Tregimi për padishahun



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Dallas, Texas—Tash e sa vjet në nji tyrbe historike n’afërsi të Prishtinës, mbahet nji përkujtim i përvitshëm për nji nga sulltanët osmanë.  Murati I sundoi perandorinë për gati katër dekada para se t’i printe ushtrisë së tij në Betejën e Kosovës më 1389.  Megjithëse osmanët korrën fitore, nji ushtar vendas ia doli ta vriste sulltanin fare pranë tyrbes, që më pas u ngrit në nderim të monarkut.

Ceremonia e vrikshme, megjithate, nuk asht vetëm përkujtim i së kaluemes.  Se kush e organizoi, kush qe i pranishëm, kush foli e çka tha për sulltanin lëshon gjamë politike dhe asht çashtje e të tashmes.  Në kët dramë, unë shoh tri akte që s’lidhen dot mes vete:  fjalimet e ditëve tona, historia e largët dhe zhgandrra e së nesërmes.

 

1.

Unë i çmoj përpjekjet e kujtdo qofshin, sidomos turqve, për ta nxitë paqen e miqsinë mes popujve të ndryshëm.  Por, megjithë pandehjet organizatorëve të ngjarjes, përkujtimi i nji figure si Sulltan Murati nuk asht rasti i duhun.  Murati dhe Perandoria Osmane në Kosovë kanë nji të kalueme jo të ndritun.  Kujtimi i tyne asht zgjedhje e gabueme për pikëmbështetje të miqsisë e vllaznisë së sotme shqiptaro-turke.

Fjalët që i paska thanë myftiu Tërnava nuk shprehin mendimin e shumicës së qytetarëve të Kosovës.  Populli ynë i kujton Muratin dhe sulltanët e tjerë si pushtues dhe despotë shtypës të kohëve t’errëta që urojmë të mos përsëriten.  Perandoria Osmane nënshtroi shqiptarët kundër vullnetit të tyre.  Dhe kur shqiptarët, si nënshtesas osmanë, u përballën me rrezikun e pushtimeve sllave (sidomos në 200 vjetët e fundit), qe ajo perandori që dështoi të na mbrojë, tue e lanë kështu Dardaninë tonë nën Sërbi.

Ndoshta do të vijë dita kur na do ta kujtojmë edhe Sulltan Muratin në ndonji ceremoni.  Por përderisa anashkalojmë bashkëkohasit e tij dhe trimat e kombeve tjera — ku në radhë të parë qëndron Gjergj Kastrioti — ne s’i kemi ndihmue paqes e miqsisë, por kemi fye qytetarët e kemi nxitë urrejtje.  Përfundimisht, me kët gjest sod, organizatorët nuk i kanë ndihmue imazhit të Turqisë te ne.  Nuk dij pse sod përfaqsuesit e Ankarasë duan t’identifikohen me nji shtet despotik si Perandoria Osmane, që shtypi me shekuj jo veç shqiptarët por edhe turqit.

 

2.

Kët kumtim mbase do ta mbyllsha këtu, sikur të mos ma zinte synte nji cen tjetër të ceremonisë:  Pse s’u shfaq në skenën e tubimit flamuri shqiptar?  Mbizotnoi flamuri turk, ndërsa pranë tij u duk i vogluem e i vetmuem edhe gjashtëyjeshi me hartë të Kosovës.  Mbase dikujt s’i pëlqen të shohë në tyrbe flamurin e Skenderbeut, njeriut që sfidoi me dekada sunduesit osmanë.  Veç asaj, mungesa e shkabës arbënore jehon dhe me vetë sundimin shumshekullor osman gjatë të cilit perandoria e ndau Kosovën nga trojet tjera shqiptare.  (Madje edhe ia la kët toponim sllav, tue anashkalue padrejtësisht emnin e lashtë Dardani, kur themeloi vilajetin e Kosovës më 1877.)

Perandoria Osmane si nji shtet autokratik ishte vetvetiu shtypëse.  Nuk dyshoj, se saherë ka pak përparim ekonomik dhe pare të mjaftueshme, pushteti do të mundohet me qetsue popullin tue i dhanë lëmoshë.  Por nëse ndonjiherë gjatë sundimit osman ka pasë të mira landore, nuk ka pasë asnjiherë liri që osmanët na e dhanë me ndërgjegje.  Pati liri të pjesshme në disa vise malore kur thjesht, ani pse na e kishin shkatërrue shtetin, na e detyruam sulltanin me na i njoftë doket tona.  Mirëpo aty ku sulltani ia dilte me sundue lirshëm, vendimet e tij asnjiherë nuk përfillshin shqiptarët si nji komb.

Të tillë ishin të gjithë, si Murati e si krejt pasaardhësit e tij.  Ma i freskëti në kujtesën e popullit, ndoshta pse sundoi goxha gjatë dhe përqendroi edhe ma pushtetin në duart e veta, asht Abdylhamiti II, tirani që papra i shkagoi kërkesat e shqiptarëve për nji shtet të vetëqeverisun.  Në vend se ta falënderonte popullin tonë për besnikninë e tij tue ia lejue autonominë, padishahu ynë “i dashtun” coptoi vendin tonë në katër vilajete dhe na dobsoi përballë anmiqve që na rrethojshin.

Kështu, sulltani i la shqiptarët në terr, tue përndjekë të gjithë ata që dojshin me zhvillue arsimin shqip.  Madje dhe kur hoxhët tanë atdhetarë kërkojshin leje me shtypë Kuranin në gjuhën tonë qoftë dhe me shkronja arabe, halifi ynë i ndritun dërgonte ndër popull islamistat urrejtjenxitës (të ngjashëm me shum prejkues të fesë sod) për të shitë dokrra për ymetin e pandashëm (dhe të njitrajtshëm) mysliman.  Kur na bijshin pastaj në qafë shkijet, tue na damkue si turq myslimanë, Abdylhamiti II dërgonte ushtrinë për të na bindë me i flijue tokat tona për hir të sarajeve të tij në Stamboll.

 

3.

E vëreta nuk shuhet.  Prandaj, unë nuk mund të bie n’ujdi me mendimet e myftiut, ambasadorit, apo cilitdo, që Perandorinë Osmane e naltson si nji shtet të drejtë.  Prijetari Abraham Lincoln, që i dha fund skllavnisë në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, u dha shpresë bashkëkombasve të vet, tua i kujtue se “nji qeveri e popullit, nga populli, për popullin s’do të zhduket prej faqes së dheut”.  Perandoria Osmane e tillë s’ishte andaj dhe sod s’asht fare ma!

Por e vërteta nuk shuhet.  Prandaj, as nuk lej të më shkelë sholla në kurthin e paragjykimeve e mendjemadhësisë (mirozo në ramje) të disa perëndimorëve, që shastisen saherë kujtojnë se ç’komb i madh e i virtytshëm rrnon sod n’Anadoll.  Populli shqiptar asht me fat të ketë nji fqij e mik si popullin turk.  Dhe kjo miqsi e vllazni, tue qenë “e popullit, nga populli, për popullin” do të jetojë përherë — ma gjatë se regjimet e regjnitë e cilitdo mot.