Qilymi lumjan


Avatar photo

Ilir Seci

I diplomuem për gjuhë e letërsi në Shkodër, Iliri ka qenë gazetar i Rilindjes së Prishtinës kur dilte në Tiranë. Sot asht mërgimtar i yni në Nju-Jork, ku merret me biznes dhe shkruen për shqiptarinë.

Mbramjet që shtrohen n’Amerikë për festën e pavarsisë së Shqipnisë më dalin gjithmonë interesante. Në këto ndeja mblidhen shqiptarët e krejt trojeve tona në Ballkan – shqiptarë nga tanë breznitë që jetojnë n’Amerikë: të lindun nga prindë ardhun moti, para njiqind vjetësh, qysh para pavarsisë, apo nga prindë t’ardhun në kohë të Zogut, shqiptarë t’arratisun mbas vendosjes së komunizmit, si dhe shqiptarë t’ardhun mbas viteve nandëdhetë.

Në nji nga këto mbramje nji miku jem qilloi me kenë i njoftun i përbashkët me nji zotni nga Luma. Qebesa, edhe para se me u takue me atë burrë, më kishte ba përshtypje prej larg qëndrimi i tij i denjë, me nji heshtje të fisme, tek rrinte si më veti e nuk përzihej nëpër grupe të zhurmshme diskutuesish. Kishte nji soj fisniknie që shquhej prej larg.

Unë duke ndejtë në tavolinë kur vjen miku jem dhe më thotë se do me më njoftue me nji njeri. Shkova me te dhe doli që ishte fjala për zotninë nga Luma. U falëm si asht tradita jonë, nisëm bisedën, dhe afërmendsh dolëm te historia jonë kombtare. Nga biseda pamë që kishim shum interesa të përbashkët, njaq sa mund të diskutonim për ditë të tana! Në nji moment kur unë po shprehja keqardhje për objektet tona shqiptare që gjinden nëpër muzetë e shum metropoleve të botës, lumjani ma pret fjalën:

«Meqë dolëm te kjo temë, po u kallzoj nji ndodhi të jetës teme!»

Unë dhe miku jem u bamë sy e veshë.

«Familja jeme vjen nga Luma. Vetë jam lindë në Lumë, dhe deri shtatëvjeç kam jetue në katundin tem ku kam le. Mbasi hyni komunizmi më 1944, menjiherë nisën arrestimet e kundërshtarëve si dhe internim-dëbimet e familjeve të mëdha. Ato gjashtë-shtatë vjetët e para, komunistët patën burgosë të tanë meshkujt e familjes që ishin mbi 14-vjeç! Familja jonë ishte shum e njoftun në Lumë, e tue goditë familjet e tabanit, dojshin me trembë popullin, si e kanë praktikë komunistët. Kohna shum të vështira… N’atë mot kam kenë i vogël, por mbaj mend shum mirë çdo gja! Tanë burrat e shpisë ishin në burg, luftë klasash na bahej kahmos, dhe mbërrijti nji kohë që punët shkuen shum keq ekonomikisht! Dikush duhej me i ndjekë burrat e burgosun, dhe ajo barrë i ra nanës së madhe, gjyshes. E shkreta plakë, nji grusht kockash kishte mbetë, tue ngahë mbas djemve e nipave nëpër burgje! Vrap te nji i njofshëm, vrap te mjeku… gjithhera mundohej me ba diçka për burrat e shpisë në hapsane. Nuset e shpisë shitën stolitë e dhuntitë e martesave, por edhe ato pare nji ditë u sosën. Mbasandej, shitëm çka mund shitej, por me tanë atë shkelm që na kishin vu, ishte e pamujtun me ia dalë mbanë!»

Në këtë pikë, lumjani ndali kallzimin. Mbasi piu pak nga gota që kish para, vazhdoi:

«Nji ditë heret në nadje, po ndigjoj gratë që bajshin kuvend me za të naltë. Në shpinë tonë kurrë s’asht ngritë zani. Na doli gjumi të tanë fëmijëve. Ma shum kureshtarë sesa të trembun, u afruem me ndigjue çka ishte puna. Kishte ardhë nji e afërme e jona nga nji katund tjetër. Tue e dijtë gjendjen e vështirë ekonomike, ishte nisë me i thanë gjyshes se disa inxhiniera rusë nga Bashkimi Sovjetik paguenin mirë për veshje kombtare, për sixhade dhe qilyma. Krahina e Lumës asht e përmendun për to!

— Për ate e kam ba rrugën me ardhë. Shkoni njiherë deri në Gjegjan te fabrika. Mos e shitni qilymin e odës së burrave! — tha plaka.

Gratë ishin nda mëdysash. Disa me dhimbje ishin me e shitë, ndërsa tjerat thoshin mos me e shitë kurrsesi! Kur e ndjeva atë bisedë, diçka më theri në zemër. Qilymi jonë ishte i njoftun në tanë Lumën. Ai qilym shtrohej vetëm për raste. Sa krenarë ndjeheshim na si fëmijë kur nuset tona e shtronin në odë para se të na vinin miq! Sa herë që vinin, gjaja e parë që thonin kur merrnin me u ulë në te: “sa i bukur ky qilym”. Dhe çdo mik që vinte nuk rrinte pa e dhanë ndonji vlersim. Shum nuk e fshehnin as lakminë!

Por gjyshja foli:

— Nuk kena tjetër zgjidhje. Duhet me e shitë! — dhe urdhnoi, — Shkoni e mbledheni qilymin.

Nuset heshtën. Në kullë nuk ndihej asnji piptimë. Për nji moment u duk sikur gjithshka u ngri.

Mbas pak, dy nuse zbritën prej katit të tretë me qilymin më krahë. Gjyshja më thirri mue si djalë (isha ma i madhi ndër fëmijë, unë pesëvjeç për veti). Thirri nanën teme si nusja ma e madhe për me e mbajtë qilymin në shpinë, dhe u nisëm për Gjegjan ku ishin specialistët sovjetikë. Gjyshja, nana, unë dhe plaka e afërme e jona që kishte kallzue për blemjet e rusëve.

Tanë rrugës nana ime qau. Më kujtohet se ecja afër saj tanë kohën, kapun mbas fustanit dhe lotët e vakëta të saj më binin mbi krye. Po shisnim edhe qilymin e odës së burrave. Atëherë, si fëmijë, pamendimthi vueja, pa e dijtë se pse. Kishte nji pështjellim ndjenjash. E ndjeja se ishte diçka e randë! E ndjeja se nana qau tanë udhës, kurse gjyshja as foli nji fjalë deri në Gjegjan. Ma vonë, kur u rrita, e kuptova pse kishin ndie aq dhimbje nana e me gjyshen. Ai qilym ishte simbol për ne, si nji lloj flamuri që përfaqësonte statusin tonë në Lumë: shpi e madhe me odë burrash në za, që e kanë të mbulueme me nji qilym të vetëm në të katër anët. Nji qilym aq i madh sa mbulonte tanë odën! Burra nga Luma, Hasi e Malsia, burra nga Mirdita, Lura dhe Dibra ishin ulë kambëkryq n’atë qilym. E të tanë kishin shprehë admirimin për atë qilym aq të madh e aq të bukur. Kurrë sa të jem gjallë nuk kam me i harrue ato lotë të nxehta të nanës teme, që më pikonin mbi krye, si dhe fshamat e gjyshes që mezi e bani udhën deri më Gjegjan. Kur mbërrijtëm më Gjegjan, ajo plaka e afërme e jona foli me shoqnuesin e inxhinierëve sovjetikë. Sa panë qilymin, u shndritën sytë! E bleu ai ma i madhi në detyrë, si na thanë ishte përgjegjës i tyne, për 17 mijë lekë! Gjyshja mori ato lekë. I lidhi me shami, dhe u kthyem. Asnji fjalë s’ka folë kush tanë udhës në kthim, njisoj sikur të ktheheshim nga nji mort.

Mbas dy vjetësh, burrat dolën nga burgu të tanë, dhe nji natë të errët vjeshte, krejt si familje, me pleq e plaka, burra, gra e fëmijë, u arratisëm në Jugosllavi. Qëndruem pak kohë atje. Nga Jugosllavia, disa miq të familjes na ndihmuen me kalue n’Itali, në kampin e Triestes, e prej aty mbërrijtëm m’Amerikë.

Edhe n’Amerikë, gjithherë e kujtonim atë qilym, aq sa carrokët e vegjël lindun këtu e parafytyronin si qilymin fluturues t’Aladinit në përrallat e 1001 netëve. Gjyshja derisa vdiq e përmendte.

N’Amerikë, unë mësoja shum mirë në shkollë, dhe përfundova me rezultate të shkëlqyera studimet për biznes në Universitetin Bentley në Masaçusets. Sa mbarova studimet, fillova punë në nji kompani të madhe amerikane, dhe pas disa vitesh, mbërrijta me u emnue në bordin drejtues t’asaj kompanie. Më 1991, mbasi ndodhën ndryshimet n’Evropën Lindore, kompania jonë ishte nga të parat që hapi degë në vendet ish-komuniste. Për vetë peshën e marrëdhanieve, kur erdhi radha me hapë degë më Rusi, kompania vendosi të nisë atje nji antar bordi. Dhe nji ditë të bukur, unë mbërrijta më Moskë, përfaqësues i njanës nga kompanitë ma të mëdha n’Amerikë e në botë.

Nuk po zgjatem me hollsi, për ceremoninë dhe pritjen, se ato mund të merren me mend. Mbasdite, në koktejin e shtruem për nder tonin, m’afrohet nji nga drejtuesit e degës në Moskë dhe më thotë:

— Nga koleget mësova se jeni nga Shqipnia. Baba jem ka kenë inxhinier, dhe ka punue disa vjet në Shqipni në kohë të komunizmit, para se me u prishë marrëdhaniet. Ka punue më jug e në veri si inxhinier gjeolog.

— Unë kam ikë i vogël nga Shqipnia, — i thashë. — Familja jonë asht arratisë nga komunizmi!

Rusi po përpiqej me fitue simpatinë teme, ndaj vazhdoi:

— Baba ka respekt për shqiptarët! Kur asht kthye nga Shqipnia, ka sjellë shum relikë që ka ble atje. Ende i kam ato relikë. Baba asht ende i fortë, dhe mburret me to, sidomos me nji qilym që e ka ble diku në veri të Shqipnisë ku ka punue si inxhinier.

Unë shtanga. A ka se si me kenë e mujtun, mendova!

— Kam dëshirë me takue babën tand. Kisha dashtë me pa reliket që ka sjellë, — i thashë.

Rusi u gëzue shum, se që në fillim po plaste me u afrue e me krijue afërsi. I shkova në shpinë që i ati e kishte në periferitë e Moskës, tip daçe si u thonë ruset.

Takuem t’atin e tij. Ma vonë erdhi momenti kur do më kallzonin reliket ble në Shqipni. Nuk mujta me u besue syve. Aty ishte qilymi që kishim shitë atë ditë në Gjegjan. Nga tronditja, më mbuluen ndjersët! Sumbulla ndjersësh më binin nga flokët si lotët e nanës atë ditë kur shitëm atë qilym, që kurrë se kisha imagjinue me e pa ma! Inxhinierin rus nuk e mbajsha mend.

Për ndjersët u thashë se kisha vapë. Nuk e dhashë veten. Gjatë darkës, u thashë me kujdes se a mund të na shisnin qilymin.

— Unë kam ikë i vogël nga Shqipnia, — u thashë. — Jemi arratisë, dhe nuk kam asnji relik nga vendi i babës. Do e vlersoja shum po të ma shitni atë qilym!

Babë e bir u panë njiherë ndër sy. Si duket, peshuen me mend interesin, lidhjet e mundshme në t’ardhmen me kompaninë amerikane, dhe ranë dakord. Kur thanë se mund të ma shesin, gati sa nuk kceva përpjetë prej gëzimi! Ka kushtue 17 mijë lekë shqiptare, më thanë, dhe më kërkuen 17 mijë dollarë. Ata nuk e dinin që unë do e blejsha edhe për 170 mijë dollarë!

E bleva qilymin e kullës teme në Lumë, dhe atë natë në hotel thirra në telefon të tanë familjen n’Amerikë – vllaznit, motrat – me iu kallzue. Isha ngazëllye si fëmijë. Rruga e kthimit me avion nga Moska për në Njujork m’u duk sikur u ba jo me avion, por me qilym fluturues, more miqtë e mij!»

Lumjani heshti pak. Ne ishim ngri duke e ndigjue. Mbasi ktheu gotën, lumjani tha:

«Eh, more miq! Kështu e bleva qilymin tem në Moskë… Kurdoherë që të bahet Shqipnia e zoja e vetes, ashtu ka me na u dashtë me ba. Do na duhet me e ble historinë tonë të shpërndame anembanë botës!»