Për demokraci të mirëfilltë në Dardani, vyejnë ngutshëm shtatë ndryshime në Kushtetutë:
1. Zgjedhje me datë të paluajtshme — Zgjedhjet të mbahen të dielën e dytë të majit. Zgjedhjet për Kuvend të mbahen vetëm njiherë në çdo katër vjet. Zgjedhjet për kryetarë dhe asamble komunash të mbahen çdo katër vjet, dy vjet para ose mbas zgjedhjeve për Kuvend.
Zgjedhjet për Kryetar të Republikës të mbahen vetëm njiherë në çdo pesë vjet. [Për me kursyen paren e popullit, mund ta shqyrtojmë edhe kët ndryshim: Zgjedhjet për Kryetar të Republikës mbahen çdo gjashtë vjet në të njejtën ditë dhe vit me zgjedhjet për Kuvend ose zgjedhjet komunore.]
Kuvendi të mos mund të shpërndahet n’asnji mënyrë para përfundimit të mandatit të deputetëve.
2. Zvoglimi i numrit të deputetëve — Kuvendi të ketë 60 antarë. Mbas zgjedhjeve, të mund të caktohen deputetë shtesë, por jo ma shum se 10 të tillë, nëse shtimi do të ndihmonte me arrijtë përfaqësimin ma t’efektshëm të të dy gjinive dhe të gjitha bashkësive kombtare. Kushtet e përfaqësimit t’efektshëm të përcaktohen me ligj.
3. Viset dhe lagët zgjedhorë — Deputetët të zgjedhen si përfaqësues të nji visi të caktuem zgjedhor. Trualli i Dardanisë të ndahet në së paku 15 vise zgjedhore në mënyrë të barabartë, por tue marrë parasysh vijat e tanishme administrative dhe ndamjet e natyrshme mes trevave (rajoneve), komunave dhe vendbanimeve. Banorët e secilit vis zgjedhor të zgjedhin deri në katër deputetë.
Asambleistët komunorë po ashtu të zgjedhen si përfaqësues të nji lagu të caktuem zgjedhor. Trualli i nji komune të ndahet në numër të nevojshëm të lagëve zgjedhorë në mënyrë të barabartë dhe tue marrë parasysh ndamjet e natyrshme ose praktike mes vendbanimeve, fshatnave e lagjeve. Banorët e secilit lag zgjedhor të zgjedhin deri në katër asambleistë.
4. Zgjedhje jopartiake — Vetëm qytetarët veçeveç të kenë të drejtë t’i paraqesin emnat e tyne si kandidatë për zgjedhje. Kandidatët të mund të zgjedhin që, përveç emnit të plotë, në fletëvotime ta kenë edhe nji emën jozyrtar, nofkë ose emnin e nji partie ose subjekti politik të cilit i takojnë.
Përkatësia ose jo në nji parti a grup e nji kandidati të mos ketë kurrfarë ndikimi në të drejtën ligjore të kandidatit për t’u zgjedhë. Qytetarët të zgjedhin nji ose ma shum qytetarë kandidatë, pa marrë parasysh partinë ose grupin në të cilin marrin, ose nëse marrin, pjesë kandidatët. Vota e nji qytetari të mos i njihet asnji kandidati për të cilin nuk ka votue qytetari. Vota të mund t’i njihet nji kandidati vetëm si individ. Asnji votë të mos i njihet nji partie ose grupi.
Partitë ose grupet tjera të mos mund të regjistrohen për pjesëmarrje në zgjedhje ose të paraqesin listë kandidatësh. Kandidatët të jenë të lirë për t’u tubue në parti ose grupe, të zhvillojnë fushatë bashkarisht dhe mbi nji platformë e program të përbashkët, si dhe të përfitojnë mbrenda kufizimeve të ligjit nga mbështetja financiare prej nji partie ose grupi.
5. Mocioni konstruktiv i mosbesimit — Kuvendi të mos ketë të drejtë ta shkarkojë kryeministrin dhe kabinetin e ministrave pos tue emnue nji kryeministër të ri. Në rast se ngritin nji mocion mosbesimi ndaj qeverisë, deputetët të paraqesin edhe nji kandidat për kryeministër. Nëse kalon mocioni, atëherë kandidati i paraqitun merr detyrën e kryeministrit.
6. Ndamja e gjyqsorit nga politika — Gjykatat, tue përfshi Gjykatën Kushtetutese, të kenë të drejtë me shqyrtue vetëm lëndë ose mosmarrëveshje (angl. “case or controversy”) të mirëfillta mes palëve kundërshtare. Palët kundërshtare të jenë palë para gjykatës.
Landët të jenë të pjekura për shqyrtim gjyqsor dhe të përfshijnë nji mosmarrëveshje të gjallë. Nji mosmarrëveshje asht e gjallë atëherë kur njana palë i kërkon gjykatës ta ndalojë nji ligji a veprimi që vijon ose asht menjiherë gati me e damtue palën ose kur njana palë kërkon damshpërblim për damet që ka pësue. Nji palë nuk mund ta vejë në lëvizje gjykatën për damet ndaj nji pale tjetër që nuk asht palë para gjykatës.
Gjykatat po ashtu të mos kenë të drejtë të japin mendime këshilluese ose të shqyrtojë raste në të cilat vendimi i gjykatës nuk asht i plotfuqishëm. Gjykatat të mos shqyrtojnë raste politike, që përfshijnë çashtje të cilat u janë besue ose mund të zgjidhen ma mirë kur u lihen në dorë ngrehimeve që u nënshtrohen zgjedhjeve të drejtpërdrejta nga populli.
7. Mbrojtja e pamvarsisë së gjyqsorit — Gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese të shërbejnë për 15 vjet me sjellje të mirë. Pas përfundimit të mandatit në sjellje të mirë, gjyqtarët e cilësdo gjykatë të gëzojnë pension mujor prej të paktën gjysmës së pagës mujore që kanë marrë gjatë mandatit. [Oroe: Mandati 15-vjeçar asht rrumbullaksim i kohëzgjatjes së punsimit që kish me u mundësue gjykatësve me punue të pamvarun, në shum raste deri në moshën e pensionimit, pa shqetsim të ngutshëm për karierën mbas përfundimit të mandatit.]
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1kiyPyH