Përvjetori i Luftës së Dytë Botërore

Më 1 shtator 1939, Gjermania naziste sulmoi Poloninë. Kjo datë njihet si fillimi i Luftës së Dytë Botërore, ndonëse luftë kish bërë dhe Shqipëria kundër pushtuesit fashist qysh në muajin prill.

Lufta e Dytë Botërore zgjati zyrtarisht 6 vjet e 1 ditë. Italia fashiste kapitulloi më 1943, Gjermania më 8 maj 1945, dhe Japonia më 2 shtator 1945. Aleatët — ShBA, Britania e Bashkimi Sovjetik, përkrah Francës, Kinës dhe popujve të shtypur — e mundën të keqen.

Bota s’kish pa ndonjëherë tmerr ma të madh. Konflikti preku drejtpërdrejt mbi 30 vende të botës, duke vra rreth 80 milionë jetë njerëz, shumica dërrmuese civilë. Në Kinë, BRSS e Poloni pati ma së shumti të vrarë, ndërsa vujtjen ma të rëndë e përjetunë viktimat e Holokaustit — jahudijtë e romët — që regjimi nazist synoi me i qitë fare dhe i çnjerëzoi pa fije mëshire.

Me fitoren e tyre, Aleatët çlirunë nga tirania edhe popujt e shteteve të mundura, duke ua hapë rrugën e paqes drejt rimëkëmbjes e përparimit.

Më 1946, Japonia hoqi dorë përjetësisht nga lufta, duke shpallë botërisht në preambulën e kushtetutës së re:

«Ne, populli japonez, dëshirojmë paqe përgjithmonë dhe jemi thellësisht të vetëdijshëm për idealet e nalta që drejtojnë marrëdhaniet njerëzore, dhe kemi vendue me e ruejtë sigurinë dhe qenien tonë tue iu besue drejtësisë dhe besës së popujve paqedashës të botës».

Kurse gjermanët, më 1949, nisën nenin 1 të Ligjit Themelor me këto fjalë:

«Denjësia e njeriut është e pacenueshme».

Sot të tri fuqitë e Boshtit janë shtete të përparuara e demokratike. Por fatin e tyre nuk e ndau populli ynë.

I lënë nën mujshinë e Stalinit dhe diktatorëve të sojit të tij, kombi shqiptar mbeti sërish i copëtuar e i robëruar për rreth gjysmë shekulli.

Më 1999, Aleatët e rij, me Gjermaninë e Italinë përkrah, i prunë Kosovës lirinë. Japonia ndër vite ndihmoi me i dhënë jetë vendit tonë të shkatërruar.

Sot, 20 vjet pas luftës së Dardanisë e dekada pas Luftës së Dytë Botërore, është radha jonë ta bëjmë shtetin — ta bëjmë me drejtësi, përparim e denjësi për të gjithë qytetarët, pa dallim.

1.9.2019

Botuar më
Kategorizuar si Historí Etiketuar me

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.