Pablo Escobari s’ka qenë «cool». Mos e romantizo!

Escobar (Getty Images)

nga Jeniffer Paola Varela Rodríguez, Popsugar (25.11.2019)

Vendi ku kemi lindë vjen me shumë shenja dalluese, si biologjike ashtu kulturore. Kolumbianët nuk përbëjnë përjashtim ndaj kësaj rre­gulle, por shenjat tona kul­turore janë ndytë me një periudhë tur­përuese në his­torinë tonë që përpiqemi me e heqë qafe prej se mbaj mend.

Jam e sigurtë që keni dëgju për Pablo Escobarin, atë ti­pin që shpesh e paraqesin me mustaqe dhe me sy të vegjël e të pa­sherr, por që në të vërtetë s’kanë qenë as­pak të tillë. Me u rritë në Kolumbi i bie me ditë thujse çkado që mundesh me ditë për të, sidomos për gjërat e këqija, dhe me udhëtu nëpër botë si kolumbian dome­thënë me bartë emrin e tij si barrë të dhimbshme në kuj­tesën kolek­tive që e sho­që­ron atë me gjithçka.

Për dallim nga ç’të shtyjnë me besu teleseritë si Narcos, Pablo Esco­bari s’ishte thjesht dikush që mposhti sis­­temin dhe krijoi «peran­do­­rinë» e vet nga fillimi. Mos gabo: ai ishte lord i dro­gës në Kolumbi, narko­terro­rist, dhe politikan që the­me­loi dhe udhëhoqi kartelin e Me­de­jinit (Me­dellín). Ai jo vetëm se besonte që mund të jetë mbi ligjin, por donte me qenë një lloj perëndie, i rrethuar me kafshë të stër­vitura posaçë­risht, me luks, dhe një jetë plot teprime, për­fshi ekipe të fut­bollit që paguheshin me lujtë me rezultatet që ai i dëshironte.

Ai ishte përgjegjës për erën ma të tmerrshme në vendin tonë: një kohë në të cilën s’guxoje me dalë vetëm prej shtëpie, sepse nëse një nga këta tipat të shih­nin dhe donin me të marrë (si grue, për qejf, ose çkado), duhej me iu bindë. Ai i trajtonte vaj­zat e gratë si objekte, duke i përdorë për argëtim ani pse ka pasë grue e fë­mijë, dhe duke pagu punë­tore të seksit që mis­tershëm dhe volitshëm zhdukeshin pas atyre netëve sapo kishin «kry punën e tyre». Ai i ndiq­te mizorisht policët për t’i vra, dhe jepte shpërblim për secilin që ia sillnin të vdekur. Ai është arsyeja pse na kontrollojnë aq shumë nëpër aeroporte e amba­sa­da në tërë botën.

Dhe ma e rëndësishmja: ish­te vrasës. Organizata e tij është përgjegjëse për të pak­tën 5.500 vdekje brenda 4 vje­tëve. Qe ta bëj llogarinë: 1.375 njerëz të vdekur çdo vit, vetëm pse ai ka dashë. Sepse kështu bënte Esco­ba­ri. Nëse kishte diçka me ty, nuk të ndiqte veç ty, por fa­miljen tënde, shokët, fqinjët, e madje dhe njerëzit që ve­tëm rastisnin me qenë rreth teje.

Përkundër të gjitha këtyre, Escobari mbetet figurë shumë popullore në botë, duke u shfaqë në këngë repi, që shpesh i kushton në të­rësi atij, në posterë, copë­za «arti», seriale televizive, filma, dhe ku ta di unë. Por ai është figurë turpëruese dhe plaguese për ne kolum­bianët, që thujse gjithmonë dety­rohemi me shpjegu pse ai nuk është ai tipi kull që Kanye Westi ose Wiz Kha­lifa na kanë thënë se është. E ndjeva këtë detyrim para disa javëve kur pashë një­rën në punë që kish veshë një bluzë me pamjen e tij. Në bluzë kishte një foto tejet popullore të Pablo Escoba­rin me djalin e tij si turistë në Uashington-DC, shkrepë para Shtëpisë së Bardhë. Nuk e di pse kolegia ime po e veshte. Nuk mendoj se donte me dhënë ndonjë porosi poli­tike. Thjesht ishte një bluzë «kull», që i bën homazhe Escobarit. Është liria e saj me veshë çka të dojë, por mua më lëndoi thellë.

Më erdhi menjëherë me i nga pas dhe me i tregu sa fyese ishte ajo bluzë ndaj meje e ndaj të gjithëve kolumbianëve. U përpoqa me qenë e arsyeshme dhe u shkrova shoqërisë që, meqë kishin udhëtu e jetu jashtë vendit, ishin përballë me këto situata shumë herë. Ata më qetë­sunë dhe më këshillunë, me shumë logjikë, që të flas hapur e ndershëm me të, duke e pyetë nëse e dinte se kush ishte ai njeri, duke qenë se me vullnet kish vendosë me ia bartë foton në shtat. Dhe po të thoshte se e njeh, ka gjasa se e njeh vetëm versionin e serialit Narcos, kështu që do t’i shpje­goja ma në hollësi pse ai është figurë problematike për mue.

U bëra gati me u ballafaqu me të, me buzëqeshje e mendje të hapur, por ajo ishte largu. Dola nga salla e pauzës me një përzierje të pikëllimit e frustrimit. Por ideja po më shket në mend­je, në mesin e miliona gjë­ra­ve që kam për të bërë çdo ditë: Më duhet me i tregu dikujt për këtë. Pablo Escobari nuk ka qenë njeri i mirë, dhe kolombianët janë lodhë tue pa si të tjerët, që nuk e kuptojnë këtë realitet, ia adhurojnë imazhin pa një trohë dhembshurie për vuajtjet që na i ka shkaktu.

Kështu që herën tjetër që i këqyr Narcot ose të duket kull ose akt rebelimi me veshë një maicë a çkado me foton e tij, mendo për këtë: a do ta kishe veshë një maicë me foto të Hitlerit, ose një me pamjen e Osama bin Ladenit? A kishe dashë me pa dikë që u ka shkaktu aq shumë dhembje njerëzve të tu të portretizohet në aso mënyre të padijshme? Jam e sigurtë që ajo vajza në punë nuk e ka pasë këtë qëllim, por me gjasë qaq ka ditë. Shpresoj ta kem mundësinë me ia shpjegu një ditë.

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.