Nji Ë mangu «n’Prishtinë»



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ë-ja nuk ndodhet rastësisht në shkrimin shqip. Shpesh po më bjen me lexu postime ku shkronjësi e ka zavendësu Ë-në me nji apostrof. Qe, p.sh., «hajde n’Prishtinë», ta bajnë prishtinasit.

Ndoshta edhe vij, por po i shoh tri të këqija me kët shprehi:

  1. Pa kurrfarë nevoje i shmanget drejtshkrimit, i cili prej vitit 1917 ka vlejtë për të gjithë shqiptarët, gegë e toskë. Dhe kështu nis diçka të re që e dallon shqipen e Dardanisë nga shqipja e trojeve tjera. Mund ta heqim Ë-në para nji zanore, si «n’Angli», por jo dhe aty ku shumica e shqiptarëve e shqiptojnë akoma.
  2. Ua mponon shqiptarëve si me i shqiptu fjalët. Nuk jan të paktë ata që e thonë Ë-në mbas N-së në «në Prishtinë». Asht ma e udhës mos me e heqë Ë-në në të shkruem. Lexuesi nëse don le ta heqë kur e shqipton fjalën. Kaq punë do të duhej me kuptu çdo shqiptar i shkolluem, sepse shqipja tek e mbramja nuk lexohet gjithmonë ashtu siç shkruhet. (Por ç’e do që spikericat tona, sidomos në Prishtinë, fusin Ë-ja edhe aty ku s’i thotë kush natyrshëm në ditë të sodit!)
  3. Po ma randon synin. Në njanën anë, ma kujton at kangën e Agron Llakajt: «Dritëroi thërret: “O trima, shkulët gozhdën, e mbeti vrima”». Në tjetrën, ma ban shqipen me më ngjasu ma pak me motrat e mëdha evropiane e ma shum me gjuhët që germat latine i kan zbulu tek në motin e ndërrjetit dhe ende s’u kan ra në fije si duhet.

Disa mendojnë se po, veç unë nuk e shoh shqipen si gjuhë mahalle, por të të gjithë shqiptarëve!