A u njësua gjuha letrare më 1972?

Nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kulturës shqiptare, që patën karakter gjithkombëtar deri sot mund të veçohen tri: Kongresi i Manastirit të vitit 1908, kur u vendos alfabeti shqip për të gjithë shqiptarët, Komisia Letrare Shqipe (në Shkodër) tetë vjet më vonë (filloi më 1 shtator të vitit 1916 dhe përfundoi me 22 maj të vitit 1918), si përpjekje e parë serioze për krijimin e një gjuhe standarde me bazë elbasanishten dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në Tiranë më 1972, kur u vendos Drejtshkimi i gjuhës shqipe.

Ajo që u vendos në Kongresin e Manastirit qe hapi i parë për bashkimin e kombit tonë nga pikëpamja kulturore. Deri atëherë shkrimtarët shqiptarë shkruanin sa me alfabet grek, sa me atë latin por edhe me alfabet turk. Por kongresi i rrafshoi këto kundërthënie brenda shqiptarëve përsa i takon alfabetit duke e bërë të mundur që shkrimet e shqipe të lexoheshin nga të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët dhe të tjerët që kanë shkruar shqip. Në Kongres morën pjesë intelektualë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, përveç intelektualëve nga arbëreshët e Italisë. Kongresi i Manastirit, që vjet shënoi edhe njëqind vjetorin e tij, hapi edhe rrugë të reja drejt konsolidimit të kombit shqiptar në trojet e veta etnike.

Ngjarje tjetër me shumë rëndësi qe Komisia Letrare Shqipe e vjetit 1916–1918 kur me propozimin e Luigj Gurakuqit dhe me miratimin e të gjithë të pranishmëve elbasanishtja do të vendosej si dialekt bazë për formimin e gjuhës letrare gjithëkombëtare. Kjo për arsye se si për nga karakteristikat e përgjithshme gjuhësore, si edhe për nga ana gjeografike, elbasanishtja ishte mu ne kufi të gegërishtes dhe të toskërishtes. Këtu të dy dialektet e mëdha të gjuhës sonë përbënin një model shumë të pranueshëm për të gjithë shqiptarët. Kjo edhe u dëshmua se ishte modeli i cili do t’i bashkonte këto dy dialekte. Këtë mendim kishte Xhuvani, Çabeji etj. Kjo gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët u zbatua në Shqipërinë etnike deri me vitin 1946, pra 30 vjet ekzistencë, kurse në Kosovë dhe në trojet e tjera jashtë Shqipërisë më shumë se pesë dekada, gjatë së cilës kohë nguli rrënjë të thella në më shumë se gjysmën e Shqipërisë.

Hapi tjetër që, në parim, do të duhej të ishte kurora e bashkimit të kombit, qe Kongresi i Drejtshkrimit i mbajtur, siç dihet, këtu e 43 vjet më parë në Tiranë, pra më 1972. Këtu u mblodhën gjuhëtarë nga të gjitha trojet shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, kësaj radhe edhe nga arbëreshët e Italisë etj. Dhe ky Kongres u quajt Kongresi i Drejtshkrimit, që në fakt do të duhej të ishte vërtetë ngjarje që do të çonte më tej procesin e integrimit shpirtëror në drejtim të bashkimit kombëtar, edhe pse territorialisht të ndarë më shumë se çdo popull tjetër në botë, e mos të flasim për Evropë!

Por Kongresi i 72-ës a e përmbushi misionin e pritur?

Po të shikohet detalisht do të thoshim se jo. Dhe arsyeja është se, për shkaqe të cilat mund t’i dinë vetëm organizuesit, u injorua një traditë shumë më e gjatë në favor të një modeli, i cili “u vu” me 1946. Në këtë kohë elbasanishtja u “ndërru” me toskërishten. Se a u veprua mirë apo jo do të flasin faktet në vazhdim. Sipas mendimit tim, shumë më dobipruese do të kishte qenë, sikur elbasanishtja të mbetej bosht i gjuhës letrare, ashtu sikur kishte qenë për më tepër se 30 vjet. Dhe ky Kongres vetëm ta forconte këtë vijë. Fundja, elbasanishtja kishte bërë një përvojë bukur të gjatë, siç thamë, në përdorimin e saj në të gjitha sferat e kulturës së shqiptarëve, si brenda Shqipërisë, (lexo: prej vjetit 1916–18 e deri me 1946) dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në trevat e tjera jashtë Shqipërisë etnike deri me vjetin 1972.

Po, në fakt, momenti që ia ndërroi kahjen e lumit, nuk ishte viti 1972. Ishte viti 1946 kur në Shqipëri filloi arbitrarisht të zbatohej dialekti toskë. Pse ndodhi kjo më mirë e dinë “gjuhëtarët” komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët posa e morën pushtetin e ndërruan edhe gjuhën, pra në vend të elbasanishtes e vunë toskërishten. Pse ky ndërrim rrënjësor? A u pyet ndokush nga 60 ose 70 përqindëshi i shqiptarëve të tjerë që jetonin në pjesën veriore të Shqipërisë? A u pyet ndokush nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi apo të Italisë? Kujt i pengoi elbasanishtja, e cila kishte elemente të të dy dialekteve, më shumë se çfarëdoqoftë kombinimi tjetër që do të ishte më e përshtatshme për një zhvillim më të shpejtë të një gjuhe të përbashkët letrare gjithëkombëtare?

Përgjegje s’ka.

Në Kongresin e 72-tës morën pjesë punëtorë shkencorë, gjuhëtarë akademikë nga të gjitha trojet shqiptare. Dhe kjo ishte shumë mirë e menduar nga organizatoret e Kongresit, se çfarëdo qoftë vendimi që do të merrej, ata do të thoshin se ky vendim ishte marrë nga të gjithë, edhe pse ata që shkuan nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë etnike nuk bënë gjë, pasi që ky Kongres ishte dizajnuar në atë mënyrë që toskërishtja do të ishte bosht, pa çka se po rrënohej një traditë shumë më e gjatë shkrimi. Pasi që, ndoshta, atje diku në tribunat e Kongresit po merrte pjesë edhe diktatori Enver Hoxha!

Pse shkuan atëherë delegatët nga Kosova, Mali i Zi, Italia apo nga Maqedonia?

Unë them se këta përfaqësues të gjysmës së kombit, sidomos ata nga Kosova bënë aq pak sa nuk e pagoi “barra qiranë”. Shkuan atje, e panë Tiranën, qëndruan dhe u kthyen si kofini pas të vjelit. Delegatët kosovarë nuk e mbrojtën (apo nuk patën fuqi për ta mbrojtur) madje as faktin kur Kongresi, përveç tjerash, e hodhi poshtë paskajoren gege “me punue” si “të pa vlerë”(!) Dhe kur u kthyen në Universitetin e Prishtinës dhe kudo në Kosovë treguan “të arriturat” e Kongresit por jo edhe inferioritetin e tyre ndaj organizatorëve të Kongresit! Duke dashur ta arsyetonin mospunën e tyre, filluan të na “bindin” neve studentëve se paskajorja gege nuk “kishte qenë” e nevojshme të qëndronte në gjuhën e njësuar letrare! E si mund të shpjegohet kjo “perlë” që dilte, madje, nga goja e gjuhëtarëve tanë, profesorëve tanë të nderuar?

Dhe vendimet e Kongresit qenë ato që qenë. I dimë të gjithë. Në Kongres u vendos “unanimisht”, siç merreshin gjithnjë vendimet në sistemet totalitare, që dialekti toskë të ishte bazë e gjuhës letrare me disa “plotësime” nga sfera e leksikut marrë nga dialekti gegë, edhe pse edhe këtu pati mjaft intervenime! Po, u pranua diçka! Diçka sa për ta kriposur!

Në rregull edhe unë pajtohem dhe nuk kam asgjë kundër dialektit toskë, bile e dua dhe çmoj shumë. Po pyetja është se a u organizua Kongresi ta bashkonte vërtetë popullin shqiptar, qoftë bile në aspektin shpirtëror dhe kulturor apo ta ndante atë?

Vendimet e Kongresit u panë qartë se nuk qenë në favor të bashkimit. Në favor të bashkimit ishte mu elbasanishtja, ithtar i së ciliës ishte Prof. Xhuvani, Çabej etj. Kongresi la një vrragë në kulturën shqiptare për katër dekada e më shumë. Dhe gjatë kësaj perudhe, çështja e gjuhës mbet, si të thuash, temë tabu. Në Shqipëri nuk guxonte më askush të kundërshtonte, në Kosovë, sado që u përqafua më tepër si përgjegje ndaj pushtetit serb, se shqiptarët, edhpse të ndarë ishin një. Kurse realiteti i ri gjuhësor në gjysmën e Shqipërisë etnike, në Ksovë e diasporë, në realitet, ishte kafshatë që nuk po kapërdihej lehtë! Kjo klimë vazhdoi deri në vitet ’90. Fill pas “demokratizimit” të Shqipërisë kjo temë, madje u bë një prej çështjeve më të debatuara për kohën. Mund të thuhet lirisht se, gjuha filloi me të madhe të bëhej subjekt fërkimesh dhe trajtimesh që nga shtresat më të ulta e deri në instancat më të larta shkencore. Këto probleme dolën në pah sidomos nga disa intelektualë të përndjekur nga regjimi komunist si Martin Camaj, Sami Repishti e ndonjë tjetër. Tash vonë debati për gjuhën standarde ka filluar të merr përmasa edhe më të gjëra!

Nejse.

Në atë kohë në Kosovë, të ballafaquar me situatën tepër të rëndë poliktike, siç thamë më lart, por edhe kudo tjetër ku kishte shqiptarë në ish-Jugosllavi, shqiptarët e Kosovës e pranuam gjuhën letrare të re ashtu siç edhe iu servua. Më kujtohet bile që, jo vetëm studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, por edhe i madh e i vogël ia nisën tash të “mësonim” gjuhën letrare, a standarde a… quaje si të duash se fundja as Kongresi nuk e kishte të qartë se çfarë ishte — a ishte Kongres i Drejtshkrimit, Kongres i Gjuhës së Njësuar, apo Kongres i Standardit? Në këtë pyetje mund të përgjigjen sot zotërinjtë si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina. Kurrë nuk është vonë!

Megjithatë, kudo në Veri pra edhe në Kosovë me të madhe gjuha letrare (ta quajmë kështu) filloi të mësohej (tani ky versioni i ri), në jug, pra edhe në Tiranë, vazhdonte të flitej. Hajde tash barazohu, nëse mundesh, me vëllazërit toskë, të cilët den baba den e kanë folur atë gjuhë (lexo: dialekt)!

Shpesh më ka rënë të bisedoj me intelektualë nga Kosova, poashtu edhe nga Shqipëria lidhur me këtë temë. Pse ndodhi kështu dhe a ka mundësi që gjuhëtarët të ulen edhe një herë e ta debatojnë këtë çështje më nivel kombëtar (të ftohet njëfarë lloj kongresi). Fatëkeqësisht, me sa po vërej, një gatishmëri e tillë është shumë e vogël. Fundja gjuhën e njësuar letrare nuk arritëm ta mësojmë ashtu siç duhet (lexo: ta flasim), as ne studentët e Univeritetit të Prishtinës (lexo: studentët e gjuhës shqipe), po as professorët e mi të nderuar. Na shkoi jeta duke e mësuar këtë gjuhë letrare! Edhe ata që e kanë marrë me “seriozisht” se të tjerët, profesoret e gjuhës (prapë fjala është për disa), kur i dëgjon se si përpiqen ta flasin gjuhën e njësuar, të bëjnë për të qeshur. Edhe pas më shumë se katër dekadave disa gjuhëtarë eminetë si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë, i çojnë në kulm “të arriturat” e Kongresit, pa shfaqur, madje, gatishëri as minimale për të debatuar prapë për

mungesat e Kongresit!

Unë isha njëri nga studentët e shumtë të asaj kohe që e përjetuam këtë ndyshim në sferën e gjuhës. Që nga ajo kohë unë jam marrë vazhdimisht me gjuhën, kam qenë mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe jam edhe sot. Thuaja gjithë karrierën time ia kam kushtuar gjuhës, por ajo që më ka preokupuar mua dhe besoj se edhe të tjerët është, se një gegë kur e flet gjuhën letrare, ai në të njëjtën kohë edhe duhet të mendojë se çfarë po thotë dhe si po e thotë, kurse vëllau jugor jo. Ai e ka mendjen vetëm te tema se ai nuk di të flasë ndryshe, pra nuk ka mundësi të gabojë në theks a në ndonjë çështje tjetër gramatikore, të cilën nuk e ka përdorur nga dje, po ka lindur, është edukuar në atë ambient gjuhësor. Imagjinojeni për një çast, jo një njeri të thjeshtë, por një akademik nga Gjirokastra, p.sh., të dalë në TV e të flasë nja disa minuta në elbasanishte apo në dialektin e veriut. Çka mendoni se do të ndodhte? Cirk i vërtetë!

Tani gjendja e gjuhës letrare a e Standardit është kjo që është. Këtu edhe qëndron problemi pse disa zëra, si nga Kosova, poashtu edhe nga Shipëria Veriore, janë për një rishikim të atyre vendimeve që u morën këtu e 43 vjet më parë! Këta zëra, mendoj, se nuk bën as të injorohen as të politizohen. Këta intelektualë nuk besoj se janë kundër këtij apo atij dialekti. Fundja, nga përvoja e gjuhëve letrare të kombeve të ndryshme, mësojmë se edhe gjuhët e tyre letrare janë formuar duke e marrë për bazë një dialekt që ka qenë më i përafërt për një pjese të madhe të kombit, sikur që ishte elbasanishtja për ne shqiptarët. Problemi është se gjuha letrare nuk u “vendos” sipas atyre marrëdhënieve të natyrshme gjuhësore të dy kryedialekteve. Por dihet qartë se gjuha letrare u bë nën një diktat politik. Thënë troç kjo mund të ilustrohet kështu: elbasanishtja është në mes të Shqipërisë. Sikur të bashkoheshin dy lumenj njëri nga jugu, tjetri nga veriu në Elbasan dhe të vazhdonte rjedha e tij deri ne det si një lumë i vetëm, çfarë mendonmi se do të ndodhte? Sigurisht, jemi të mendimit që, uji në mënyrë krejt të natyrshme do të bashkohej dhe do të formonte një lumë me vlera e të dy rrjedhave. Në rastin tonë lumi verior nuk u la të takohej me atë jugor në Elbasan dhe ka rrezik të shpërthejë ose të krijojë një shtrat tjetër të vetin…

Pra çështja është sot se a jemi të gatshëm ta shtrojmë edhe një herë çështjen e gjuhës në nivel kombëtar apo jo? Ose më mirë të themi a jemi të gatshëm t’i afrojmë këto dallime në kohën kur pas pavarësisë së Kosovës, ndërtimit të Rrugës së Kombit, marrëdhënieve të gjëra, kulturore, ekonomike, kuristike me shqipërinë gjasat për një bashkim kombëtar janë edhe më të mëdha se kurdoherë më parë? A është duke u shkuar në mendje gjuhëtarëve se, krahas zhvillimit ekonomik dhe afrimit të ndërsjellë gjuha do të luante rolin e saj pozitiv? Nëse mungon ky vullnet i ndërsjellë frigohem se nuk do të shkojë shumë kohë dhe do të krijohet edhe një gjuhë “shtetërore” brenda trungut shqiptar, do të krijohet gjuha “shtetërore” gege, ashtu siç po ka tendenca të krijohet prej disa qarqeve intelektuale në Kosovë dhe në pjesen veriore të Shqipërisë. Këta “intelektualë” sidomos nga Kosova do të përpiqen ta krijojnë edhe një identitet tjetër, “identitetin shtetëror kosovar”! E përgjegjësia për këtë atëherë ku do të bie? E ku tjetër pos në Akademinë e Shkencave të Tiranës dhe të Prishtinës, të cilët si duket janë duke pritur të ndodh një “cunam kulturor” për t’u zgjuar nga gjumi i thellë!

Nga Sami Islami

Sami Islami është gjuhëtar, mësues, dhe ish-gazetar nga Dardania. Punoi në Televizionin e Prishtinës deri më 1990, kur Sërbia mbylli dhunshëm medien shqiptare. Më pas mërgoi në Angli, ku ka drejtu disa botime të përkohshme të mërgimtarëve dhe ka punu si mësues i gjuhës shqipe për të huajt.