NË TUBIM, 4 korrik 1776.
Shpallja njizani e trembëdhjetë Shteteve të bashkueme t’Amerikës,
Kur në rrjedhën e ngjarjeve njerzore bahet e domosdoshme për nji popull me i shuejtë nyjat politike që e kanë lidhë me nji tjetër dhe me e marrë në duer, mes fuqive të botës, vendin e ndamë dhe të barabartë që ligjet e natyrës dhe Zoti i natyrës ia japin, nderimi i mirëfilltë ndaj mendimeve të njerzimit e lyp që ai popull të shpallë shkaqet që e çuen te ndamja.
Ne i mbajmë këto të vërteta për të vetëdëshmueshme, se të gjithë njerzit krijohen të barabartë, se Krijuesi iu fal disa të drejta të patjetërsueshme, se mes tyne janë jeta, liria dhe ndjekja e lumtunisë,—Se për t’i sigurue këto të drejta, mes njerzish ngriten qeveritë dhe pushteti i tyne i drejtë rrjedh nga pëlqimi i të qeverisunve,—Se kurdoherë që nji mënyrë e qeverisjes bahet shkatrruese e këtyne qëllimeve, asht e drejta e popullit me e ndryshue ose shfuqizue ate, dhe me ngritë nji qeveri të re, tue i vu themelet e saj mbi aso parimesh dhe tue renditë pushtetin e saj n’aso mënyre, siç [pjestarëve të popullit] do t’u duket ma e gjasshme me ua mundësue sigurinë dhe lumtuninë. Prajshmënia, njimend, do t’udhzojë se qeveritë e themelueme qëmoti nuk duhet të ndërrohen për shkaqe të lehta e kalimtare; dhe përkitazi gjithë përvoja ka tregue se njerzimi asht ma i primë me vuejtë, për aq sa mund t’i durojë të ligat, sesa me i ndreqë punët e veta tue shfuqizue mënyrën e qeverisjes me të cilën asht mësue. Por kur nji varg i gjatë shpërdorimesh e zaptimesh, që ndjekin padallim të njejtin qëllim, dëshmon nji paramendim me nënshtrue popullin ndaj despotizmit të pakufizuem, asht e drejta e popullit, asht detyra e tij, të flakë tej nji qeveri të tillë, dhe të caktojë rojtarë të rij për sigurinë e vet në t’ardhmen.—E tillë ka qenë vuejtja duruese e këtyne kollonive; dhe e tillë asht tani domosdoshmënia që i detyron t’i ndryshojnë sistemet e maparshme të qeverisjes. Historia e mbretit të tashëm të Britanisë së Madhe asht histori e shkeljeve e zaptimeve, të gjitha tue pasë për synim të drejtpërdrejtë vendosjen e nji tiranie të plotë mbi këto shtete. Për ta dëshmue këte, le t’i paraqiten faktet botës së ndershme.
Ai nuk ka pranue me ua dhanë pëlqimin ligjeve ma të dobishme dhe të nevojshme për të mirën botore (publike).
Ai ua ka ndalue qeveritarëve të miratojnë ligje që lypen menjiherë e përngut, përveç nëse zbatimi i tyne asht pezullue deri në marrjen e pëlqimit të mbretit; dhe kur u asht pezullue zbatimi, mbreti i ka lanë krejtësisht mbas dore.
Ai nuk ka pranue me miratue ligje tjera për nevojat e viseve me popullsi të madhe, përveç nëse gjindja e atyne viseve do të hiqte dorë nga përfaqsimi në ligjvenës, nji e drejtë e paçmim për ta dhe friksuese vetëm për tiranë.
Ai i ka ftue organet ligjvenëse në vende të pazakonta, të papërshtatshme, dhe larg mbajtësit të shënimeve të tyne botore, me qëllimin e vetëm me i lodhë ato organe derisa t’i pranojnë masat e tij.
Ai i ka shpërnda sa e sa herë dhomat përfaqësuese, për shkak se i kanë kundërshtue me qëndrim burrnor ndërhymjet e tij mbi të drejtat e popullit.
Ai nuk ka pranue për nji kohë të gjatë, mbas shpërndamjeve të tilla, me lejue zgjedhjen e dhomave të reja; me ç’rast, pushtetet ligjvenëse, meqë s’mund t’asgjasohen, i janë kthye popullit pa kufizim n’ushtrimin e tyne; ndërkohë që shteti ka mbetë i prekun nga të gjitha rreziqet e nji invadimi nga jashtë dhe trazinave të mbrendshme.
Ai asht përpjekë me ndalue popullimin e këtyne shteteve, tue pengue për at qëllim Ligjin për Natyralizimin e të Huejve, tue mos pranue me miratue ligje tjera për ta nxitë mërgimin këtej, dhe tue i ashpërsue kushtet për marrjen e tokave të reja në shfrytzim.
Ai e ka pengue ndamjen e drejtësisë, tue mos pranue me ua dhanë pëlqimin e tij ligjeve për themelimin e pushteteve gjyqsore.
Ai i ka ba gjyqtarët të mvarun prej vetëm vullnetit të tij për gjatsinë e shërbimit të tyne dhe për sasinë dhe dhanien e rrogës.
Ai ka ngritë nji mori zyrash të reja dhe ka dërgue këtej nji mizëri zyrtarësh për ta ngacmue popullin dhe me ia hangër pasuninë.
Ai ka mbajtë mes nesh, në kohë paqe, ushtri të rregullta, pa pëlqimin e organeve tona ligjvenëse.
Ai ka ndikue që ushtria të bahet e pamvarun dhe siprore ndaj pushtetit qytetnor.
Ai asht ba bashkë me të tjerët për të na nënshtrue ndaj nji pushteti të huej për kushtetutën tonë dhe të panjoftun prej ligjeve tona, tue ua dhanë pëlqimin e tij akteve që hiqen për ligjvenie (legjislacion):
[—] Për të strehue mes nesh njisi të mëdha të trupave t’armatueme;
[—] Për t’i mbrojtë ato, përmes nji gjykimi të rremë, nga ndëshkimet për vrasje të kryeme mbi banorët e këtyne shteteve;
[—] Për të na e pre tregtinë tonë me të gjitha vendet e botës;
[—] Për të na tatue pa pëlqimin tonë;
[—] Për të na e mohue në shum raste të drejtën e gjykimit nga porota;
[—] Për të na bartë tej detnash për t’u gjykue për shkelje të shtihuna;
[—] Për ta shfuqizue sistemin e lirë të ligjeve angleze në nji krahinë fqinje, tue vendue n’at krahinë nji qeveri arbitrare dhe tue ia zgjanue kufijtë sa me e ba ate menjiherë shembull dhe mjet të përshtatshëm për ta futë të njejtin sundim të pakufizuem në këto kolloni;
[—] Për të na i heqë aktet themeluese, tue i na shfuqizue ligjet tona ma të vlefshme, dhe tue na e ndryshue rrajsisht formën e qeverisjes;
[—] Për të na i pezullue organet tona ligjvenëse dhe shpallë veten bartës të tagrit me vu ligje për ne në të gjitha rastet pa dallim.
Ai ka heqë dorë prej qeverisjes këtu, tue na leçitë nga mbrojtja e tij dhe tue ba luftë kundër nesh.
Ai i ka plaçkitë detet tona, rrënue brigjet tona, djegë qytetet tona, dhe shkatrrue jetët e njerëzve tanë.
Ai asht tue pru në kët kohë ushtri të mëdha prej mercenarësh të huej për t’i krye punët e vdekjes, shkretnimit dhe tiranisë, që tashma kanë nisë me rrethanat e egërsisë dhe pabesisë thuajse të moteve ma barbare dhe plotsisht të pahijshme për kreun e nji kombi të qytetnuem.
Ai i ka detyrue bashkëqytetarët tanë të zanun rob në det të hapun me i rrokë armët kundër vendit të tyne e me u ba xhelatë të shokëve e vllazënve të tyne ose me ra vetë prej duerve të tyne.
Ai ka nxitë kryengritje të mbrendshme mes nesh, dhe asht përpjekë me i sjellë kundra nesh banorët e viseve të pashkeluna, indianët e egër e të pamëshirshëm, të cilët për rregull lufte njohin shkatrrimin padallim të të gjitha moshave e gjinive në çfarëdo kushte.
[ * * * ]
Gjatë tanë kohës sa ka vijue shtypja ndaj nesh, ne i kemi paraqitë lutjet tona për zgjidhje me përulsinë ma të madhe: lutjet tona të njimbasnjishme kanë marrë për përgjigje vetëm shkeljet e njimbasnjishme. Nji prijës, karakteri i të cilit asht pra i shenjuem nga cilado vepër që mund të përkufizojë nji tiran, asht i papërshtatshëm me qenë sundimtar i nji populli të lirë.
As nuk e kemi lanë mangut me ua ba me dije vllazënve tanë britanikë. I kemi paralajmërue herë mbas here rreth përpjekjeve t’organit të tyne ligjvenës me vendosë pushtet të papranueshëm ndaj nesh. Ua kemi kujtue rrethanat e mërgimit dhe ngulimit tonë këtu. U kemi ba thirrje ndjenjës së drejtësisë dhe zemërgjanësisë së tyne, dhe i kemi përgjërue mbi afërsitë tona të gjakut që t’i denojnë këto zaptime, që përfundimisht do të ndërprenin lidhjet dhe kontaktet tona. Ata gjithashtu i kanë qëndrue të shurdhët zanit të drejtësisë dhe kushrinisë. Ne duhet, andaj, ta pranojmë domosdoshmëninë, që shpall ndamjen tonë, dhe t’i mbajmë ata, siç e mbajmë gjithë njerzimin, anmiq në luftë, në paqe miq.
Prandaj, ne, përfaqësuesit e Shteteve të bashkueme t’Amerikës, tubue në Kongresin e Përgjithshëm, tue lutë Gjyqtarin Sipror të botës për ndershmëninë e qëllimeve tona, n’emën dhe me fuqinë e popullit të mirë të këtyne kollonive, sollemnisht botojmë e shpallim, Se këto Kolloni të Bashkueme janë, dhe me të drejtë duhet të jenë, shtete të lira e të pamvaruna, se lirohen krejtsisht nga besniknia ndaj Kunorës Britanike, dhe se të gjitha lidhjet politike mes Shtetit të Britanisë së Madhe shuhen dhe duhen shue në tansi, dhe se, si shtete të lira e të pamvaruna, ato kanë tagrin e plotë me shpallë luftë, vendue paqe, hy n’aleanca, zhvillue tregti, dhe me i krye të gjitha veprimet e punët që janë e drejtë e shteteve të pamvaruna. Dhe për t’i dalë zot kësaj Shpalljeje, me mbështetje të paluhatshme në mbrojtjen e urtisë hyjnore, ia besatojmë ndërsjellshëm njani-tjetrit jetët tona, fatet tona dhe nderin tonë të shejtë.
[ * * * ]
E përktheu nga anglishtja: Getoar Mjeku, Teksas, 2014
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=439