Orwell, thanie për gjuhën politike

George Orwell, «Politika dhe anglishtja» (ese, 1946)

Shënim i përkthyesit

Kët ese po e përkthej piksëpari për ata që s’dijnë anglisht. Fundja, ata që dijnë anglisht mun e lexojnë vetë origjinalin, pa u tutë se po bijnë pre e huqeve të mia. Dikush kish me pyetë: Po çka u duhet ky ese, titullu «Politika dhe anglishtja», atyne që s’e dijnë kët gjuhë?

U duhet, sepse n’at shkrim, George Orwelli e shpalon nji të vërtetë që vlen për të gjitha gjuhët. Ai i nxit lexuesit me mendu ma qartë dhe me u shprehë në gjuhë sa ma të thjeshtë e sa ma të thukët — ose, me fjalë tona, shkurt e shqip!

Për shkrimtarin britanik, kjo çashtje nuk u përket vetëm gjuhtarëve a shkrimtarëve profesionistë. Mënyra si i shprehim mendimet ka të bajë me politikë, dhe gati çdo gja që bajmë asht politikë. Kurse gjuha asht vegël që e përdorim për me i arrijtë qëllimet. Kur nuk mendojmë e nuk flasim shkurt e shqip, ka gjasë se jemi tue e dredhë: mshefim ndonji qëllim të pandershëm, e zbusim nji të keqe a e bajmë të madhe nji imtësi, ose thjesht e shesim për urti ndonji budallaki tonën.

George Orwelli asht autori i romaneve 1984 dhe Ferma e kafshëve, në të cilat ai thumbon regjimet që shtypin lirinë e njeriut. Ky ese buron prej po asaj gurre të filozofisë politike që i dhuroi botës dy veprat satirike.

Thashë, po e përkthej pse në thelb i vyen shqipes. Tue qenë i shkruem dëllëngthi për anglishten, megjithate, eseu lyp përshtatje dhe shpjegime të vogla rreth do pjesëve jothelbsore. Për sa ka qenë e mundshme, i kam përkthy ose përshtatë shqip fjalët dhe shprehjet që përmend Orwelli. Shembujt i kam përkthy herë në nji e herë në tjetër dialekt ose traditë letrare të shqipes, tue mundu me i përcjellë sa ma fuqishëm ngjyrimet politike ose periudhën historike të tekstit zanafillor. Kurse citatet dhe ndritësimet origjinale, përfshi do idioma të veçanta t’anglishtes, i kam zbritë në fundshënime të shenjueme me numra. Poshtëshënimet që i ka dhanë vetë Orwelli i kam shenju me yllth (*) ose kamë (†) dhe i kam dallu si «fusnotë e autorit», siç bante dhe ribotimi që e kam përdorë për burim.i Përderisa nuk ceket ndryshe, çdo fjalë e futun në kllapa kandore asht vërejtje e përkthyesit. Kllapat e tilla nuk i kam përdorë aty ku vërehet ashiqare se kam shtu ndonji fjalë për hir të përkthimit (p.sh., «iron resolution, që dmth. vendosmëni e hekurt»).

George Orwell qe nofka letrare e shkrimtarit, gazetarit, dhe kritikut anglez Eric Arthur Blair (1903—1950). Eseu «Politika dhe anglishtja», titullu n’origjinal «Politics and the English Language», u botu në prill 1946 në revistën Horizon, që dilte në Londër. Simbas nji ribotimi, eseu asht shënu në librin e pagesave t’Orwellit si i përfunduem më 11 dhjetor 1945.ii

Getoar Mjeku, J.D.



«Politika dhe anglishtja»

Shumica e atyne që e lodhin kryet sadopak për kët çashtje do ta pranonin se anglishtja ndodhet n’udhë të keqe, por përgjithsisht pandehet se s’mujmë, me veprim të ndërgjegjshëm, me ba gja për te. Qytetnimi ynë asht i kalbun, dhe gjuha jonë — ia thotë argumendi — duhet pashmangshëm të bashkëvujë në rrënimin e gjithanshëm. Domethanë se çfarëdo përpjekje kundër shpërdorimit të gjuhës asht vjetërsinë ndjenjësore, sikur me i dashtë qirijtë ma fort se dritën elektrike ose arabaxhijtë me kuaj ma fort se avionin. Ndërfundi kësaj gjendet besimi i gjysvetëdijshëm se gjuha asht bimë e natyrshme e jo vegël të cilën e trajtësojmë sipas qëllimeve tona.

Tani, asht e qartë se bdarja e nji gjuhe në fund të fundit duhet të ketë shkaqe politike dhe ekonomike: nuk asht thjesht vetëm shkaku i ndoj ndikese të keqe të këtij apo atij shkrimtari të veçantë. Por nji efekt mund të bahet shkak, tue përforcu shkakun zanafillor dhe tue prodhu të njejtin efekt në nji trajtë të përmadhueme, e ashtu me radhë pambarim. Dikush mundet me iu dhanë pijes pse i duket vetja dështak, e pastaj me dështu me kah krejt mu sherri i pijes. Pak a shum, qajohja po i ndodh anglishtes. Po shëmtohet e po bahet e pasaktë për shkak se mendimet tona jan të budallakueme, por gjuha e ngatrrueme na e ban ma leht me mendu budallakishëm. Puna asht se kjo ecuni ka kthim. Anglishtja bashkëkohore, sidomos ajo e shkrueme, asht përplot shprehi të këqija që përhapen përmes imitimesh e që mun shmangen po pat kush vullnet me marrë mundin që lypset. Nëse dikush i heq këto shprehi, ka me mujtë me mendu ma qartë, e me mendu ma qartë asht hap i parë i domosdoshëm drejt ripërtërimjes politike: ashtu që edhe lufta kundër anglishtes së keqe mos të jetë sapërsyefaqe dhe të mos jetë shqetsim vetëm i shkronjësve profesionistë. Do i kthehem kësaj pas pak, dhe shpresoj që deri atëherë domethania e asaj që e kam thanë këtu do të jetë ba ma e qartë. Ndërkohë, qe pesë shembuj t’anglishtes ashtu qysh rëndom po shkruhet tash.

Këto pesë pasuse nuk i kam zgjedhë pse jan posaçmënisht të këqija — kisha mujtë me citu tejet ma keq, me pas dashtë — por për shkak se shembëlltyrojnë vese të ndryshme mendore prej të cilave vujmë. Jan pak nër mesatare, por jan shembuj goxha përfaqësues. Po i numërzoj që me mujtë me iu ribartë po qe nevoja:

1. Unë nuk jam, vërtet, i sigurt nëse nuk është e vërtetë të thuash se ai Milton, i cili njëherë dukej jo i pangjashëm me një Shelley të shekullit XVII, nuk qe bërë, nga një eksperiencë çdo herë e më e hidhur në secilin vit, më i huaj(sic) ndaj themeluesit të atij sekti Jezuit, të cilin asgjë s’mund ta induktonte për ta toleruar.1

Profesor Harold Laski, ese në Freedom of Expression (Liria e shprehjes)

2. Mbi të gjitha, nuk mund të luajmë nata-dita me një rrebesh idiomash amtare që diktojnë kolokacion flagrant të leksemave si bazikja me ia ngu qefin (put up with) për toleroj ose me ia hupë fijen (put at a loss) për trullos.2

Profesor Lancelot Hogben, Interglossia

3. Në njërën anë e kemi personalitetin e lirë: për nga definicioni nuk është nevrotik, meqë nuk ka as konflikt e as ëndrra. Dëshirat e tij, të tilla siç janë, janë transparente, meqë janë vetëm ajo çfarë aprovimi institucional mban në ballë të koshiencës; një tjetër yrnek institucional do ta ndryshonte numrin dhe intensitetin e tyre; ka pak gjë në to që është natyrore, e pakapërcyeshme, ose kulturalisht e rrezikshme. Por në anën tjetër, lidhja sociale nuk është asgjë pos reflektimi reciprok i këtyre integriteteve të vetësigurta. Rikujto definicionin e dashurisë. A nuk është kjo vetë figura e një akademiku të vogël? Ku ka vend në këtë holl pasqyresh qoftë për personalitet, qoftë për vëllazërim?3

Ese psikologjie në Politics (Politika), Njujork

4. Të gjithë «njerëzit më të mirë» nga klubi i xhentëllmenëve, dhe të gjithë kapedanët fashistë frenetikë, të bashkuar në urrejtje të përbashkët të Socializmit dhe në tmerrim shtazarak nga hovi në ngritje i lëvizjes masive revolucionare, u janë kthyer akteve të provokimit, nxitësimit të fajësimit, legjendave mesjetare të puseve të helmatisura, për të përligjur shkatërrimin që u bëjnë organizatave proletare, dhe për ta yshtur borgjezinë e vogël të shqetësuar në një zjarrmi shoviniste në emër të luftës kundër mënyrës revolucionare të daljes nga kriza.4

Pamflet komunist

5. Nëse një frymë e re do të futej në këtë vend të lashtë, ka një reformë problematike dhe të diskutueshme që duhet të trajtohet, dhe ajo është humanizimi dhe galvanizimi i BBC-së. Ndruajtja këtu do të paralajmërojë kalbëzimin dhe atrofinë e shpirtit. Zemra e Britanisë mund të jetë e fortë dhe me të rrahura të fuqishme, fjala vjen, por hungërima e luanit britanik aktualisht është si ajo e Fundit në Ëndrrën e një nate vere të Shekspirit — e butë si çdo sutë që ndërgon. Një Britani e re burrërore nuk mund të vazhdojë pafundësisht të nëpërgojohet në sytë a mbase veshët, e botës nga lëngatat shterpe të pallatit të Langhamit, pacipërisht maskeradizuar si «anglishte standarde». Kur dëgjohet Zëri i Britanisë në orën nëntë, tejet më mirë dhe pambarimisht më pak qesharake është të dëgjosh hëja që lëshohen me nder sesa të tashmet ulëritje djallëzore të ngridhëruara, të përfryra, të ngurrueshme, dhe qullmamajace prej ca shërbëtoresh papërjashtimisht të turpshme.5

Letër në Tribune

Secili nga këto pasuse ka të metat e veta, por, krejt përveç shëmtisë së shmangshme, të gjitha i kan dy cilsi të përbashkëta. E para asht bajatsia e shembëlltyrave; tjetra mungesa e saktësisë. Shkronjësi ose ka nji mendim dhe s’e shpreh dot, ose pahiri thotë diçka tjetër, ose thuese s’ia ndin hiç se a kan a s’kan kuptim fjalët e tij. Kjo përziemje e vagullsisë dhe paaftësisë së mekahkrejtshme asht tipari ma i theksuem i prozës së sotme anglisht, dhe posaçmënisht të çfarëdo shkrimi politik. Sapo të çelen do tema të caktueme, konkretja shkrihen n’abstrakten, dhe thue kurrkush s’asht në gjendje me gjetë naj turr fjalësh që s’asht stërpërsëritë: proza përbahet gjithherë e ma pak prej fjalësh të zgjedhuna për kuptimin që kan, dhe gjithherë e ma shpesh prej shprehjesh të kumcueme tok si pjesë të nji koteci të parafabrikuem. Po i radhis ma poshtë, me shënime dhe shembuj, truqet e ndryshme nëpërmjet të cilave shkronjësat zakonisht i bajnë lak punës së prozëndërtimit:

Metafora që po vdesin. Nji metaforë e saposajueme i ndihmon mendimit tue ngallmu nji shembëlltyrë pamore, kurse n’anën tjetër, nji metaforë që asht teknikisht «e vdekun» (p.sh., iron resolution, që dmth. vendosmëni e hekurt) e rikthen në fakt në fjalë të rëndomtë, dhe mun përdoret përgjithsisht pa e humbë gjallninë. Por, në mes këtyne dy klasave, asht nji torishtë të madhe të metaforave të shtjerruna që e kan hupë krejt fuqinë ngallmuese dhe përdoren thjesht vetëm pse i kursejnë njerëzit prej mundimit për me shpikë shprehje për veti. Shembujt [që do vlejshin edhe për shqipen] jan: ngjeshim radhët, në rend të ditës, thembra e Akilit.6 Shum nga këto përdoren pa ua dijtë domethanien,7 dhe metafora të papërputhshme shpesh përzihen, shenjë e sigurtë se shkronjësit s’po i interson çka asht kah thotë. Disa metafora të sodit jan nxjerrë jasht domethanies së tyne fillestare, ndërsa ata që i përdorin as që e dijnë kët punë. Për shembull, toe the line (veje gishtin e kambës në vijënisje) nganjiherë shkruhet si tow the line (ngrehe vijënisjen). Nji shembull tjetër asht kudhra dhe çekani (anglisht: the hammer and the anvil) që tash gjithmonë përdoret me nënkuptimin se kudhra e pëson ma së randi. Në jetën e vërtetë, kudhra asht ajo që e then çekanin, e kundërta nuk ndodh kurrë: nji shkronjës që ndalet me mendu se çka asht tue thanë do ta parandalonte zvetënimin e shprehjes.

Foljet ndihmëse ose gjymtyrët foljore të rrejshme. Këto e kursejnë mundin për t’i zgjedhë foljet e emnat e duhun, dhe të njejtën kohë e rrasin çdo fjali me rrokje shtesë që i japin nji dukje simetrie. Shprehje veçuese jan: e shndërron në jofuksional, militoj kundër, dëshmohet i papranueshëm, vendos kontakt me, nënshtrohet ndaj, bëhet shkak për, ofron bazë për, duke pasur efektin e, luan rol kryesor në, fillon efektin, bën që të ndjehet, shfaq tendencë për të, i shërben qëllimit të, etj. etj.8 Kryesorja e kësaj asht me i menjanu foljet e thjeshta. Në vend të nji fjale të vetme, siç jan me thy, ndalë, prishë, ndreqë, vra,9 nji folje bahet frazë, e përbame prej nji folje të përgjithshme siç jan me dëshmu, shërby, përba, lujtë, shndërru.10 Gjithashtu, fëtyra pësore përdoret kudo që të jetë e mundshme para zanit vepror, dhe ndërtime emnore përdoren në vend të trajtave të pashtjellueme të foljes (me anë të shqyrtimit të në vend se tue shqyrtu ja duke shqyrtuar).11 Vargu i foljeve tkurret tutje përmes sajimeve me -izoj dhe de-,12 dhe kumtesave banale u jepet nji dukje e thellsisë përmes sajimeve me jo pa-.13 Lidhza e parafjalë të thjeshta zavendësohen me shprehje si me respekt të, në konsideratë të, fakti se, me anë të, duke patur parasysh, mbi hipotezën se;14 dhe mbarimin e fjalisë e shpëton pa dështu krejtësisht ndonji oshtimë e zakonshme si shumë për t’u dëshiruar, nuk mund të mos kihet parasysh, një zhvillim që duhet pritur në të ardhmen e afërt, që meriton konsideratë serioze, arritur në një konkludim të kënaqshëm, e kështu me radhë.15

Mënyra mendjemadhe e të folunit. Fjalët si fenomen, element, individ, objektiv, kategorik, efektiv, virtual, bazik, primar, promovoj, konstituoj, ekspozoj, eksploatoj, utilizoj, eliminoj, likuidoj16 përdoren për me veshë nji porosi të thjeshtë dhe me ia dhanë nji duhm paansie shkencore gjykimeve t’anshme. Mbiemnat si epokëbërës, epik, historik, i paharrueshëm, triumfant, shekullor, i paevitueshëm, [ . . . ]17 përdoren për me denjësu ecuninë e ndytë të politikës ndërkombtare, kurse shkrimi që synon me madhështu luftën rëndom merr ngjyrë lashtësie, me fjalë veçuese si: zotërime, fron, koçi, [ . . . pallë,] shpatë, mburojë, stemë, bajrak, çizme, bori[, kushtrim].18 Fjalët dhe shprehjet e hueja si cul de sac, ancien régime, deus ex machina, mutatis mutandis, status quo, geichschaltung, weltanschauung përdoren për me dhanë nji frymë kulture e elegance. Përveç shkurtesave të vyeshme si i.e., e.g., dhe etc. (dmth., p.sh., dhe etj.) nuk ka cok kurrfarë nevoje për asnji prej qinda shprehjesh të hueja që i gjen sod n’anglisht. Shkronjësit e këqij, dhe sidomos shkronjësit shkencorë, politikë, e shoqnologë, jan gati gjithmonë të shituem prej bindjes se fjalët latine a greke jan ma të mëdha se ato saksone, dhe fjalë të panevojshme si ekspeditoj, perfeksionoj, [ . . . ] irrelevant, spostuar, klandestin, subakuatik,19 dhe qinda tjera vijimisht ua zanë vendin shoqeve anglo-saksone.* Zhargoni që veçon shkrimin marksist (hienë, xhelat, kanibal, borgjezi e vogël, këto zotërinjtë, laro, lajkatar, qen i tërbuar, rojë i bardhë, etj.)20 përbahet kryesisht prej fjalësh të përkthyeme nga rusishtja, gjermanishtja, ose frangjishtja; por mënyra e rregullt me saju fjalë të reja asht me përdorë rrajë latine ose greke me mbrapashtesën e duhun dhe, po qe nevoja, sajesa -izoj. Asht shpesh ma leht me trillu fjalë të këtij lloji (deregjionalizoj, i palegjitimuar, jobashkëshortor, jofragmentar, e kështu me radhë),21 sesa me i sjellë ndërmend fjalët anglisht që do mbulojnë domethanien. Rrjedhoja, në përgjithsi, asht rritja e paftillimit dhe vagullsisë.

Fjalët e pakuptimta. Në do lloje shkrimi, sidomos në kritikë arti dhe letërsie, asht normale me hasë pasazhe të gjata që iu mungon gati krejt kuptimi.** Fjalët si romantik, plastik, vlera, human, vdekur, sentimental, natyror, vital (a jetik),22 siç përdoren në kritikë arti, jan rreptësisht të pakuptimta, meqë jo vetëm se nuk shenjojnë ndonji gjasend që mun zbulohet, por edhe lexuesi zor se pret që ato të shenjojnë nji gjasend të zbulueshëm. Kur nji kritik shkruen, «Tipari i jashtëzakonshëm i veprës së zotit Iks është cilësia e të qenit gjallë», ndërsa nji tjetrën shkruen, «Gjëja sakaq goditëse e veprës së zotit Iks është vdekësia e saj veçuese», lexuesi e pranon këte thjesht si ndryshim mendimesh. Po të përdoreshin fjalë si bardh e zi në vend të fjalëve zhargon vdekë e gjallë, ai do shihte menjiherë se ajo gjuhë asht përdorë pavend. Shum fjalë politike shpërdorohen ngjashëm. Fjala fashizëm s’ka kurrfarë kuptimi, përveçse domethanë «diçka e padëshirueme». Fjalët demokraci, socializëm, liri, patriotizëm (a atdhetari), realist(e), drejtësi23 kan secila disa kuptime të ndryshme që s’pajtohen me njana-tjetrën. Në rastin e nji fjale si demokracia, jo vetëm që s’ka përkufizim të pranuem, por përpjekja me e caktu nji kundërshtohet nga të gjitha anët. Ndihet thuese gjithsishëm se kur e qujmë nji vend demokratik jemi kah e livdojmë: si pasojë, mbrojtësit e cilitdo regjim paratendojnë se asht demokraci, dhe frigohen se do t’u duhet me u ndalë së përdoruni t’asaj fjale po të lidhej për cilindo kuptim. Fjalët e këtij lloji përdoren shpesh vetëdijshëm në nji mënyrë të pandershme. Domethanë, ai që i përdor e ka përkufizimin e vet privat, por e lejon ndigjuesin me kujtu se folësi po mendon diçka krejt tjetër. Kumtesa si Marshalli Pétain qe mëmëdhetar i njëmëndtë, Shtypi sovjetik është më i liri në botë, Kisha Katholike âsht kundra pernnjekjeje,24 bahen gati gjithmonë me qëllim me mashtru. Tjera fjalë që përdoren me domethanie të ndryshme, në shumicën e rasteve pak a shum pandershëm, jan: klasë, totalitarizëm, shkencë, progresiv (a përparimtar), reaksionar, borgjezi, barazi.25



Tani që e kam ba kët katallog zhvatjesh e zvetënimesh, qe edhe nji shembull me pa se në ç’lloj shkrimi çojnë ato. Kësaj radhe duhet për nga natyra të jetë i trilluem. Do ta përkthej nji dromcë prej anglishtes së mirë n’anglishte të sodme të sojit ma të keq. Qe nji varg i mirënjohun prej Predikuesve [nji nga librat e Biblës]:

U ktheva e pashë nën diell se vrapin s’e fiton i shpejti, as betejën i forti, as bukën i urti, as pasuninë i meçmi, as leverdinë i shkathëti, por të gjithëve ua japin koha dhe rasti.

Qe tash n’anglishte të sodme:

Konsiderata objektive të fenomeneve kontemporane suportojnë konkluzionin se suksesi ose dështimi në aktivitete kompetitive nuk ekspozon kurrfarë tendence për të korresponduar me kapacitete të lindura, por se një element i konsiderueshëm i të paparashikueshmes duhet të kihet parasysh në mënyrë konstante.

Kjo asht parodi, por jo e stërteprueme. Pasusi 3 ma sipër, për shembull, përmban disa grimca të kësisoj anglishteje. Do shihet se nuk kam ba përkthim të plotë. Fillimi dhe fundi i fjalisë e ndjekin domethanien fillestare goxha s’afërmi, por në mes, ndritësimet konkrete — gara, beteja, buka — treten në fraza të vagëta «suksesi ose dështimi në aktivitete kompetitive». U desht me ia ba kështu, sepse asnji shkrues i sodshëm i llojit që po e trajtoj — kurrkush i zoti me përdorë fraza si «konsiderata objektive të fenomeneve kontemporane» — nuk do i thadronte mendimet e veta n’aso mënyre të përpiktë e të hollueme. E gjithë primja e prozës së sodme asht larg konkretsisë. Tash, zbërtheji dy fjalitë pak ma s’afërmi. E para përmban [anglisht] 38 fjalë prej 90 rrokjesh: 18 prej atyne fjalëve jan prej rrajësh latine, dhe nji prej greqishtje. [Përkthimi shqip ka 36 fjalë, prej të cilave katër me prejardhje latine, dhe nji ose dy me rrajë turke.] Fjalia e parë përmban gjashtë figura të gjalla, dhe vetëm nji frazë («koha dhe rasti») që do mund të quhej e vagullt. Fjalia e dytë nuk përmban astenji frazë të freskët, mahnitëse, dhe përkundër 90 rrokjeve [anglisht] e jep vetëm nji version të shkurtuem të domethanies që përmban e para. Prap, pa dyshim, asht lloji i dytë i fjalisë që po zen çdoherë e ma shum vend n’anglishten e sodme. Nuk due me e ba të madhe. Ky lloj shkrimi nuk asht ende i gjithsishëm, dhe vegza thjeshtësie ke me pa aty-këtu qoftë edhe në faqen ma së keqi të shkrueme. Megjithate, po të na thoshin mue a ty me i shkru do rreshta mbi pasigurinë e fateve njerzore, ne me gjasë do i afroheshim ma fort fjalisë që e kam përfëtyru sesa asaj prej Predikuesve.

Siç jam përpjekë me dëshmu, shkrimi i sodshëm në ma të keqen trajtë nuk përbahet prej fjalësh të zgjedhuna për hir të domethanies dhe figurave të sajueme për ta qartësu kuptimin. Përbahet nga rripa fjalësh të saldueme tok, të cilat tashma i ka renditë dikush tjetër, dhe nga rezultate që cilsohen të botueshme në sajë t’asgja tjetër pos broçkullave. Kjo mënyrë shkrimi tërheq sepse asht e lehtë — madje ma e shpejtë, sapo ta krijosh shprehinë — me thanë sipas mendimit tim, nuk është presupozim i pajustifikueshëm sesa (û(në)) mendoj.26 Nëse përdor fraza të gatshme, jo vetëm që nuk të duhet me dalë në gjah për fjalë; s’ke pse me u lodhë me ritmin e fjalive meqë këto fraza jan përgjithsisht aq të godituna sa me tingëllu pak a shum hijeshëm. Kur shkruen me ngut — kur i dikton nji stenografi, për shembull, ose mban fjalim botor — asht e natyrshme me rrëshqitë në stil mendjeshitës, të latinizuem. Etiketa si konsiderata që do të bënim mirë t’i mbajmë ndërmend ose konkluzion të cilin të gjithë ne duhet ta pranojmë me gatishmëri27 do e shpëtojnë fjalinë pa u përplasë përtokë. Tue përdorë metafora, krahasime, dhe idioma bajate, kursen goxha mund mendor, por e paguen tue e lanë domethanien të vagëllueme, jo vetëm për lexuesin, por edhe për veti. Këte e shkaktojnë metaforat e përzieme. I vetmi qëllim i nji metafore asht me e zgju nji përfëtyrim pamor. Kur këto përfëtyrime ndeshen — si në oktapodi fashist e ka këndu këngën e mjellmave, çizmja u hodh në kazanshkrirës28 — mund merret për sigurt se shkronjësi nuk asht kah e sheh pamjen mendore të gjasendeve që po i emnon; me fjalë tjera, s’asht kah mendon. Shihi prap shembujt që i dhashë në fillim të këtij eseu. Profesor Laski (1) përdor pesë mohore në 53 fjalë. Nji prej këtyne asht e tepërt, dhe e ban krejt pasusin të pakuptimtë. Tutje, ndodhet lajthitja — alien (i huaj) për akin (i ngjashëm) — që e ban edhe ma të pakuptimtë tekstin, ndërsa hasim dhe disa copa të shmangshme ngathtësie që e shtojnë vagullsinë e përgjithshme. Profesor Hogben (2) luen nata-dita me nji rrebesh që asht në gjendje me dhanë diktate, dhe, teksa shmiraton shprehjen e përditshme «me ia ngu qefin», s’e ka vullnetin me kqyrë në fjalor çka domethanë flagrant.29 3-shi, në baftë mos me u tregu bamirës ndaj tij, asht thjesht pa kuptim: gjasshëm dikush mun ia qëllon frazës domethanien e synueme tue e lexu krejt artikullin në të cilin ndodhet. Në 4, shkronjësi pak a shum e din çka po don me thanë, por nji grumbullim frazash bajate e ngulfat si fleta çaji tek bllokojnë sqollin. Në 5, fjalët dhe domethaniet gati sa s’ia kan kthy shpinën njana-tjetrës. Gjindja që shkrujnë kësisoji zakonisht kan nji mendim emocional — nuk e dojnë nji gja dhe duen me shprehë solidaritet me nji tjetër — por nuk u interesojnë hollsitë e asaj që thonë. Nji shkronjës i skrupullt, në çdo fjali që shkruen, do ia bajë vetes së paku katër pyetje, pra:

  1. Çka jam kah due me thanë?
  2. Cilat fjalë do e shprehin?
  3. Çfarë figure ose idiome do ta bajë ma të qartë?
  4. A asht kjo figurë e freskët sa duhet për të pasë efekt?

Dhe gjasshëm do ia shtrojë vetes edhe dy tjera:

  1. A muj e thom ma shkurt?
  2. Mos kam thanë gja të shëmtuet që mund ta shmang?

Por nuk e ke për detyrë me u vakarru kaq fort. Mun i ban lak atyne pyetjeve thjesht tue flakë tej mendjen e hapun dhe tue ua çelë udhën frazave të paragatueme me u tubu e ngjeshë. Ato kan me t’i ndërtu fjalitë — edhe mendimet qebesa me t’i mendu, deri në njifarë dore — dhe po qe nevoja do ta kryjnë nji shërbim të randësishëm tue ta mshefë pjesërisht domethanien edhe prej vetë teje. E te kjo pikë qartësohet lidhja e posaçme mes politikës dhe zhvleftësimit të gjuhës.

Në kohën tonë, asht gjansisht e vërtetë që shkrimi politik asht shkrim i keq. Kur kjo nuk asht e vërtetë, vërehet përgjithsisht se shkronjësi asht ndojfarë kryeneçi që shpreh mendime private dhe jo nji «vijë të partisë». Ortodoksia, e çfarëdo ngjyre qoftë, duket se kërkon nji stil të pajetë, shkërbyes. Dialektet politike që gjenden nëpër pamflete, kryeartikuj, manifeste, raporte qeveritare (white papers), dhe fjalimet që gatisin nënsekretarët, kuptohet, ndryshojnë nga partia më parti, por jan krejt të ngjashme, meqë në to gati kurrë nuk gjen turre shprehjesh të gjalla e taze prej magjes së shpisë. Kur e sheh nji shkrolaxhi të lodhun në tribunë kah i përsërit mekanikisht frazat familjare — krime shtazarake, thembër e hekurt, tirani e gjakosur, popujt e lirë të botës, ngjeshim radhët30 — shpesh ta nxit ndjenjën kureshtare se s’je kah e sheh nji njeri të gjallë por ndonjifarë kukulle: ndjenjë që papritmas forcohet në çaste kur drita i godet syzet e folësit dhe i kthen në disqe të zbrazëta që duken si mos me pasë sy mbas tyne. Dhe kjo s’asht krejt e trillueme. Nji folës që përdor këso frazeologjie ka dhanë goxha mund për me u shndërru në makinë. Zhurmat e duhuna po i dalin prej gurmazi, por trunin s’e ka të përfshimë qysh kish me e pasë sikur t’i zgjidhte vetë fjalët. Nëse fjalimi që po e jep asht çka ai â mësu me dhanë sa e sa herë, mund të jetë gati i pavetëdijshëm se çka po thotë, si dikush që i murmurit përgjigjet në kishë. Dhe kjo gjendje e vetëdijes së rrëgjueme, nëse jo e domosdoshme, asht sidoqoftë e leverdishme ndaj përshtatjes politike (konformitetit politik).

Në kohën tonë, fjalimi dhe shkrimi politik jan kryesisht mbrojtje e të pambrojtshmes. Gjana si vijimi i sundimit britanik n’Indi, spastrimet dhe internimet ruse, hedhja e bombave atomike në Japoni, mund cok të mbrohen, por vetëm me argumende që për shumicën e njerëzve jan shum të brutshme me i përballu, dhe të cilat nuk përputhen me synimet që pohojnë partitë politike. Andaj, gjuha politike duhet me u përba kryesisht prej eufemizmave, premisave të pathanuna, dhe paqartësive krejt të mjegullta. Fshatna të pambrojtuna bombardohen nga ajri, banorët dëbohen drejt maleve e fushave, lopët mitralozohen, kasollet kallen me plumba ndezës: kjo quhet pacifikim (paqësim).31 Miliona katundarëve ua zaptojnë fermat, dhe po ata katundarë i nxjerrin me ecë kadal rrugës me jo ma shum se ç’mund të bartin në duer: kësaj i thonë transferim (bartje) popullsie ose rektifikim (korrigjim) i kufijve.32 Gjindja burgohen me vite pa gjyq, ose u bijnë plumb shpine a qafe, ja dërgohen me vdekë skorbuti në kampe druvarie n’Arktik: kësaj i thonë eliminim i elementëve të dyshimtë.33 Frazeologji e tillë lypset kur dikush don me i përmendë sendet pa i ngacmu pamjet e tyne mendore. Parafëtyroje, për shembull, nji profesor anglez që me rahati e mbron totalitarizmin rus. Ai s’un thotë troç: «Unë besoj në vrasjen e kundërshtarëve politikë kur mund të nxjerrësh rezultate të mira prej saj». Me gjasë, prandej, ai do thotë diçka kështu:

Duke koncesionuar liberalisht se regjimi sovjetik ekspozon atribute të caktuara që humanitarizmi mund të jetë i prirë për t’i vajtuar, na duhet, mendoj, dakorduar se një rakurcisacion (shkurtim) i caktuar i së drejtës së opozicionit politik është asociativ i paevitueshëm i periodave transicionale, dhe se rigorozitetet të cilave populli rus është apeluar t’u nënshtrohet kanë qënë mjaftueshmërisht të justifikuara në sferën e arritjeve konkrete.

Stili i përfrymë asht vetë nji lloj eufemizmi. Nji turmë fjalësh latine bie mbi faktet si borë e butë, tue i përshkëlly përvijimet dhe tue i mshefë të gjitha hollsitë. Anmiku i madh i gjuhës së qartë asht josinqeriteti. Kur dikush ka hendek mes qëllimeve të vërteta dhe qëllimeve të shpalluna, u kthehet, si pamendimthi, fjalëve të gjata dhe idiomave të shtjerruna, si nji butak që spërkat tush. Në motin tonë, nuk ka «mos me u përzi në politikë».34 Të gjitha çashtjet jan çashtje politike, krejt politika asht vetë tansi rrenash, shmangiesh, budallakie, urrejtjeje, dhe skizofrenie. Kur atmosfera e përgjithshme qëllon e keqe, gjuha duhet me vujtë. Ma merr mendja — ky asht hamendësim, meqë s’kam dijeni të mjaftueshme me e vërtetu — se gjuhët gjermane, ruse, e italiane jan përkeqsu të gjitha në këta 10 a 15 vjetët e fundit si pasojë e diktaturës.

Por nëse mendimi e mbrapshton gjuhën, gjuha gjithashtu mund ta mbrapshtojë mendimin. Nji përdorim i keq mun përhapet përmes traditës dhe imitimit, edhe mes njerëzve që duhet me dijtë dhe besa dijnë ma mirë. Gjuha e zhvleftësueme për të cilën po flas asht njifarëdoresh shum kuvenduese. Fraza si një presupozim jo i pajustifikueshëm, lë shumë për t’u dëshiruar, nuk do të shërbente për kurrfarë qëllimi të mbarë, konsideratë të cilën do të bënim mirë ta mbajmë ndërmend,35 jan tundim i vijueshëm, paketë aspirinash që i mbajmë te kryet. Lëshoja prap nji sy qëtij eseu, dhe me siguri ke me pa se sa e saherë i kam ba mu qato gabime që po i kundërshtoj. Me postën e këtij mëngjezi, m’erdhi nji pamflet që folte për gjendjen në Gjermani. Autori më tregon se qe «ndie i detyruem»36 me e shkru. E hapi rastësisht, dhe qe thuese e para fjali që shoh: «[Aleatët] kanë mundësín jo vetëm për të arritë nji transformim radikal të strukturës shoqënore dhe politike të Gjermanís në aso mëndyre sa për ta shmangë nji reaksjon nacjonalist në vetë Gjermanín, por në të njâjtën kohë për të vendosë themelet e nji Europe bashkëpunuese dhe të bashkueme.»37 E sheh, qe «ndie i detyruem» me shkru — u ndje, ta merr mendja, se ka diçka të re me thanë — e fjalët e tij, prap, si kuaj ushtrie që turren mbas boriet, vetvetiu tubohen n’yrnekë të zakonshëm e të zymtë. Invadimi i mendjes me fraza të paragatueme (për të vendosë themelet, për të arritë nji transformim radikal)38 mund të parandalohet vetëm nëse shkruesi asht tue u rujtë prej tyne pa u ndalë, dhe çdo frazë e tillë e anestezon nji pjesë të trunit.

Thashë ma parë se bdarja e gjuhës sonë asht me gjasë e shërueshme. Ata që e mohojnë këte do argumendonin, nëse do prodhonin argumend, se gjuha thjesht pasqyron gjendjet shoqnore ekzistuese, dhe se ne nuk mund t’ia ndikojmë zhvillimin përmes kurrfarë të kallajituni me fjalë dhe sajesa. Përsa i përket tonit ose frymës së përgjithshme të nji gjuhe, mund të jetë, por nuk asht e vërtetë në hollsi. Fjalë dhe shprehje teveqele jan zhdukë shpesh, jo përmes ndonji ecunie evolvimi, por falë veprimit të ndërgjegjshëm të nji pakice. Dy shembuj [për anglishten] rishtazi qenë eksploro çdo aveny dhe mos lë gur pa rrotulluar,39 që u vranë nga talljet e pak gazetarëve. Ka nji radhë të gjatë metaforash të perëndueme, të cilat ngjashëm mund të hiqen qafe nëse interesohen mjaft njerëz për kët punë; dhe duhet të jetë e mundshme me e përqeshë për vdekje sajesën jo pa-, me e voglu sasinë e latinishtes dhe greqishes në nji fjali të rëndomtë, me i përzanë frazat e hueja dhe fjalët e humbuna shkencore, dhe, në përgjithsi, me e qitë mendjeshitjen prej mode. Por krejt këto jan çashtje të vogla. Mbrojtja e anglishtes nënkupton ma shum se qaq, dhe mbase asht ma mirë me ia nisë tue pyetë se çka nuk nënkupton.

Sa për fillim, s’ka kurrgja të bajë me arkaizmin, me shpëtimin e fjalëve e togfjalëshave të dalë përdorimi, as me të vendosun të nji «anglishtje standarde» prej së cilës nuk duhet të zhvijzohet asnjiherë. Përkundrazi, asht posaçmënisht e interesueme me çmontu çdo fjalë a idiomë së cilës i â shtjerrë të vyemit. S’ka kurrgja të bajë me gramatikë dhe sintaksë të saktë, të cilat jan të parandësishme përderisa shkruesi e ban të qartë mendimin e vet, as me të shmangun t’amerikanizmave,40 a me të pasun të t’ashtuquejtunit «stil të mirë prozator». N’anën tjetër, nuk asht e interesueme në thjeshtësi të rrejshme dhe përpjekje me e ba anglishten e shkrueme bisedore. As nuk nënkupton në çdo rast me parapëlqy fjalën saksone para asaj latine, ndonëse nënkupton, po, me përdorë sa ma pak, dhe ma të shkurtat, fjalë që e kapërthejnë kuptimin. Çka lypet mbi të gjitha asht me e lanë domethanien me e zgjedhë fjalën, dhe jo së prapthi. Në prozë, ma e keqja që mun ban dikush me fjalë asht me u dorzu para tyne. Kur mendon për nji gjasend konkret, mendon pafjalshëm, dhe pastaj, në daç me e përshkru sendin që ke qenë tue e përfëtyru, me gjasë lyp rretherrotull deri kur t’i gjesh fjalët e sakta që duken se i përshtaten. Kur mendon për diçka abstrakte, je ma i primun me përdorë fjalë prej fillimi, dhe përderisa nuk ban përpjekje të vetëdijshme me e parandalu, dialekti ekzistues do të turret dhe do ta kryejë punën, tue ta mjegullu ja madje tue ta ndryshu domethanien. Me gjasë, asht ma mirë me lanë anash të përdorunit e atyne fjalëve përsa të jetë e mundshme dhe me qartësu domethanien sa ma shum që të mundet njeriu përmes pamjeve e ndjesive. Pastaj, dikush mund t’i zgjedhë — jo thjesht t’i pranojë — frazat që ma së miri e kapërthejnë domethanien, dhe pastaj me u kthy e me përcaktu se çfarë mbresash kan gjasë t’i lanë fjalët e zgjedhuna dikujt tjetër. Kjo përpjekje e mbrame e mendjes i menjanon të gjitha figurat bajate a të përzieme, të gjitha frazat e paragatueme, përsëritjet e panevojshme, dhe broçkullat e vagullsitë në përgjithsi. Por dikush shpesh mund të ketë dyshime rreth efektit të nji fjale ose fraze, dhe atij i duhen rregulla te të cilat të mbështetet kur i dështon instinkti. Mendoj se rregullat në vijim do kryjnë punë në shumicën e rasteve:

  1. Kurrë mos e përdor nji metaforë, krahasim, ose tjetër figurë letrare të cilën je mësu me e pa në shtyp.
  2. Kurrë mos e përdor nji fjalë të gjatë kur kryen punë nji e shkurtë.
  3. Nëse mundesh me e heqë nji fjalë, gjithmonë hiqe.
  4. Kurrë mos e përdor pësoren kur mun e përdor veproren.
  5. Kurrë mos e përdor nji frazë të huej, fjalë shkencore, ose fjalë zhargoni, nëse mundesh me ia gjetë nji barazvlerë prej anglishtes së përditshme.
  6. Shkeli këto rregulla para se me thanë gja haptazi barbare.41

Këto rregulla tingëllojnë elementare, dhe të tilla jan, por kërkojnë nji ndërrim të thellë qasjeje prej kujtdo që asht mësu me shkru në stilin që tash asht në modë. Dikush mun m’iu përmbajtë të gjitha këtyne rregullave dhe prap me shkru n’anglishte të keqe, por nuk do të kish mujtë m’i shkru qato sende që i citova në të pesë specimenet në fillim t’artikullit.

Nuk e shqyrtova këtu përdorimin letrar të gjuhës, por thjesht gjuhën si mjet për t’i shprehë dhe jo për t’i mshefë ose parandalu mendimet. Stuart Chase dhe do tjerë gati sa s’thonë se të gjitha fjalët abstrakte jan të pakuptimta, dhe e kan përdorë këte si pretekst për t’avoku nji lloj heshtjetarie politike (heshtizmi politik). Mbasi s’e din se çka asht fashizmi, si mund të luftosh kundër fashizmit? Nuk duhet me përbi absurditete si kjo, por duhet me pranu se kaosi i tashëm politik lidhet me shkatërrimin e gjuhës, dhe se mundemi me ba përmirësime tue ia nisë në fillin foljor. Nëse e thjeshton anglishten që e përdor, çlirohesh prej budallakive ma të këqija t’ortodoksisë. Nuk mund ta flasësh asnjanin nga dialektet e nevojshme, dhe kur e ban nji llaf të marrë, marrzia ka me u vërejtë ashiqare; edhe ti vetë ke me e vërejtë. Gjuha politike — dhe me ndryshesa, kjo vlen për të gjitha partitë politike, prej konservatorëve tek anarkistat — asht e përcaktueme që t’i bajë gënjeshtrat me tingëllu të vërteta dhe vrasën të ndershme, dhe me i dhanë dukë ngurtësie erës së kullueme. Kurrkush s’mund ta ndërrojë gjithë këte përnjiherësh, por dikush mund t’i ndryshojë të paktën shprehitë e veta, dhe kohë mbas kohe dikush mundet qebesa, nëse tallet mjaft zashëm, me i hudhë disa fraza të shtjerruna e të pavyeshme — do çizme, thembra Akilash, [ . . . ]42 ase kokël tjetër byku foljor — në kosh plehnash ku e ka vendin.



George Orwell, 1946

E përktheu shqip:
Getoar Mjeku, J.D., 2015


i George Orwell, «Politics and the English Language», në In Front of Your Nose, red. Sonia Orwell dhe Ian Angos (New York: Harcourt, 1968), f. 127—40.

ii George Orwell, «Politics and the English Language», në GeorgeOrwellNovels.com (qasë më 2015-07-20): <https://tr.im/CZByv>.

* Ndritësim interesant i kësaj asht mënyra si emnat anglisht të luleve që jan përdorë deri tevona jan tue u përzanë nga emna grekë: snapdragon (gojuku) tue u ba antirrhinum, forget-me-not (mosmëharroja) myosotis, etj. Vështirë se sheh arsye praktike për kët ndërrim mode: asht me gjasë shkaku i nji largimi të pamenduem prej fjalëve ma të shpisë dhe nji ndjenje të vagët se fjala greke qenka shkencore. [Fusnotë e autorit]

** Shembull: «Katoliciteti i perceptimit dhe figurave të Comfort-it, çuditërisht Whitmanesk për nga gjerësia, pothuajse ekzaktësisht e kundërta për nga kompulsioni estetik, vazhdon të evokojë atë insiuatë akumuluese me atmosferë dridhëruese në një pakohshmëri paevitueshmërisht serene . . . . Wrey Gardiner shënon duke synuar thjesht zemra pikadoje me precizitet. Vetëm se nuk janë aq të thjeshta ato, dhe ndonëse ky trishtim i pretenduar arrin përtej hidhurëmbëlsisë sipërfaqësore të të hequrit dorë.» (Poetry Quarterly) [Fusnotë e autorit]

Dikush mund të shërohet nga sajesa jo pa- (not un-) tue mësu përmendësh kët fjali: Një qen jo i pazi po ndiqte një lepur jo të pavogël përgjatë një fushe jo të pablertë. [Fusnotë e autorit]

1 «I am not, indeed, sure whether it is not true to say that the Milton who once seemed not unlike a seventeenth-century Shelley had not become, out of an experience ever more bitter in each year, more alien(sic) to the founder of that Jesuit sect which nothing could induce him to tolerate.»

2 «Above all, we cannot play ducks and drakes with a native battery of idioms which prescribes such egregious collocations of vocables as the Basic put up with for tolerate or put at a loss for bewilder

3 «On the one side we have the free personality; by definition it is not neurotic, for it has neither conflict nor dream. Its desires, such as they are, are transparent, for they are just what institutional approval keeps in the forefront of consciousness; another institutional pattern would alter their number and intensity; there is little in them that is natural, irreducible, or culturally dangerous. But on the other side, the social bond itself is nothing but the mutual reflection of these self-secure integrities. Recall the definition of love. Is not this the very picture of a small academic? Where is there a place in this hall of mirrors for either personality or fraternity?»

4 «All the “best people” from the gentlemen’s clubs, and all the frantic fascist captains, united in common hatred of Socialism and bestial horror of the rising tide of the mass revolutionary movement, have turned to acts of provocation, to foul incendiarism, to medieval legends of poisoned wells, to legalize their own destruction of proletarian organizations, and rouse the agitated petty-bourgeoisie to chauvinistic fervor on behalf of the fight against the revolutionary way out of the crisis.»

5 «If a new spirit is to be infused into this old country, there is one thorny and contentious reform which must be tackled, and that is the humanization and galvanization of the B.B.C. Timidity here will bespeak canker and atrophy of the soul. The heart of Britain may lee sound and of strong beat, for instance, but the British lion’s roar at present is like that of Bottom in Shakespeare’s Midsummer Night’s Dream — as gentle as any sucking dove. A virile new Britain cannot continue indefinitely to be traduced in the eyes, or rather ears, of the world by the effete languors of Langham Place, brazenly masquerading as “standard English.” When the Voice of Britain is heard at nine o’clock, better far and infinitely less ludicrous to hear aitches honestly dropped than the present priggish, inflated, inhibited, school-ma’amish arch braying of blameless bashful mewing maidens.»

6 Shembujt [që vlejnë për anglishten] jan: ring the changes on [— dmth., me i ra kambanës ndryshe-ndryshe, pra provo diçka të re]; take up the cudgles for [— me duru stupcin për diçka, pra me mbrojtë a kundërshtu ashpër]; toe the line [— me vu gishtin e kambës në vijë të nisjes, si shpejtakët kur nisin vrapin]; ride roughshod over [— me shkelë me patkue që shpon; me trajtu egërsisht, shpërfillshëm]; stand shoulder to shoulder with [— radhitemi krah për krah ose ngjeshim radhët]; play into the hands of [— me ia lëshu topin në dorë kundërshtarit]; an axe to grind [— përfjalshëm: sëpatë me mbrehë; dmth., interes a qëllim vetjak, shpesh tinzak]; grist to the mill [— me çu miell në mulli]; fishing in troubled waters [— tue peshku n’ujna të turbullta]; on the order of the day [— në rend të ditës]; Achilles’ heel [— thembra e Akilit]; swan song [— kanga e mjellmës, e bama e fundit para vdekjes ose pensionimit]; hotbed [— votër].

7 [Orwelli pyet në kllapa:] çka domethanë rift (plasa), për shembull?

8 render inoperative, militate against, prove unacceptable, make contact with, be subjected to, give rise to, give grounds for, having the effect of, play a leading part (role) in, make itself felt, take effect, exhibit a tendency to, serve the purpose of, etc. etc.

9 break, stop, spoil, mend, kill

10 prove, serve, form, play, render

11 by examination of në vend se by examining

12 -ize and de- formations

13 not un- formations

14 with respect to, having regard to, the fact that, by dint of, in view of, in the interests of, on the hypothesis that

15 greatly to be desired, cannot be left out of account, a development to be expected in the near future, deserving of serious consideration, brought to a satisfactory conclusion

16 phenomenon, element, individual (si emën), objective, categorical, effective, virtual, basis, primary, promote, constitute, exhibit, exploit, utilize, eliminate, liquidate

17 epoch-making, epic, historic, unforgettable, triumphant, age-old, inevitable, inexorable, veritable [përfjalshëm: «i vërtetshëm», «e vërtetshme»; dmth. i/e vërtetë]

18 realm, throne, chariot, mailed fist [grusht i vramë], trident, sword, shield, buckler [shqyt parzme], banner, jackboot, clarion

19 expedite [me përshpejtu], ameliorate [me përmirësu], predict [me parashiku], extraneous [i huej, i jashtëm], deracinated [me çrranju], clandestine, sub-aqueous [nënujor]

20 hyena, hangman, cannibal, petty bourgeois, these gentry, lackey, flunkey, mad dog, White Guard

21 deregionalize, impermissible [i/e palejueshëm, ~shme], extramarital [jashtëmartesor], nonfragmentary

22 romantic, plastic, values, human, dead, sentimental, natural, vitality

23 democracy, socialism, freedom, patriotic, realistic, justice

24 Marshal Pétain was a true patriot, The Soviet press is the freest in the world, The Catholic Church is opposed to persecution

25 class, totalitarian, science, progressive, reactionary bourgeois, equality

26 in my opinion it is a not unjustifiable assumption that sesa I think

27 a consideration which we should do well to bear in mind ose a conclusion to which all of us would readily assent

28 the fascist octopus has sung its swan song, the jackboot is thrown into the melting pot

29 egregious

30 bestial atrocities, iron heel, bloodstained tyranny, free peoples of the world, stand shoulder to shoulder

31 pacification

32 transfer of population ose rectification of frontiers

33 elimination of unreliable elements

34 «keeping out of politics»

35 a not unjustifiable assumption, leaves much to be desired, would serve no good purpose, a consideration which we should do well to bear in mind

36 «felt impelled»

37 «[The Allies] have an opportunity not only of achieving a radical transformation of Germany’s social and political structure in such a way as to avoid a nationalistic reaction in Germany itself, but at the same time of laying the foundations of a cooperative and unified Europe.»

38 lay the foundations, achieve a radical transformation

39 explore every avenue dhe leave no stone unturned

40 [Amerikanizmat, në rastin e shqipes, do të përkonin me fjalë që i përdor ma shum njani prej vendeve shqiptare.]

41 [Ma mirë shkeli këto rregulla se me u ba horë.]

42 jackboot, Achilles’ heel, hotbed, melting pot [kazanshkrimës, kazan ku shkrihen ose përtreten, si, p.sh., në Shtetet e Bashkueme, mërgimtarët me prejardhje të ndryshme]; acid test, veritable inferno [dmth. ferr i vërtetë]

Shih edhe:

George Orwell për lirinë e shprehjes
George Orwell, «Liria e shtypit»

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje