Turqia, vend demokratik?


Avatar photo

Mario Kuçi

Student nga Shqipëria. Banon në Gjermani. Pëlqen historinë, politikën dhe temat shoqërore si barazia gjinore apo dhe roli i shkencës në jetën e njeriut.

Si pasojë e përpjekjes për një grusht shteti në Turqi, nëpër rrjetet shoqërore po diskutohet gjerësisht mbi Turqinë dhe politikën e saj. Një prej gjërave që bie në sy është se kundërshtarët e grushtit të shtetit — që nuk janë vetëm përkrahësit e kryetarit Recep Tayyip Erdoğan — thonë që qeveria turke është qeveri «demokratike», dhe rrjedhimisht ka legjitimitet qeverisës.

Te kjo pikë duhet të ndalemi pak: çfarë do të thotë demokraci në radhë të parë?

Fillimisht, termi demokraci në kuptimin e parë të saj do të thotë «sundim i popullit» ose më kontekstualisht «sundim i shumicës» — nga greqishtja e lashtë δῆμος (dêmos), populli, dhe κράτος (krátos), pushtet ose sundim.

Por sot, faktikisht, shkencat politike nuk i referohen kuptimit të parë të demokracisë kur e përdorin atë term, shkencat politike i referohen kuptimit modern, pra demokracisë liberale që nënkupton, mes tjerash, institucione përfaqësuese, zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të pushteteve, liri të shprehjes dhe fjalës, liri politike, liri ndërgjegjeje dhe qeveri që respekton pakicat kombëtare e opozitën politike.

Turqia, sipas një raporti nga The Economist, cilësohet si «regjim hibrid» (pra, as demokratik, as autoritar), por në kategorinë e lirive individuale është më afër me regjime autoritare si Vietnami, Egjipti dhe Zimbabveja, se sa me pjesën tjetër më demokratike. Organizata Freedom House e cilëson Turqinë si vend «jo të lirë», ndërsa Reporterët pa Kufij e rendisin të 149-n nga 180 shtete në botë për lirinë e fjalës.

Më konkretisht, Turqia është një nga vendet që fut më shumë gazetarë në burg dhe ku policia bastis media opozitare rregullisht. Po ashtu, ka pasur raste që fëmijë 12-vjeçarë janë futur në burg sepse kanë «ofenduar» Erdoğanin në Facebook. Madje, ka pasur dhe raste të tilla ku burri ka denoncuar gruan se shante Erdoğanin, që të kujton më shumë diktaturën enveriste në Shqipëri sesa ndonjë vend demokratik.

Qeveria turke, si justifikim kundrejt kritikëve se zgjedhjet i japin legjitimitet asaj i sheh dhe akuzat e autoritarianizmit si të pabaza. Ajo thekson se institucione formalisht të pavarura si Komisioni Zgjedhor i ka certifikuar zgjedhjet dhe se ata kanë fjalën e fundit në lidhje me ankesat për zgjedhjet, të cilat kryesisht pushohen.

Këto argumente kanë probleme të shumta se, siç e thamë më lart, demokracia liberale nuk funksionon vetëm mbi shumicat e thjeshta, pasi historia na tregon raste si Gjermania që në zgjedhjet e korrikut të 1932 votoi për Hitlerin me shifra të theksuara. Fakti që Hitleri mori votat e shumicës nuk e legjitimonte faktin që Gjermania më pas u kthye në shtet totalitar. Demokracia, në kuptimin e saj institucional, është diçka në thelb e vazhdueshme dhe jo thjesht zgjedhje një herë në disa vite. Në këtë aspekt, Turqia me sulmet e ndryshme ndaj gazetarëve dhe opozitës duket qartazi që ka probleme të mëdha.

Nga ana tjetër, instuticionet formalisht të pavarura si Komisioni Zgjedhor që vazhdimisht certifikon zgjedhjet në Turqi, kanë treguar në vendimmarrjet e tyre që është në fakt një institucion i kapur nga qeveria. Në qoftë se shihen me vëmendje vendimarrjet e këtij institucioni, koherenca profesionale vështirë se mund të dallohet. Vendimet shpesh janë haptasi kontradiktore, por thuasje gjithnjë tregojnë anshmëri të theksuar nga qeveria. Raporte të shumta jo më kot kanë shprehur vazhdimisht kritika të forta mbi fushatat zgjedhore në Turqi, ku kritikat ndaj Komisionit Zgjedhor dhe ndërhyrjes së qeverisë në media dallojnë veçantërisht.

Përfundimisht, edhe pse mendoj se duhet të jemi kundra grushtit të shtetit, duhet të pranojmë se Turqia nuk është vend demokratik, të paktën nëse me demokraci nënkuptojmë demokracinë liberale dhe jo diktaturën e shumicës. Gjithashtu, mbështetja e shumicës për qeverinë turke është e dyshimtë, për shkak të problemeve të shumta gjatë proceseve zgjedhore.

(përditësuar 31.10.2019)

Foto: Recep Tayyip Erdoğan, 2013 (Evrim Aydın, Anadolu Ajansı)

Shih edhe: Dy fjalë për Turqinë