Përtej Dovletit Osman

Ka shum kallzime nga historia e Turqisë që shqiptarëve do t’u pëlqenin ma shum sesa lavdet për Muratët e Mehmetët. Shteti i karamanëve në brigjet e Mesdheut, ushtarët turq që zunë rob sulltanin, apo fshatarët anadollakë që çuan krye për tokën e bukës janë pjesë e ndritun e historisë turke që duam ta ndigjojmë. Shto këtu dhe tregimin për reformatorin turk që kërkoi shkolla për shqiptarët, ndonëse s’e bindi dot padishahun. Për t’i shënue drejt këto ngjarje fisnike, na duhet me ia njehë të metat halifit dhe shtetit që ai e sundoi.

Dallas, Texas — Nuk dij të ketë ndonji dhé mbi rruzull ku kujtimi për nji perandori të shueme të jetë aq i gjallë e i përditshëm siç asht te na llafi i shtetit të dikurshëm osman. Përsiatjet tona i ngjasojnë nji udhtimi andrrimtar nëpër kohë që nisë njeriu i dërrmuem nga athtësia e motit të vet. Por kur kujtojmë me të shame apo lavd sundimin pesëshekullor të sulltanit, na jemi ma fort se kurdoherë të vetëdijshëm për të tashmen. Nji fushë dijesh si historia shndërrohet në vegël politike, ndërsa përkrahës të mendimeve të ndryshme mundohen që me tregimet e tyne rreth së djeshmes ta ndikojnë rrjedhën e jetëve tona sod.

Të ndodhun në nji udhëkryq mes lindjes e perëndimit, mënyrën ma të lehtë për t’i përligjë bindjet tona e gjejmë te Dovleti Osman. Me nji qasje të shtrembueme ndaj historisë, e të cytun nga rryma e mendimit të skajshëm islamist, nji tufë në rritje qytetarësh përmendin me nderim e madhështi halifatin osman. N’anën tjetër, disa bashkëkombas tanë, të trishtuem nga kujtimi i së kaluemes, nisin e shprehin mosbesim e paragjykim ndaj nji feje e kombi të tanë, emni të cilëve lidhet me perandorinë. Të prekun nga ky qëndrim, myslimanë e ma fort turq përgjigjen tue mbrojtë trashigiminë e Shtetit Osman, aq sa i mohojnë dhe çdo të metë a cen që e pati përcjellë në histori.

Ndër këto kandvështrime të gabueshme ndaj historisë, megjithate, ma tronditës na del ky i mbrami—qëndrimi i dijetarëve e qeveritarëve turq—që ka fillue ta ushqejë, me apo pa dashje, edhe qerthullin e islamistave. Tue shpërfillë të njimendtën historike, kushtrimi anadollak ia mveshë kombit turk barrën e randë të trashigimisë osmane, ndërsa përpiqet që nji populli tjetër t’ia rishkruajë historinë e vet. Për t’i bindë shqiptarët se Perandoria Osmane nuk ishte pushtuese por thjesht mbarështuese (administratore) e trojeve tona, të përmalluemit e halifatit theksojnë edhe tiparet shumkombëshe të shoqnisë osmane. Ata përmendin në veçanti 28 apo 36 sadriazemë apo kryeministra arbëneshë dhe shqiptarë të mëdhaj si Sami Frashëri që, siç pandehin sulltanistët, u ngritën aq nalt në jetën botore të perandorisë. Akademikë turq flasin po ashtu për përparimin ekonomik, tue pohue se autoritetet e kohës përdorën tatimet e mbledhuna dhe për ta ndërtue Shqipninë. Kurse mbi të gjitha, osmanistat mburrin sulltanin se e shpëtoi popullin shqiptar, që ish në rrezik të zhdukej nga trysnia e sllavëve, grekëve e italianëve.

E stolisun aq krenueshëm me petkun perandorak, Ankaraja përpiqet që miqsinë me shqiptarët ta thellojë mbi trashigiminë e sundimit osman. Por me këtë të ngutun, sakaq, nuk ven re se lidhjet ma të çiltra i krijojnë vetë popujt dhe jo perandoritë. Ndonëse u quajt historikisht edhe Turkí ose Perandoria Turke, Shteti Osman ishte zotnim vetjak i sulltanit, që shtypi popullin turk po aq sa lenitë tjera. Pushteti absolut i monarkut nuk arriti që zgjanimin e truallit dhe rritjen pasunore ta kthente në zhvillim të qëndrueshëm njerzor, ndërsa mungesa e lirisë dhe korruptësia shkatërruan perandorinë nga mbrenda. Shteti Osman humbi hapin e mbrothsisë me Evropën perëndimore, tue lanë në terr popullin pa dallim kombsie.

Por edhe si komb më vete, shqiptarët kanë arsye që s’e kujtojnë për të mirë Perandorinë Osmane. Përkundër pandehjeve se osmanët shpëtuan Shqipninë, ata në të vërtetë e shkatërruan ate. Shqiptarët në shek. XV mposhtën vetë Venedikun e u përballën dhe me sërbët, që kishin lidhë aleancë me osmanët. Me të marrë Shkodrën më 1479, ushtarët e sulltanit i dhanë fund Shtetit t’Arbënit dhe lirisë së kombit tonë. Në pamundësi me mbajtë rend në viset e thella malore, osmanët i lejuan shqiptarët të ndiqnin doket e lashta të vendit, por ligjvenës e gjyqtarë në fusha e qytete u banë njerzit e padishahut. Gjatë shekujve vijues, i vetëshpalluni perandor romak pengoi në çdo mënyrë ringjalljen e shtetit arbënor: shuajti kryengritje të njipasnjishme, shpartalloi pashallëqet e Shkodrës e Janinës, luftoi qeverinë e Prizrenit e shkagoi çdo kërkesë të rilindasve për vetëqeverimin e Shqipnisë dhe për të drejtat e kombsisë shqiptare. Madje vetë sulltani u fali toka arbënore krajlive fqinje, ndërsa u dhuroi pushtet pakicave sllave e greke mbi shqiptarët shumicë.

Njilloj i hidhun asht edhe tregimi për evropianët që i shërbyen sulltanit. Për ta mbajtë gjallë pushtetin e pakufizuem prej despoti, sulltani filloi të mbledhë fëmijë të krishtenë nga trevat e pushtueme dhe t’i rrisë ata si shërbëtorë besnikë e të ndigjueshëm. Të shkëputun nga lidhjet familjare e kombtare, këta djem e vajza s’kishin rrugëdalje tjetër pos t’i bindeshin vullnetit të padishahut, që me skllevnit e vet në detyra të nalta shtetnore ua mehte fuqinë pinjollëve të familjeve të fuqishme turke. Pak ditë mbasi pushtoi Konstandinopojën, Mehmeti II i preu kokën kryevezirit Halil Pasha nga dera e Çandarlijve turq dhe emnoi në vend të tij Zaganos Pashën ballkanas. Aq i vetëdijshëm qe Zaganosi për prejardhjen e tij, saqë historianët e mbajnë herë për arbënesh, herë për grek e herë për sllav! Tue njehë pastaj dhe kryeministrat tjerë, s’e gjejmë dot saktë as sasinë e as cilsinë e arnautëve që drejtuan qeverinë e sulltanit.

Ndërsa vijonte kalbja nga mbrenda e perandorisë, popujt shqiptar e turk lëngonin nga shtypja e paditunia. S’asht e rastit që u desh t’arrijë fundi i shekullit XIX që Sami Frashëri të hidhte themelet e gjuhëve moderne turke e shqipe, ndërkohë që evropianët i kishin përsosë të tynet qinda vjet ma parë. Aq ma pak, s’qe punë fati që Samiu e dy vllaznit e tij, Abdyli e Naimi, u shuan heret (53 a 54 vjeç), mbasi kaluan vite të përndjekun në burgje e syrgjynime. Shqiptarët janë krenarë që kanë nji figurë si Samiu, i cili na lidhë fort dhe me popullin turk. Por nuk mund të jemi krenarë për Perandorinë Osmane, që nuk lejoi shum e shum Sami të tjerë—shqiptarë e turq—të lulzonin gjatë historisë.

Nuk ka se si ta quajmë të virtytshëm nji shtet që, tue ra pre e tekave të pushtetarëve dhe grave të haremit, luftoi me aq verbëni dijet e artet. Ndërkohë që hoxhët e korruptuem e quanin shtypshkronjën e Gutenbergut vegël të djallit, në Perandorinë Osmane nuk u shtyp asnji libër për myslimanët deri në shekullin XVIII. Gati treqind vjet mbasi kishte dalë nga shtypi Bibla e parë, nji shërbëtor hungarez ia theu mendjen sulltanin ta miratonte shtypin për botime shekullare. Por magjari s’e mori pëlqimin e padishahut për ta shtypë Kuranin fisnik, e as që arritën ta bindin ndonjiherë shqiptarët mbretin e «tyne» t’u lejonte shkolla e libra në gjuhën shqipe. Para fundshek. XIX, në Shqipninë e pushtueme, s’u botua tjetër pos veprash të krishtena që numëroheshin në gishta. Ndërsa kur ra sundimi osman, shumica dërmuese e popullit, si në trojet tona, ashtu dhe n’Anadoll, nuk dinte shkrim e lexim. Ma e përshtatshme s’ish as gjendja e amvisnisë, teksa në Shqipninë Londinare të 1913-s s’kish qoftë nji kilometër hekurudhë. Paratë e tatimpaguesve shqiptarë kishin përfundue në sarajet e Stambollit o në buxhetin e nizamëve, që Porta e Naltë i dërgonte tek ne për të shue kryengritje a për të mbledhë me dhunë dhe ma shum haraç.

Mbresat tona për sundimin osman nuk janë të huquna e as të painformueme sa t’u japin shkas akademikëve të huaj të na i rimësojnë thelbsisht ngjarjet e asaj periudhe. Por ka shumçka në historinë e Turqisë që mbetet rrëfim i pandigjuem për shqiptarët. Dhe jam i bindun se popullit tonë do t’i pëlqenin ma shum ato kallzime sesa lavdet për Muratët e Mehmetët. E kaluemja jonë na lidhë me fort me turqit oguzë, që lëshuan tokat e të parëve jo për t’u ba pushtues, por pse s’duronin vetë egërsinë e pushtuesve mongolë. Shteti i karamanëve që sundojshin në brigjet e Mesdheut, ushtarët turq të Tamerlanit që zunë rob Sulltan Pajazitin I dhe mposhtën Llazareviqin n’Ankara, apo fshatarët xhelalij t’Anadollit që çuan krye për tokën e bukës janë pjesë e ndritun e historisë turke që duam ta ndigjojmë. Shto këtu dhe tregimin për reformatorin turk Safet Pasha që më 1880 e luti sulltanin por s’ia mbushi dot mendjen të hapte shkolla në Shqipni.

Për t’i shënue drejt këto ngjarje fisnike, pena e historisë do të zbehte patjetër namin e perandorisë, tue ia njehë të metat halifit dhe shtetit që ai e sundoi. Do ta hapte madje shtegun, kjo penë, që dijetarë e udhëheqës politikë të shohin ma thellë në vorbullën e historisë, tue njoftë dhe çmue luftën e drejtë t’atyne që si Gjergj Kastrioti mbrojtën lirinë e popullit ndaj tiranisë së perandorit. Vështrimi i urtë do t’u hidhte dritë edhe anadollakëve skamnorë që rrokën armët ndaj pushtetit plaçkitës, pa u habitë nga vërejtjet e nji veçuesi fesh se kryerebeli Xhelal paska qenë alevi ose «jobesimtar». Sepse në fund, kallzimi për popullin, e jo për prijësin a fenë, do të bahej matësi i historisë.

Do vra pak mendjen me kuptue që miqsinë e besimin e shqiptarëve Turqia e gëzon jo në sajë të madhështisë së Perandorisë Osmane, por falë virtyteve të popullit turk. Ngase, në të vërtetë, populli asht ma madhështor se sulltanët. Dhe për ta ruajtë e trashë dhe ma tej afrinë me kombin tonë, Ankarasë i duhet të përqafojë të vërtetën, ndërsa tue folë për popullin e vet paqsor e liridashës, t’ua zgjojë dhe shqiptarëve ma të ndrojtun kërshërinë me takue nji mik të njimendtë.

E vëreta nuk shuhet. Prandaj, unë nuk mund të bie n’ujdi me mendimet e cilitdo që Perandorinë Osmane e naltson si nji shtet të drejtë. Prijetari Abraham Lincoln, që i solli fundin skllavnisë në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, u dha shpresë bashkëkombasve të vet, duke ua kujtue se «nji qeveri e popullit, nga populli, për popullin s’do të zhduket prej faqes së dheut». Perandoria Osmane e tillë s’ishte andaj dhe sod s’asht fare ma! Por e vërteta nuk shuhet. Prandaj, as nuk lej të më shkelë sholla në kurthin e paragjykimeve e mendjemadhësisë (mirozo në ramje) të disa perëndimorëve, që shastisen saherë kujtojnë se ç’komb i madh e i virtytshëm rrnon sod n’Anadoll. Populli shqiptar asht me fat të ketë nji fqij e mik si popullin turk. Dhe kjo miqsi e vllazni, tue qenë «e popullit, nga populli, për popullin» do të jetojë përherë—ma gjatë se regjimet e regjnitë e cilitdo mot.

(Autori asht kandidat për titullin Juris Doctor në fakultetin e drejtësisë «SMU Dedman School of Law» në Dallas, Teksas, ShBA. Po ashtu, ka përkthye anglisht librin «Kosova II: Perandoria Osmane» të Jusuf Buxhovit.)

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje