Për rreth gjysmë dekade në kohën e autonomisë, qytetarët e Prishtinës e ndërtuan Pallatin e Rinisë. Për gati një dekadë e gjysmë në “liri,” atë veç sa s’e shembëm krejt. Unë po e qes shpirtin në shitje për ta ndreqë koloseun e kryeqytetit. Ofertën mund ta pranosh vetëm duke tenderuar të plotë çmimin: Pallatin e Rinisë të rindërtuar plotësisht sipas projektit. Mallin ta dorëzojnë Plisat në u pëlqeftë si e ke krye punën.
KB Sigal Prishtina i paraqiti këtë javë lojtarët e rinj që do ta veshin fanellën bardhekaltër. Sivjet fuqia e basketbollit dardan synon titullin e parë ndërkombëtar. Por në javën hapëse të Ligës Ballkanike, Plisat presin një skuadër tonën, ani pse pak të njohur për tifozët vendas. Më 14 tetor, takohen dy prej sportklubeve më të moçme shqiptare, Prishtina e Vllaznia. Tek 15 vjet pasi shqiptarët shporrën uzurpatorët e dikurshëm të Pallatit të Rinisë, qëllojnë bashkë në një ligë skuadra prej dy shteteve tona.
Mjerim për ne, megjithatë, që s’u bëmë tok vetë por na bashkuan “armiqtë fqinjë,” ndërkohë që Prishtina s’ka as ku me e pritë Vllazninë. Palestra më madhështore që kanë ndërtuar ndonjëherë shqiptarët në trojet e tyre nuk është më.
Salla e Madhe e “Bororamizit” i mbijetoi shkatërrimit serb për t’u bë shkrumb fill pas lufte, kur një zjarr i dyshimtë nga depot e podrumit e përpiu edhe arenën e sportit e koncerteve. Tragjedia i struku sportistët në një skaj të ndërtesës gjigande, ku për fat mbeti gjysmëgjallë Palestra e Vogël – hapësira që u ndërtua të shërbente si krah e kurrë si zemra e jetës kulturore e sportive në Kosovë. Ndërsa vetëm Salla e Madhe zinte shlirë 6,000 a ma shum shikues, sot Pallati ka vend sa për çerekun e tyre. Teksa qyteti ëndërron dhe kurorat evropiane, a s’u takon basketbollistëve tanë një vendtakim më i denjë? Diku ku edhe Vllazninë, dhe jo vetëm ata që i kemi në Shkodër, t’i presim – dhe po patëm forcë, t’i mposhtim – me nder?
Kur s’mund të bëj tjetër, po nënshtrohem: qe pse po e qes në shitje shpirtin! Është shpirt i rëndomtë, i ruajtur e pa gritha. Por para se të druaj në i ka hak milionat o në do pendohem unë në ditë të pleqërisë, druaj në do jesh ti në gjendje ta pranosh ofertën, edhe po deshe me ble shkëfin tim. Sepse ofertën mund ta pranosh vetëm duke e rindërtuar në tërësi, ashtu si t’u pëlqejë vendasve, Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve.
E diçka ka që askush për gjithë këta vjet nuk arriti me ngritë sërish koloseun e kryeqytetit. Për rreth gjysmë dekade vetëqeverisjeje në kohën e Titos, prishtinasit e ndërtuan me djersë Pallatin dhe shestuan ndërtime shtesë që ngecën sapo nisi me u prishë Jugosllavia. Për gati një dekadë e gjysmë në “liri,” Pallati u dërmua dhe e dërmuan aq sa dikush guxoi me thënë: ta prishim krejt!
Ndërsa planet për ta rrënuar objektin mund të kenë qenë veç fjalë, projektet konkrete për rindërtim kanë mbetë thjesht letër dhe diçka ua ka penguar jetësimin. Ne si popull ose na ka munguar ndonjë gjë që kishim në Jugosllavinë komunistë, ose ne jemi njëmend racë e pavlerë që s’meritojmë të kemi shtet. Për njërën arsye o tjetrën, Pallati i Rinisë nuk është bërë prapë siç qe dikur. Dhe meqë atë e ndërtuan, jo pushtuesi serb, por vetë qytetarët e Prishtinës, e vetmja arsye pse ata s’kanë mbërri me e mëkëmbë sërish është mungesa e asaj që ua mundësoi me e ngritë koloseun që në fillim.
Të çliruar nga zgjedha e huaj, shqiptarët s’po e gëzojnë lirinë. U mungon ajo liri që me ëndrrat e tyre të mëdha dhe me shpirtin e rrallë sipërmarrës që kanë të arrijnë ta ndërtojnë Dardaninë.
Pas dekadash sakrifice, Kosova më 1970-tat fitoi një autonomi – gjysmë-lirinë e shqiptarëve për të ngritë një universitet, radiotelevizion, akademi shkencash dhe mirëqenien ekonomike. Jugosllavia s’ishte shtet demokratik, Kosova ishte atëherë pjesa më e varfër e Jugosllavisë dhe populli ynë një bashkësi e trajtuar praktikisht e ligjërisht si e dorës së dytë. Por në Dardaninë autonome, shqiptarët jetonin më mirë dhe më të lirë se kudo tjetër në trojet e tyre.
Duhet të paktën aq gjysmë-liri që ti të mund ta blesh shpirtin tim.
Por as aq nuk do të mjaftojë. Sepse, që ti ta pranosh ofertën time, jo vetëm duhet ta ndërtosh Pallatin e Rinisë, por dhe Plisat duhet t’i thonë “Amin” punës tënde. Dhe ata kanë të drejtë që për çfarëdo arsye të thonë “jo.”
Ti shkrije punën, Prishtina ka me thënë “jo” për sa të mos e ketë lirinë, për sa të mos e presë Vllazninë e kampionatit kombëtar e për sa të mos marrë pjesë (pa viza) në Euroligë. Plisat janë të etshëm të shkojnë në Beograd për lojë mes kombesh, jo për ligën e Serbisë. Qe pra pse nuk druhem për veten, por për ty. Se kur Prishtina të jetë e lumtur dhe Dardania krejt e lirë, do të ketë drejtësi dhe për mua. Ti do të jesh aq i zënë me punët tua, s’do të duhet shpirti im. Do ta ndërtosh palestrën e re në Tiranë, do të dhurosh për bamirësi, do ta kalosh kohën me të rinjtë dhe do të mendosh si me bë emër për vete pa u marrë me politikë. Ndoshta emrin tënd do t’ia lëmë Pallatit të Rinisë (kur e shohim që s’po na ndien kush, ende i themi për shkurt “Bo’ramiz”). Apo ndodh i lëmë emrin e (Dë)Borës që sa ka nisë klasën e parë e nesër do ta përdorë grantin që ti ia jep për të bërë mrekulli në shkencë.
Nejse, për lojë koshi të bëj shoqëri kur të duash. E tash nisja punës. Fjalën nuk ta luaj.
Shih edhe…
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=448