Si po ndryshon gjuha shqipe

Njerëzit natyrshëm përpiqen me bë ma shum punë me ma pak mund. Andaj dhe gjuha njerëzore shkon tue u bë ma e thjeshtë: kursen tingujt e fjalët, thjeshton rregullat, dhe arrin me mbijetu përballë sfidave të reja.

E pse mos me u paqyru ky evolvim edhe në gjuhën e shkruar? Përkrahësit e reformës drejtshkrimore e kanë mirë — sidomos kur flasin për foljet.

E para e punës është me e shkurtu pjesoren — nga shkurtuarshkurtu. Shqiptarët po e krasitin kur flasin. Pse mos me e shkurtu dhe në shkrim? (Shih, edhe emrat e fëmijëve po i lëmë krejt të shkurtë tani.)

Kështu arrijmë me e futë në përdorim edhe paskajoren me shkurtu, pa pasë frigë se po e shkelim normën. Rrijnë mirë njëra pran tjetrës trajtat: me shkurtu, për të shkurtu, tue shkurtu, duke shkurtu, pa shkurtu, me të shkurtu, kam shkurtu, jam shkurtu, me pas(ë) shkurtu.

Shkurtu s’është as gegnisht e as toskërisht. Është thjesht emëruesi ma i vogël i përbashkët i të folmeve të shqipes.

Së dyti, diftongjet ua, ue, ie, e ye me i kthy në u, i, e y. Shqiptarët po thonë çdoherë e ma shpesh unë shkruj. Unë shkruej thujse është harru fare, ndërsa po zbehet edhe unë shkruaj.

Ka shum të mira ky shkurtim. Jo vetëm se e përafron gjuhën e shkruar me të folurën dhe na kursen nga tingujt e tepërt; na i thjeshton edhe rregullat e drejtshkrimit.

Kur hiqen diftongjet, sheshohen shum dallime në zgjedhim. Qe p.sh., me pru dhe me gëzu në kohën e kryer të thjeshtë:

Ne prumë / gëzumë
Ju prutë / gëzutë
Ata prunë / gëzunë

Por qe edhe me dashë, me pi, me di(j)të, dhe me shti në të tashmen e dëftores:

Unë du* / pij / dij / shtij
Ti don / pin / din / shtin
Ai don / pin / din / shtin
Ne dojmë / pijmë / dijmë / shtijmë
Ju doni / pini / dini / shtini
Ata dojnë / pijnë / dijnë / shtijnë

(* Mundet edhe: due/dua)

Pak a shum, këto folje zgjedhohen tani sikurse foljet e tipit me punu (punoj), që janë ma të shpeshtat të gjuhës shqipe.

Unë madje do shkoja edhe ma tutje. Disa folje të parregullta me nga dy trajta kohore krejt të ndryshme — p.sh., me ra (bie), me dhënë (jap), me pa (shoh), me pru (bie), me ndejtë (rrij) etj. — do i bëja (artificorisht) të rregullta. Sepse prirja e natyrshme është që ato folje me u bë të rregullta.

Qe, p.sh., folja me dhënë (jap) po ndahet dalëngadalë në dy folje: me dhënë dhe me jepë/japë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve përdorin këto trajta në të tashmen e dëftores:

Unë jap (jepi) / dha
Ti jep / [dhan]*
Ai jep / [dhan]*
Ne japim (jepim) / dhajmë
Nu jepni / dhani
Ata japin (jepin) / dhajnë

(* Përdorime të paregjistruara)

Dhe këto në të kryerën e thjeshtë:

Unë jepa (japa) / dhashë
Ti jepe (jape) / dhe
Ai jepi (japi) / dha
Ne jepëm (japëm) / dhajmë
Ju jepët (japët) / dhatë
Ata jepën (japën) / dhanë

Ngjashëm, por ma rrallë, hasen trajta të ndara të foljeve me ra (bij), me pru (bij), me ndejtë (rrij), etj. Teorikisht, s’na pengon asgjë me u parapri përdorimeve të s’ardhmes. Qe si do mund të zgjedhoheshin në të tashmen e dëftores disa folje tani të parregullta pas rregullsimit:

Unë ra / bij / dha / jap / paj / shoh / pruj / bij / ndej / rrij
Ti ran / bjen / dhan / jep / pan / sheh / prun / bjen / nden / rrin
Ai ran / bjen / dhan / jep / pan / sheh / prun / bjen / nden / rrin
Ne rajmë / bijmë / dhajmë / japim / pajmë / shohim / prujmë / bijmë / ndejmë / rrijmë
Ju rani / bini / dhani / jepni / pani / shihni / pruni / bini / ndeni / rrini
Ata rajnë / bijnë / dhajnë / japin / pajnë / shohin / prujnë / bijnë / ndejnë / rrijnë

Qëllimi përfundimtar është që norma e drejtshkrimit të jetë sa ma e lehtë për ta nxënë dhe përdorë për të gjithë shqiptarët. Drejtshkrimi mundet dhe duhet t’ua mundësojë shqiptarëve Shqipen e Përbashkët — një gjuhë kombëtare që i përfshin të gjithë dhe u shërben të gjithëve njëlloj, pa dallim krahine a të folme.

Shumkujt këto ndryshime ia hidhëtojnë gjuhën. Veçse ne s’mund t’i ndalim brezat e rij që gjuhën ta ndryshojnë e zhvillojnë sipas nevojave të tyre. Kur ua ndalojmë me e lëvru tokën e përbashkët, ata do e copëtojnë atë. Trashëgimia jonë do bjerret, e trashëgimtarët do bëhen rrogtarë të tjetërkujt.

Vdekja dobi nuk sjell. Por ne mund të zgjedhim me u zhvillu e me u rritë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.