Nji përdal yni i lajmeve shkruen: «Blero konfirmon: Do ta martoj Afronën».
Hajde de! Kujtova njiherë se Afrona qenka e bija ose e motra e Bleros, dhe tani ai si patriark i këtyneherit po i fton mësitat me e lypë dorën e saj. Ose të paktën, Bleroja po ban darsëm për martesë t’Afronës.
Se qashtu thonë shqip: Sivjet e martoj çikën, në mot e martoj djalin. Ose edhe ma shtirë: «Kalle, kalle malin, o! Marton nana djalin, o!»
Por s’qëlloi ashtu fare. Bleroja paska thanë se e ka ndërmend vetë me u martu me Afronën. U trashigofshin!
E përdali ynë mbledhtë mend për tjetër herë. Se në mendofshin anglisht shkrolaxhijtë që ai punson, lexuesit me të madhe mendojnë shqip. «I will marry her» s’ka pse përkthehet «do ta martoj atë».
Aq ma tepër, s’kemi pse i kundrinsojmë (objektifikojmë) vajzat e gratë, tue ia lanë në dorë burrit vendimin për martesë.
Unë gjithmonë i kam qortu mjetet e njoftimit që e stërpërdorin fëtyrën pësore në vend të veprores. Thonë «xhami u thye nga filani» kur populli natyrshëm thotë «filani e theu xhamin».
Por folja «me u martu» asht nji prej atyne përjashtimeve që ban shqipja jonë. Dhe me vend: Bleroja nuk e marton Afronën, e as Afrona nuk e marton Bleron.
Nana e Bleros mund ta martojë të birin. Mirëpo për dallim nga shek. XIX, me martu sod dikend në botën e qytetnueme i bjen thjesht me i kërcy – valle, jo kaligjuk – në darsëm. Nana, natyrisht, i kryen edhe do punë tjera rreth ahengut të martesës.
Kurse për me u martu, martohen Bleroja e Afrona me pëlqimin e tyne. Na mujmë edhe me i martu me zor tash, por zor që u zgjat ashtu. Martesa e shëndoshë i don bashkëshortët e lirë e të barabartë dhe pa rrotë rezervë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=2662