Kapitullimi ndaj Serbisë



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Si përfaqësues i pazgjedhun i Kosovës, Avdullahu pranoi kapitullimin ndaj Sër­bisë. T’i njehim pikat që ai nënshkroi sot n’emën të normalizimit ekonomik:

Konfirmoi si marrëveshje detyruese deklaratat e paligjshme për autostradën dhe hekurudhën Prishtinë–Beograd. Këto dokumente e trajtojnë kufinin shtetnor si t’ish vijë administrative mes dy komunave dhe na fusin në detyrime financiare të panevojshme.

I premtoi Sërbisë dalje në det. U zotu madje me ia ndërtu hekurudhën për Adriatik.

U zotu me përkrahë projekte bashkëpunimi me Sërbinë dhe me përkrahë ndër­ma­rrësinë, por nuk nxori asnji premtim për pengesat që autoritetet e Sërbisë na qesin në tregti e thujse në çdo fushë tjetër.

U zotu me hapë objektin e pikëkalimit të përbashkët në Merdar, tue e qujtë ang­lisht «com­mon crossing point facility». Ky term nuk përdoret për kufi ndër­shtet­nor, por për linja të territoreve pa shtetësi; kufinit i thonë «border».

U zotu me iu bashku «zonës së mini-Shengenit» ballkanik të përmendun në tetor 2019. Asokohe, s’pat mbetë politikan Kosove pa e kundërshtu kët nismë si për­pjekje me ringjallë Jugosllavinë, se e tillë asht!

U pajtu gjoja me Sërbinë me i njoftë diplomat e certifikatat profesionale — pa çka që gjykata kushtetuese e Sërbisë ka vendosë mos me i njoftë diplomat kosovare, dhe Beogradi s’ia kthen fjalën gjykatës së vet.

U pajtu me nda Ujmanin me Sërbinë, ani pse Ujmanin e ka ndërtu Kosova me pare të veta.

U zotu me shtu burimet e energjisë. Pse duhet me prekë kët temë në raport me Sërbinë, kur Kosova asht pjesë e Komunitetit të Energjisë, si organizatë evropiane?

U besatu se nuk do lejojë Huawein kinez me ndërtu rrjetin 5G në Kosovë dhe se do bashkëpunojë me ShBA-në në çashtje sigurie. Por kët zotim asht dashtë me e dhanë veç Sërbia. Dardania jonë asht besnike e kahmotshme e Amerikës, dhe këto punë i ndreq në marrëdhanie dypalëshe, pa e përfshi Beogradin.

U zotu me mbrojtë lirinë e fesë, me i zbatu vendimet gjyqësore në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe dhe me i kthy do prona që kanë qenë të jahudijve para Holo­kaustit. Republika e Kosovës e mbron lirinë e besimit dhe komunitetet fetare me fjalë e me vepra, andaj kjo çashtje s’ka vend në nji marrëveshje ndër­kom­bë­tare, aq ma pak ekonomike. Tue e ngucë fenë, Avdullahu po e pranon pro­pa­ga­n­dën e Beogradit: se Kosova na qenka vend fundamentalist, që s’duron besim tjetër pos nji islami jotolerant.

Mbërriti me i përmendë dikund të pagjetunit. Por na qiti hi syve, tue u zotu me i raportu Beogradit për kët punë. Drejtësia e njimendtë i lyp llogari Sërbisë për krimet ndaj shqiptarëve në Dardani.

Çuditnisht premtoi me lobu për dekriminalizimin e homoseksualizmit në 69 vende të botës — në nji marrëveshje që u qujt ekonomike. S’asht larg mendsh që edhe ky zotim lidhet me fenë, që me u përmendë dikund si nji vend mysliman po i bashkohet Sërbisë së krishtenë në nji mision qytetnues nëpër rruzull.

U pajtu me përcaktu Hezbollahun e Libanit organizatë terroriste. E bani këte në marrëveshje me Sërbinë, thu se përcaktimi qe kërkesë e Beogradit dhe kom­pro­mis i dhimbshëm Kosovës myslimane, që ushqen simpati për organizata isla­mis­te kudo në Lindje të Mesme. Mirëpo qëndrimi i qeverisë amerikane për Hez­bo­lla­hun asht plotësisht i pranueshëm për Republikën e Kosovës, se interesat e dy ve­n­deve janë të pandame në përpjekje të sigurisë e në luftë kundër terrorit.

Dhe ç’asht nji ma e zezë, u pajtu mos me lypë anëtarësim për nji vit n’organizata ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare ka njoftë kaherë katër tipare thelbësore të shtetit: (1) popullsia; (2) territori; (3) qeveria; dhe (4) aftësia me hy në marrë­dhanie me shtete të tjera. (ShBA-ja e vendet e tjera t’Amerikës patën kodifiku këto elemente në Konventën e Montevideos më 1933.) Por marrëveshja e sotme ia më­njanon Kosovës elementin e katërt. Siç kam thanë ma parë, pushtetarët tanë ka kohë që na kanë lanë pa qeveri të mirëfilltë, e se na kanë mbetë veç territori i rre­zikuem dhe popullsia e dërrmueme prej mërgimi.

* * *

Kështu po e humbim shtetin, dhe me shtetin po humbin ekonominë, ashtu përtokë.

Do njolla të kësaj të zeze i kemi pa ma heret, por sot Avdullahu na e qiti krejt tubë në sofër. Kurrkush s’na ka poshtnu ma fort që sa e sa vjet.