Unë bëj pjesë ndër ata që mendojnë se Albin Kurti bën shumë mirë që jep intervista të shpeshta. Në mungesë të institucioneve, të cilat vonojnë pa fajin e tij, mediat mbeten një rrugë e komunikimit me publikun. Dhe publiku ka nevojë të dëgjojë se ku qëndron kryeministri i ardhshëm i Kosovës në një sërë çështjesh, e të risigurohet herëpashere se ka zgjedhur drejt.
Le të kujtojmë bashkarisht se ky është rasti i parë që Albini i flet direkt publikut të gjerë, pra një auditori më të madh se Lëvizja VETËVENDOSJE! Gjer sot, Albini ka qenë më fort objekt se subjekt lajmesh. Mediat e kontrolluara ose të frikësuara nga pushtetarët e mëparshëm kanë folur për Albinin, por jo me Albinin. Ai nuk është intervistuar por është etiketuar, si mashë e Serbisë, vegël e Rusisë, anarkist, nacionalist, fashist e stalinist njëherit, në një rrëke të pashembullt të pisllëkut dhe ujërave të zeza mediale. Një pjesë e mirë e kësaj rrëkeje ka buruar edhe nga kahja e atyre që Albini i afronte si aleatë. (Emra s’po përmend, por ne i dimë të gjithë.)
Mirëpo, tashti pas zgjedhjeve, kanë ndryshuar gjërat. Mediat guxojnë t’i qasen Albinit e ta invervistojnë, guxojnë të marrin fjalët e tij prima facie. Dhe çfarë fjalësh se. Janë fjalët që na kanë munduar të gjithëve me dekada, në të gjitha anët e kufijve tanë ndërshqiptarë. S’bëhet fjalë këtu për elokuencë boshe e manipulante a-la Nano, se e kemi tavanin plot llafazanë. Por për fjalë të shkoqura të një njeriu të ndershëm që mban qëndrim, e që ka kredencial moral ta bëjë këtë. Ne shqiptarët s’jemi të llastuar me krerë të pakorruptueshëm që kanë edhe ethos edhe pathos. Natyrisht që ka një uri në publik për këtë specie të re në politikë. Natyrisht që mediat e presin në radhë.
Kam përshtypjen se ky është ai guri në këpucë që u dhemb kritikëve. Freudi do të thoshte se vuajnë nga zili penisi, pse Albini e ka atë gjënë që e bën të dukshëm në kamera dhe krerët e tyre s’e kanë. E duan të tredhin, ta disiplinojnë. Pse s’merr izë ai djalë? Pse s’pret diku në një qoshk sa t’i thërrasin emrin, si një çun i sjellshëm?
Epo, përgjigjja e thjeshtë është se Albin Kurti nuk është çun i sjellshëm. Ndërsa përgjigjja më e gjerë thotë se këtij vendi s’i duhet një çun i sjellshëm, por një njeri i ndershëm; e se ka raste, si ky tash, kur këto dy kategori janë ndërsjellazi përjashtuese.
Unë e mirëpres çdo paraqitje të Albinit në media. Sa marr vesh, kështu bëjnë prindërit e mi, të gjithë familjarët, shokët e shoqet, e shumica e bashkatdhetarëve me të cilët komunikoj, qoftë në Ballkan, qoftë në mërgim. Tash që i ka rënë gjindjes perdja prej syve, dhe mund ta shohin atë njeri ashtu siç është, ashtu si ka qenë gjithmonë. Thjesht, nuk ngopen dot me të.
S’i bën kujt keq paraqitja e shpeshtë e Albinit në media. E ngre nivelin e debatit, e sofistikon gjuhën e politikës, e qartëson konceptin ideor të Lëvizjes. Mund të shijojë si ilaç i hidhur, por u ndihmon në fakt edhe oponentëve të tij. U jep leksion. Nëse duan të mësojnë, bëhen më të mirë edhe vetë dikur.
Mos i bini në qafë Albinit. Ai po bën gjënë e duhur. Ai ka bërë gjithnjë gjënë e duhur. Ushtroni trysni që të themelohen institucionet, që të punojë shteti. Atëherë ka më pak kohë, supozoj. Por gjer atëherë, mos i bini djalit në qafë. Se ne të gjithë, përkrahës a oponentë të tij, kemi nevojë për të.
Foto: Albin Kurti në protestë (Agron Beqiri, 2013, me licencë CC BY-SA 4.0)
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2N7luJO