Turqia ka qenë i vetmi vend me shumicë dërrmuese myslimane që falë Atatürkut ndërtoi një shtet shekullar. Duke e njohur rrezikun e radikalizmit fetar, Atatürku para vdekjes la testament që në rast në Turqi rrezikohej shekullarizmi, atë ta mbrojnë gjeneralët e ushtrisë!
Dhe gjeneralët e kanë mbrojtur disa herë gjatë dekadave ekzistencë të shtetit të shekullar turk. Sidomos mbas përpjekjeve të mëdha të sovjetikëve për të përhapur komunizëm në Turqi, ishin pikërisht gjeneralët që e shpëtuan vendin nga kthimi në një shtet satelit të Bashkimit Sovjetik. Ushtria turke është në Nato, kështu që edhe kur është vendosur pushteti i gjeneralëve, siç ndodhi më 1980, prapë shteti funksionoi, duke mos u kthyer në diktaturë…
Për fat të keq gjërat u përkeqësuan shumë kur erdhi në skenë politikani Recep Tayyip Erdoğan, i cili nuk e kishte fshehur asnjëherë prirjen për të hequr shekullarizmin dhe për ta kthyer shtetin turk në një shtet fetar. Kjo prirje drejt fesë i nxori shumë probleme aspiratës turke për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Paralelisht me radikalizimin fetar, Erdoğani shtoi autoritarizmin, duke e kthyer qeverinë në një pushtet personal.
Mbas 10 vjetësh në pushtet, Erdoğani u shndërrua në një Putin të dytë, duke bërë cirk me rotacionin demokratik, herë si president e herë si kryeministër. Arriti ta përdorte edhe partinë kurde që të bënte ndryshimet kushtetuese që ia ndërronin natyrën shtetit turk. Aq thellë është futur Erdoğani në shtegun e autoritarizmit saqë në mars 2016 është shprehur në televizion se «demokracia dhe liria nuk kanë absolutisht asnjë vlerë në Turqi. Për ne, këto fraza kanë absolutisht asnjë vlerë më gjatë».
Disa herë ka bërë thirrje që gazetarët, avokatët dhe politikanët që kundërshtojnë autokracinë e tij të ndiqen penalisht si terroristë. Në këtë prapavijë shoqërore-politike vjen “puçi ushtarak” që ende nuk është e qartë nëse ishte grushtshteti apo një inskenim nga ana e vetë Erdoğanit për ta përdorur si justifikim për të konsoliduar përfundimisht pushtetin tashmë autokratik.
Lajm i keq për kthimin e sulltanin turk… lajm i keq për trojet shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, ku sulltani ka vjet që ka nisur emisarët e neoosmanizmit për të «ringritur lavdinë osmane», siç e ka thanë vetë haptazi disa herë Recep Tayyip Erdoğani.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4661