As Hitleri e as Mussolini s’u bënë diktatorë me shumicë votash. Ata thjesht udhëhiqnin secili partinë me më së shumti deputetë, dhe falë dredhive, frikësimit dhe ligjeve të dobëta, mbërritën majat e pushtetit. Që vendi ynë të mos e ndajë të njëjtin fat, ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën sa më parë.
Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë javë aktgjykimin për rastin e kryekuvendarit të Dardanisë. Ngrehimet e një shteti demokratik mund të gabojnë shpesh në punën e tyre, dhe për këtë s’ka gjithaq vend me u hatru. Përgjegjësia bie mbi popullin sovran që t’i zhbëjë gabimet.
Këtu nuk bëhet fjalë si m’e tejkalu një ngërç të rëndomtë politik, duke e nxitë bllokun opozitar të bashkëqeverisë me PDK-në. Detyra jonë është me e ndreqë së pari Kushtetutën, që zgjedhjet e lira i kthen në garë të rëndomtë vrapimi dhe pushtetin e popullit ia njeh padrejtësisht partisë.
Një demokraci e mirëfilltë mbron të gjithë qytetarët pa dallim, mirëpo fuqinë me marrë vendime ia njeh përgjithësisht shumicës. Me pritë pëlqimin e të gjithëve është jo vetëm e paleverdishme (meqë veprimi njëzëri mund të mos ndodhë kurrë), por edhe shton rrezikun që një pakicë e paarsyeshme ta shfrytzojë ecurinë vendimmarrëse për të arritë qëllime të liga. Kur sundon pakica, përfundimi i natyrshëm është tirania.
Kjo e bën shumicën mesin e artë në demokraci, ku qeveria duhet të burojë nga populli me mbi gjysmën e votave në zgjedhje të lira. Ligji s’bën t’ia japë pushtetin si shpërblim bonus atij që s’e ka fitu, e aq më pak ta quajë “fitues” një grup që ka veç tri prej dhjetë kokrrave të hedhura.
1.
Historia e Evropës jep mësimet më të vyeshme pse qeveria e një vendi duhet ta gëzojë përkrahjen e njëmendtë të popullit.
Adolf Hitleri e as nazistët s’i fituan kurrë zgjedhjet në Gjermani. Më 1932, prijësi nazist mori vetëm pak mbi një të tretën e fletëve dhe nuk ia doli me u zgjedhë kryetar i vendit. Rajhspresidenti Paul von Hindenburg e fitoi një mandat të dytë me përkrahjen e shumicës.
Partia Naziste nuk e fitoi shumicën as në zgjedhjet për Rahjstag. Në korrik 1932, mori pak mbi 37 përqind të votave. Duke qenë se partitë më të vogla s’pranonin me bashkëpunu me nazistët, vendi shkoi sërish në zgjedhje mbrenda vitit. Në nëntor, përkrahja për NSDAP-në ra për nja katër pikë.
Por për karriget e deputetëve nuk pati as balotazh e as udhëheqës popullor si Marshalli von Hindenburg. Rajhstagu i përçarë nuk arrinte me e nxjerrë një koalicion të qëndrueshëm qeverisës. Dhe pas dy kabineteve të pakicës, von Hindenburgut iu detyrua vendimi që deri atëherë s’kishte pranu ta merrte.
Rajhspresidenti emroi për kancelar Adolf Hitlerin, ani pse ish-kundërshtari i tij nuk e komandonte shumicën në Ditësin gjerman. Prijësi nazist, që më parë kishte premtu se partia e tij do e synonte pushtetin vetëm në rrugë demokratike, shfrytzoi dobsitë e kushtetutës së kohës për t’u bë diktator i Gjermanisë.
Partia Nacionalsocialiste e Puntorëve nuk e mori shumicën e ulëseve në ligjvënëse as në zgjedhjet e reja fill mbas emrimit të Hitlerit. Ani pse pushtetarët nazistë shtypën masivisht partitë kundërshtare, mezi iu afruan vetë 44 përqindëshit.
Hitleri e shtroi diktaturën e plotë tek mbasi detyroi me forcë, rrena e shkelje ligjore Rajhstagun e ri t’ia dorzonte pushtetin ligjvënës kancelarit të vendit. Të parat viktima të ligjeve vetjake që nxori Hitleri qenë deputetët jonazistë. (Von Hindenburgu vdiq nga mosha e shtyrë një vit më vonë.)
Gjermania kështu u kthye në shtet njëpartiak me Hitlerin në krye, ani pse populli gjerman kurrë s’e zgjodhi ate për fyhrer kombi. Skajshmëtarët e djathtë nuk fituan qoftë dhe njëherë të vetme shumicën në zgjedhje të lira e demokratike. Apo ndoshta fituan? Zgjedhjet farsë, pasi shuan çdo opozitë.
Në Gjermani apo kudo sot, mbase e fundmja gjë që i duhet popullit është një qeveri pa miratimin e tij.
2.
Në vitet e para të pushtetit, diktatori italian Benito Mussolini i druhej sprovës së demokracisë. Si grup skajshmëtar, Partia Fashiste kishte pak gjasa ta krijonte një kabinet të qëndrueshëm, edhe sikur të dilte e para në zgjedhje të lira. Shpresa e vetme ishte me e ndryshu sistemin e qeverisë.
Formulën e gjeti më 1923 Baroni Giacomo Acerbo, mbiemri të cilit çuditrisht domethënë “i papjekur.” Deputeti fashist paraqiti një varg ndryshimesh në ligjin zgjedhor, përfshi dhe këtë rregull bizar për ndarjen e ulëseve në parlament:
Zyra qendrore kombtare:
1 – llogarit shumën e të gjitha votave të fituara nga secila listë në mbarë mbretrinë;
2 – pasi të vërtetojë listën që ka arritë njëzetepesë përqind të votave të vlefshme dhe ka fitu më së shumti vota në shkallë vendi, ia ndan kësaj [liste] dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, që i bie 366, duke i shpallë të zgjedhur, në qarqet e tyre, të gjithë kandidatët e së njëjtës listë me radhë sipas numrit të votave individuale që kanë fitu.
[Legge Acerbo], Legge n. 2444/1923 (Modificazioni alla legge elettorale politica, n. 1495), art. 84-bis, Gazz. Uff. Ital., n. 283, p. 1 (1923-12-03).
Ku me kërcënime e ku me dredhi, Mussolini e siguroi përkrahjen e deputetëve për ta miratu Ligjin e Acerbos. Tani, Partisë Fashiste do i mjaftonte me i fitu 25 përqind të votave në zgjedhje dhe – përderisa ishte grupi me më së shumti vota – do i merrte dy të tretat e vendeve në dhomën e ulët të ligjvënëses.
Në zgjedhjet e 1924-ës, fashistët morën mu dy të tretat e krejt votave. Dhe teknikisht nuk pati nevojë për Ligjin e Acerbos. Por ai i ndihmoi pamohueshëm fuqizimit të Duçes. Shum deputetë nga parti tjera iu nënshtruan fashistëve, tu mos pa rrugë tjetër për ta rujtë karrigen. Grupeve që nuk pranonin me bashkëpunu u bëhej kështu edhe më e vështirë mbijetesa. Ndërkaq, shteti policor i Mussolinit i dha edhe një të rame të mbrame votës së lirë.
Për dallim nga nazistët gjermanë, që s’morën kurrë shumicën në përballje me parti tjera, fashistët në Itali kremtuan një fitore zgjedhore dhe një fitore të rrastë madje. Mirëpo me thënë se ata fituan zgjedhje të lira e demokratike është gjykim i gabuar.
Mbrenda një viti mbas zgjedhjeve, Mussolini edhe formalisht e ktheu sistemin e qeverisjes në diktaturë. Mbetën sapërsyefaqe dy autoritete që mund ta sfidonin pushtetin praktikisht të pakufizuar të Duçes: (1) mbreti një-pëllëmbë-mbi-tokë, i cili e kishte caktu Mussolinin në krye të qeverisë, dhe (2) Këshilli i Naltë i Fashist.
U deshtën gati dy dekada kohë dhe disfata e Italisë në luftë që Këshilli ta shkarkonte Duçen dhe Viktor Emanueli III ta emronte një kryeministër të ri më 1943. Më së rëndi, plagët e sundimit të Mussolinit i ndjeu populli shqiptar. Tërheqja e italianëve pas një pushtimi katërvjeçar i la shqiptarët në mëshirën e fatit – pa shtet dhe nën kërcënimin e Jugosllavisë komuniste, për fajin e një ligji të keq.
3.
Në frymën e aktgjykimit të kësaj jave, që citoi zgjërimisht ligje e rregullore të huaja, po i huazoj këto shqitje nga autoritetet amerikane:
I gjithë pushteti politik i përket popullit, dhe të gjitha qeveritë e lira themelohen mbi autoritetin e popullit dhe ngriten për të mirën e tij. Besa e popullit të Teksasit qëndron e dhënë me e rujtë formën republikane [dhe demokratike] të qeverisë dhe, me këtë kufizim si të vetmin përjashtim, populli gëzon në çdo kohë të drejtën e patjetërsueshme me e ndryshu, riformu ose shfuqizu qeverinë e tij sido që ta gjykojë të volitshme.
Tex. Const., Art. I, § 2.
Këto fjalë ndodhen në Kartën e të Drejtave të Kushtetutës së Teksasit, miratu për herë të parë më 1876. Por pikpamjet që shprehin për lirinë janë trashëgimi nga etrit themelues të kombit amerikan. Thomas Jeffersoni, që më pas shërbeu si i dyti Kryetar i Shteteve të Bashkuara, shkroi disa prej fjalive më të bukura të anglishtes – më 4 korrik 1776, në Deklaratën e Pavarësisë:
Ne i mbajmë këto të vërteta për të vetdëshmueshme, se të gjithë njerzit krijohen të barabartë, se Krijuesi iu fal disa të drejta të patjetërsueshme, se mes tyre janë jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë, — Se për t’i siguru këto të drejta, mes njerzish ngriten qeveritë dhe pushteti i tyre i drejtë rrjedh nga pëlqimi i të qeverisurve, — Se kurdoherë që një mënyrë e qeverisjes bëhet shkatrruese e këtyre qëllimeve, është e drejta e popullit me e ndryshu ose shfuqizu atë, dhe me ngritë një qeveri të re, duke i vu themelet e saj mbi aso parimesh dhe tu e renditë pushtetin e saj në aso mënyre, siç atyre do t’u duket më e gjasshme me ua mundësu sigurinë dhe lumturinë.
Prajshmëria, njëmend, do të udhzojë se qeveritë e themeluara qëmoti nuk duhet të ndërrohen për shkaqe të lehta e kalimtare; dhe përkitazi gjithë përvoja ka tregu se njerzimi është më i prirë me vujtë, për aq sa mund t’i durojë të ligat, sesa t’i ndreqë punët e veta tu e shfuqizu mënyrën e qeverisjes me të cilën është mësu. Por kur një varg i gjatë shpërdorimesh e zaptimesh, që ndjekin padallim të njëjtin qëllim, dëshmon një paramendim me e nënshtru popullin ndaj despotizmit të pakufizuar, është e drejta e popullit, është detyra e tij, të flakë tej një qeveri të tillë, dhe të caktojë rojtarë të rij për sigurinë e vet në t’ardhmen.
U.S. Declaration of Independence (July 4, 1776). [Shih tekstin e plotë të Deklaratës e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara në gjuhën shqipe.]
Parimisht, ligji nuk mbërrin jashtë truallit shtetror. Mirëpo ka ligje që shprehimisht vlejnë për kudo në botë. Dhe kur ato zbatohen në një shtet tjetër, në përgjithësi ia cenojnë atij sovranitetin. Ky tagër jashtëtrullor i një qeverie të huaj e shqetson cilëndo shoqëri demokratike e të ndërgjegjshme për lirinë e vet.
Por një përjashtim i domosdoshëm, kam bindjen, është me e njoftë ligjin e huaj kur ky s’është tjetër pos përshkrim i ligjit të natyrës. Andaj nuk shoh asgjë të pavend që ata pak rreshta të sjellë prej tejdetesh të vlejnë njëlloj edhe për truallin dhe popullin e Dardanisë. Është ligji i natyrës që na e dhuron pushtetin me e ndryshu kushtetutën që e kemi dhe me vendosë një rend ku sundon populli dhe jo partitë.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/20lZmMy