Dembelat e Dyseldorfit



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ç’asht e vërteta, edhe gjermanët e kan përsosë artin e përtacisë! Në nji kangë folklorike allemane, grueja e lut burrin me nxjerrë do ujë prej bunari. Por burri dembel ia “dëshmon” se asht teorikisht e pamundshme.

Shqip titulli “Ein Loch ist im Eimer” kish me i ra “Kusisë iu ka ba nji birë” — ose ma përfjalshëm e ma letrarisht: “Në kovë ka një vrimë.” Dhe qajo fatkeqsi e len Henrikun pa e nxjerrët ujët, meqë pa ujë ai nuk mundet me i krye as do punë të mjeshtrisë që duhen për me mshelë birën.

Përmes kangës, gjermanët i kan mësue fëmijët me iu shmangë aryetimeve të kota. “Nxirre me ata krye,” i thotë Liza, kur Henriku pyet se me çka me marrë ujët.

Me kqyrë holl, “logjika” ia ka anën Henrikun. Ai asht futë në nji udhë qorre — ose në qark të ndërpengimit — ku secili veprim mbetet peng i veprimit tjetër, sepse pa u krye njani s’un fillon tjetri. Kësaj i thonë pak a shum edhe “kam qaq punë sa s’po dij kah me ia nisë.”

Por gjermanët nuk e pranojnë dorzimin. Duhet me gjetë zgjidhje pa marrë parasysh vështirësitë!

Ky margaritar folklorik zuni fill para shekullit XVIII në Gjermani, dhe mërgimtarët e sollën ma vonë në Shtetet e Bashkueme, ku u përkthye anglisht. Dy artista të mëdhej amerikanë, Harry Belafonte dhe Odetta, e kan ndërpretue kangën me titullin “There’s a Hole in the Bucket.” Mund t’i ndigjosh këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=ElLpKewnxp4

Kurse vargjet e kangës kishim mujtë me i përshtatë lirshëm në të folmen dardane kështu:

— Henrik, o Henrik!
— Po, Elizë?
— A e nxore ujët?
— A e nxore ujët? Jo. Kusisë iu kish ba nji birë. P’e rrjedh.
— Po ndreqe, o i dashtni nieri, ndreqe!
— Po me çka me ndreqë, oj e dashtmja grue, me çka?
— Po shtinia nji pipëz, o i dashtni nieri, shtinia ‘i pipëz?
— Po pipza shum e gatë, oj e dashtmja grue, shum e gatë…
— Po preje, o i dashtni nieri, preje!
— Po me çka me e pre, oj e dashtmja grue, me çka?
— Po preje me teshlicë, o i dashtni nieri.
— Po tehu iu kish topitë, oj e dashtmja grue.
— Po mbrehe, o i dashtni nieri. Grije!
— Po me çka me mbrehë, oj e dashtmja grue? Me çka me gri? Në çka?
— Po në guri, o i dashtni nieri, në guri!
— Po guri shum i thatë, oj e dashtmja grue, shum i thatë…
— Po lage, o i dashtni nieri, lage!
— Po me çka, oj e dashtmja grue, me çka?
— Po me ujë, o i dashtni nieri, qitja do ujë…
— E ku me marrë ujët, oj e dashtmja grue? Kah?
— Po nxirre me kusi, o i dashtni nieri, me kusi…
— Po kusisë iu ka ba nji birë, moj grue, ‘i birë!
— Po nxirre me ata krye, o nieri, pra. Me kokë…!