M'inati të resë, më dektë djali

Përfaqësuesja dardane sod luan ndeshjen e parë me bekimin e FIFA-s. Apartheidi ndërkombtar ndaj gjysmës së kombit tonë ka nisë të marrë fund. Ky lajm duhet t’i gëzojë të gjithë shqiptarët.
 
Lajmi duhet të na gëzojë, ndonse s’asht krejt çka kemi dashtë. Po luan Kosova «me fusnotë». Pa simbolet e shtetit. Madje vetëm ndeshje miqsore. Por ky asht fillimi. Ngujimi që i ka përcjellë futbollistat tanë prej vitit 1990 ka zanë me u tretë.
 
Apo ndoshta ti don me e çue kët punë edhe ma larg dhe me u ankue se po na bahen ndahet kombi në gjysmë. «Një komb, një kombëtare», thua dhe i bashkangjitesh atij grushti tifozësh që ia kthyen shpinën përfaqësueses dardane teksa kjo e ban sefte zyrtarisht arenën botnore.
 
Mund t’ankohesh për kombtaren kuqezi. Ne e duam sa e don dhe ti. Dhe të gjithë duam bashkimin kombtar. Por kjo asht çashtje e politikës dhe na s’mund ta ndryshojmë. Veçse politika s’ka pse të na dëshpërojë, se na kemi detyrë mbas detyre pa ba që kërkon mend e mund.
 
Sfida e parë botnore e përfaqësueses së Dardanisë asht lajm i mirë për kombin tonë. Sepse aq sa u shkon kumt i hidhët atyne që ende përkrahin racizmin në sport, ashtu vjen sihariq tek ata që duan t’i shohin shqiptarët të fortë.
 
Se si mund të jetë ndryshe që rikthimi rreth votrës të mos u bahet shqiptarëve makth (në mes t’andrrës për bashkim), kur nji vëlla zotni të shohë tjetrin të thajshëm, të hutuem e të ndrojtun para tij? Detyra jonë asht me u sigurue që bashkimi të ndodhë për së mbari.
 
Dikush mund të thotë – dhe deri diku me të drejtë – se na nuk jemi ma ata që ishim 20 vjet ma parë. Se tash e kemi përmbysë kufinin dhe endemi, njihemi e bashkëpunojmë nga Llapi në Labëri. Por goxha edhe nuk endemi, nuk njihemi e s’lidhemi krah më krah siç i ka hije nji kombi të zhvilluem.
 
Për këto 15 vjet të mbasluftës, Shqipnia Londinare e Dardania kanë liga të ndame në pothuajse çdo sport. N’ato pak përvoja që kanë pasë jashtë shtetit, klubet nga Prishtina e Peja janë ndeshë me ekipe maqedonase e bullgare po aq shpesh sa ç’janë takue me skuadrat nga vendi amë.
 
Flamurtari i Vlorës mund të ketë pasë ma shum tifozë në Kosovë nji çerekshekull ma parë se ç’ka sod atje cilatdo skuadër e Shqipnisë. Liria e Prizrenit përjetoi nderin ma të madh në mes të Luftës së Dytë Botnore, kur mori pjesë në kampionatin mbarëkombtar më 1942 (nji nga tre stinorët që FSHF-ja edhe sod mundohet t’i fshijë nga historia e vendit). Ndërkaq, gjasat që Prishtina a Trepça të garojnë n’Evropë si klube shqiptare nuk janë shqyrtue ndonjiherë përtej rreshtave ngacmues në nji artikull gazete rreth llafeve të federatave tona.
 
Me kambëngulë tash para kohe në «një kombëtare» asht si me thanë se ne i kemi krye detyrat tona dhe se të tjerët po na e bajnë me hile. Kurse me e përbuzë skuadrën dardane në takimin e parë ndërkombtar asht mallkim dëshpërues që s’na shpie akund. Kësaj pune i thonë, «m’inati të resë, më dektë djali».
 
Dardanisë po i hapet nji derë drejt botës dhe ky asht lajm i mirë. Të dy vendet shqiptare mund të bajnë ma shum për bashkim kombtar, ndërsa Shqipnia Londinare t’i ndihmojë shtetit të ri me i tejkalue pengesat ndërkombtare. Por Dardania duhet të shfrytzojë mundësinë për t’u mëkambë dhe vetë. Sod po e nis mu at rrugtim. I priftë e mbara!

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje