në javë! Ma shumë e ma keq sesa kudo në shqiptari. Pse ligji ma demokratik e ma modern në botë s’po e mbron dot gruen, pra? Athu edhe britanikët po e zbatojnë ndonjë Kanun Shqiptar!?

Se Kanuni ndryshon pandalshëm tregon rasti i zgjedhjes, para disa vjetësh, të një grueje për kryeplakë në një katund ma të largët të Matit, i cili jeton ende me rregullat e Kanunit Shqiptar. Këtë zgjedhje e banë pleqnarët e Kanunit Shqiptar, burrat sepse kështu kishin vendosë banorët e atyne katundeve.

Kanuni Shqiptar edhe sot e kësaj dite njihet pak. Do të duhej të themelohej një institucion i veçantë që do të merrej me studimin e tij në terren e me shqyrtime të mirëfillta shkencore me vite të tana e prej grupesh të ekspertëve për me mujtë me kuptu karakterin dhe vlerën e vërtetë të Kanunit Shqiptar. Por, kjo ditë, po shihet asht e largët. Një studim fillestar e ka ba studiuesja skoceze, Margaret Haslucku. Shumë shqiptarë duhen me lexu së pari, librin e saj, e masandej me marrë mundin e me shkru shkrola! (Një fakt tjetër i trajtimit të grues lidhet me jetën e znj. Haslucku: megjithëse kreu studimet ajo nuk iu dha diploma sepse femnave nuk u jepej diplomë në Kembrixh deri në vitin 1948! Pra, edhe një herë: 1948!)



Komente & ndërlidhje

  1. I dashtun Agim:

    Ke dhanë nji zbërthesë e shkëlqyeshme e randësisë që ka pasë dhe ka ligji ynë dokesor. E ke thanë për mrekulli: “Me Kanunin Shqiptar nuk asht djegë asnjë plakë . . . as nuk gurëzohet asnjë grue.” Unë pajtohem se jeta e nanave tona nuk ka qenë e lehtë gjatë historisë, por qëllimi i atyne që vendosën doket ishte përgjithsisht dashamirës ndaj vajzave dhe grave. Kam bindjen se rolin qendror në Kanun e luante gruaja nanë! Shih, për shembull, burri binte në gjak edhe nëse mbasi shkrepte armën e shkaktonte nji gruaje me poshtue (abortue) fëmijën.

    Natyrisht, çdo mbrojtje ligjore – siç ishin shlirimet e përjashtimet për vajzat e gratë nën Kanun – vjen edhe me barrën e saj. Në kushtet e vështira historike në të cilat jetuan shqiptarët, pozita e gruas s’ishte e përkryeme. Rolet e ndame për burrin e gruan banin që edhe të drejtat e përgjegjsitë e secilit të dallonin. Por respekti për gratë ekzistonte. Gratë shqiptare kanë dëshmue vazhdimisht randësinë e tyne shoqnore, tue parandalue vrasje e tue nxitë pajtime. Nji fisnike mund të hynte në mes dy burrave që kishin nxjerrë armët prej brezit dhe ishin gati me u vra mes vete pa drojë se do e pësonte vetë, sepse gratë ishin simbas ligjit të paprekshme.

    Nji çashtje ansore, megjithate, do ta kisha thanë ndryshe prej teje. Kanuni përcakton që Kisha nuk përzihet në punë të pushtetit shekullar. Dhe ky parim s’ndryshon pa marrë parasysh burimin e ligjit ose kodifikimin që përdorim. Pra kujtoj se pa nevojë e ke ngasë At Shtjefën Gjeçovin, i cili ka ba nji punë të hatashme para se ta vrisnin tradhtisht anmiqtë tanë. E shpjegove mjaft mirë se Kanuni nuk asht dogmatik e as i ngrimë, dhe kujtoj se aty do duhej me mbarue edhe arsyetimi ndaj atyne që e shohin ligjin tonë dokesor si vepër fetare.

    Unë nuk shoh ndonji problem me radhitjen e librave në kodifikimin e Gjeçovit. Edhe Kushetuta Amerikane e çel Kartën e të Drejtave me lirinë e besimit. Kanuni e njeh kët liri dhe e ndan pushtetin shekullar nga feja ashtu siç ban ligji sipror i Shteteve të Bashkuara. Pastaj, Gjeçovi e mblodhi Kanunin e Lekë Dukagjinit kryesisht në Mirditë ku ende vepronte në të madhe Kisha Katolike, andaj ajo e jo xhamia ose ngrehimet fetare në përgjithsi zuni vend në kodifikim. Përfundimisht, prifti dëshmor e la Kanunin dorëshkrim dhe e kishte botue vetëm pjesërisht në të përkohshmet e kohës. Nëse prapë s’arrijmë me u pajtue pse libri i parë i Kanunit asht “Kisha,” atëherë fajin mbase duhet me ua lanë priftënve françeskanë që e përgaditën botimit mbas vrasjes së Gjeçovit, e jo vetë kodifikuesit të ligjit të Maleve tona.

    Gati çdoherë kur flas për Kanunin, kam dëshirë me e përmbyllë tue ia citue katër parimet themelore që ia veçon prifti italian At Zef Valentini – nderi i vetës, barazia e vetëve, liria e vetës, dhe besa! A s’janë këto pak a shum kuptimi shqiptar i të vërtetave që Thomas Jeffersoni i quan “të vetdëshmueshme”? Në Shpalljen e Pamvarsisë së Shteteve të Bashkuara, ai radhiti si të drejta themelore jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumtunisë.

    Të fala të përzemërta,
    Getoari