Makthi i një serbi të Kosovës



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ata që i sollën tmerr e lemeri shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90 u janë turrur tani serbëve në veri të Ibrit. Por Prishtina nuk do të lejojë një tjetër tragjedi brenda territorit të saj sovran

Prishtinë — Menjëherë pas dhunës në veriun e Kosovës, Serbia po bën një përpjekje të zorshme për të shfajësuar veten. Akuzon Prishtinën për tollovinë që ndodhi dhe tensionin që po vazhdon, mu ndërkohë që në terren i gjejmë zyrtarët e Beogradit, tek i vënë pengesa sundimit të ligjit.

Ministra qeverie, sekretarë shtetërorë e përfaqësues të tjerë të lartë pandehin se ndodhen në Kosovë për t’u dalë krah serbëve vendas. Ata kanë nevojë për mbështetje, thonë zyrtarët serbë, për t’u mobilizuar kundër orvatjeve të Prishtinës për të vendosur rendin e vet.

Mirëpo tabloja faktike flet për një mision tjetër të përfaqësuesve serbë, ndërsa këta hyjnë ilegalisht në Kosovë jo për të ndihmuar popullin por organizatat ilegale. Duke vepruar në emër të Republikës së Serbisë dhe në lidhje të ngushtë me një rrjet të gjerë kriminal, të ashtuquajturat struktura “paralele” (ndaj institucioneve të ligjshme të cilat thuajse nuk veprojnë) në veri kanë shërbyer si mjet i fuqishëm për destabilizimin e Kosovës. Diplomatët e Beogradit do të përdornin më pas gjendjen për të argumentuar kundër pavarësisë së vendit tonë dhe do të kërkonin aneksimin e pjesës veriore.

Në pamundësi për të dërguar trupa tokësore për shkak të pranisë së paqeruajtësve të NATO-s në ato anë, “shteti i Shën Savës” mbështetet në struktura paramilitare për të zbatuar qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Por për të arritur këtë, i detyron serbët vendës të jetojnë në një vend pa ligj, ku buka fitohet vetëm duke u shërbyer organizatave ilegale e kriminale.

Strukturat e paligjshme dhe krimi i organizuar në veri ndikojnë negativisht në ekonominë e Kosovës dhe, ç’është më e keqja, shkelin sovranitetin shtetëror. Por barra më e rëndë vihet mbi qytetarët vendës. Ndërsa Prishtina merr hapa të duhur për të vendosur autoritetin e vet në rajonin problematik, strukturat ilegale, tek ndiejnë ogurin e vdekjes, janë gati të flijojnë popullin për të parandaluar rënien e tyre.

Kontrolli kosovar mbi dy pikat kufitare të rajonit ua pret kriminelëve rrugët që kanë përdorur për të kontrabanduar mallra, që nga ushqimet e karburantet, deri tek armët e narkotikët. Prishtina merr hov në përpjekjen për të shtënë në dorë territorin e saj, ndërsa Beogradi fillon të humbasë rolin dhe i dobësohet ndjeshëm pretendimi mbi Kosovën. Zyrtarët serbë dhe vartësit e tyre në Kosovën veriore ngrihen në kundërshtim.

Në bashkëpunim me përfaqësuesit e Beogradit, organizatat e paligjshme i nxjerrin serbët vendas nëpër rrugë për të ngritur barrikada që do të ndalonin policinë dhe doganierët për të arritur në vendkalimet kufitare. Por ndërsa nacionalizmi shkatërrimtar e shtyn Serbinë në këtë lojë dhe grupet mafioze luftojnë thjesht për mbijetesën e tyre, populli i bashkëngjitet demonstratave, meqë nuk ka zgjidhje tjetër.

Strukturat ilegale kanë detyruar dhe shantazhuar civilët që të marrin pjesë në protesta për bllokimin e rrugëve. Ato lëshuan urdhra “zyrtarë” që secili punonjës të kalojë disa orë në ditë në demonstrata. Ata që nuk përmbushin “detyrën” u tha se do të humbnin vendet e punës; ata që kërkojnë punë tjetërkund, në tregun e ligjshëm të punës në Kosovë, rrezikojnë të humbin jetën. Sulmi i kohëve të fundit mbi gazetarin serb të një televizioni prishtinas ilustron me përpikëri shkeljet e të drejtave të njeriut në veriun e Kosovës.

Nga natyra e turbullt e rajonit, është e vështirë të përcaktohet se deri në ç’masë ekstremistët e armatosur kanë detyruar civilët që të protestojnë. Një hollësi, megjithatë, e vërteton KFOR-i: se militantët kanë depërtuar në mes të turmave gjoja paqësore, të gatshëm për të provokuar forcat e rendit që të hapin zjarr e të shtënë pa dallim edhe mbi civilët. Kjo situatë bëri që paqeruajtësit të tërhiqen pas një përpjekjeje të mëparshme për të larguar barrikadat mbrëmjen e së premtes, ndërsa u forcoi bindjen zyrtarëve serbë se populli nuk do të braktiste rrugët.

Gjatë viteve 1990, shtypja serbe u solli tmerr e lemeri shqiptarëve dhe bashkësive të tjera jo-serbe në Kosovë. Sot, më 2011, dhuna dhe manipulimi i nxitur nga Beogradi përbën kërcënim të ngjashëm për serbët në veri të Ibrit. Për të acaruar gjendjen, zyrtarët serbë paralajmërojnë se po afron një katastrofë humanitare–ndonëse këtë përpiqen ta krijojnë vetë.

Me ndalimin e mallrave serbe në Kosovë si masë reciprociteti ndaj Beogradit, serbët kanë njoftuar për mungesa të ushqimit dhe ilaçeve. Por vështirësitë mund të shfaqen vetëm përderisa strukturat ilegale nuk e lënë popullin të ketë qasje në tregun e pasur e të ligjshëm të Kosovës dhe të përfitojë nga ndihma e qeverisë, e cila u takon gjithë qytetarëve të vendit. Bandat, ndërsa përpiqen të keqësojnë rrethanat, tashmë kanë penguar dërgimin e artikujve emergjentë dhe po vazhdojnë të mbajnë të izoluar serbët vendës.

Sidoqoftë, Kosova është e vendosur të frenojë tragjedinë që ia ndjell fqinji dashakeqës. Rrjedha ka nisur të marrë kah të mbarë, ndërsa KFOR-i vazhdon të shpërndajë turmat dhe të heqë pengesat në rrugë anësore që çojnë drejt pikave kufitare, ndërsa vendkalimet 1 e 31 tani janë hapur sërish. Për të ofruar zgjidhje të menjëhershme, qeveria e Kosovës ka njoftuar se është gati të ndihmojë duke furnizuar me ushqime qytetarët e saj në veri; në planin afatgjatë, ajo qëndron e palëkundur krah synimit për të vendosur rendin kushtetues në mbarë trevat e republikës.

Për të përjetësuar autoritetin e saj në veri, qeveria duhet të zbatojë rregullat që i ka vënë vetes: serbët atje duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta, liri e mundësi si qytetarët në pjesët e tjera të vendit. Por për ta bërë këtë të mundshme, qeveria dhe partnerët e saj ndërkombëtare duhet së pari të asgjësojnë strukturat ilegale dhe të mbrojnë kufijtë e Kosovës nga falanga smirëzezë e Beogradit.

Botu fillimisht anglisht në revistën gjermane GT Worldwide, dhe në bllog vetjak, më 1 gusht 2011