Solidarizohem me të mbijetuarit në Kosovë që ndihen të fyer nga sharja “egërsira”, ajo na fyen të gjithëve, të madh e të vogël. I gjykoj njëherit shfaqjet e dhunës, e dëmtimet e pronës publike dhe private.
As prona publike, as ajo private, s’i përkasin “qeverisë” po neve qytetarëve. Thërras gjyqësorin të shqiptojë dënimet më të ashpra të mundshme për secilin që ngre dorën për ta prishur një protestë të denjë nënash e qytetarësh.
Zt Jabllanoviç duhet të shkojë, sa më shpejt, aq më mirë. Bashkë me të bën mirë të shkojë edhe kryeministri Isa Mustafa, përgjegjësia lypet nga lart poshtë.
Ta them të drejtën, unë personalisht nuk habitem që Isa Mustafa, ky kolaboracionist publik i Millosheviçit, e mban nën sqetull dikë si Jabllanoviçin. Por habitem si e mban këtë nën sqetull edhe me çmimin e trazirave nëpër rrugë e sheshe. A s’është ky qëndrim e kundërta e asaj që duhet ta bëjë një kryeministër i përgjegjshëm?!
Më vjen shumë keq që Kosovës i ka rastisur një kryeministër kaq i papërgjegjshëm mu në këtë kohë krize, kur pothuaj gjysma e popullsisë thotë se do të arratiset. Kosovës i duhen urgjentisht investime direkte të huaja, nëse do të mbijetojë. E pra, çdo investues i huaj trembet nga skena si këto të sotmet.
Keq e ke, or Isë. Nuk luftohet për pushtet kështu kaq pa skrupulla, deri në qytetarin e fundit.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=471